Komuna e Shpendit po i shkatërron vlerat e mirëfillta kulturore kombëtare

  • 25 June 2018 - 08:53
Komuna e Shpendit po i shkatërron vlerat e mirëfillta kulturore kombëtare

Preteni: Komuna e Prishtinës, në krye me Shpend Ahmetin, ka pasur qasje të gabuar ndaj shumë veprimtarive

Komuna e Prishtinës ka lënë jashtë mbështetjes së saj financiare për këto vite shumë prej ansambleve me traditë të gjatë në fushën e folklorit dhe të trashëgimisë. Duke marrë kritika të shumta nga komuniteti artistik kryeqytetas, por edhe vetë drejtuesit e atyre institucioneve, të cilat si institucione të kryeqytetit për dekada me radhë kanë prezantuar kryeqytetin kosovar në evenimente kombëtare, duke sjellë edhe jo pak çmime. Për krijuesit kryeqytetas, njohësit e zhvillimeve kulturore, për vite më radhë Komuna e Prishtinës ka zhvilluar politika të gabuara kulturore, duke e zbehur vit pas viti çdo iniciativë kulturore në kryeqytet. E për më keq, duke ndikuar shumë në shuarjen e shumë aktiviteteve me traditë që dikur mbaheshin në kryeqytet.

Mosrespektuese ndaj vlerave kulturore

Emin Sahiti, performues dhe menaxher në Ansamblin kryeqytetas "Bajram Curri", ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se në kryeqytet ka më se 5 vite që është duke u dështuar në fushën e kulturës e Komuna e Prishtinës, e cila po tregohet mosrespektuese ndaj traditave kulturore të krijuara për dekada me radhë, sidomos, siç ka thënë ai, mosmbështetje të ansamblit"Bajram Curri" të Prishtinës, kur dihet që ky ansambël ka një traditë 53-vjeçare."Ne për momentin jemi në festival në Tiranë dhe sa u përket shpenzimeve i kemi vetanake dhe kemi marrë vendin e parë. Kurse drejtori Yll Rugova i ndan mjetet që ne mendojmë pa kurrfarë kriteri. Ne nuk dimë kush ka qenë në komision, por u bëjmë me dije që kanë bërë një krim në kulturën dhe traditën shqiptare. Ai komision duhet të hetohet në prokurim, sipas mendimit tonë", ka potencuar Sahiti, menaxheri i ansamblit "Bajram Curri", duke pyetur se kush po tenton ta varrosë kulturën dhe traditën shekullore shqiptare. Kritik me politikat mbështetëse për OJQ-të kulturore nga Komuna e Prishtinës është treguar edhe Skënder Thaçi, drejtuesi dhe themeluesi i Ansamblit "Minatori i Ri", nga Kishnica. Ai ka thënë për "Kosova Sot" se vendimi i fundit për mospërkrahjen e Ansambleve në Prishtinë është shumë i rëndë për artistët e kësaj fushe. Ndërsa ka thënë se mbetet i trishtuar nga pohimet e drejtorit të kulturës se mosmbështetja për ansamblet që performojnë kulturë tradicionale tregon një reformim të tyre. "Ansamblet folklorike në Prishtinë kanë hartuar planet për vitin 2018, përfaqësuesit e ansambleve kanë pasur takim në mënyrë individuale për drejtorin Yll Rugova, i cili në parim na ka përkrahur vetëm me fjalë, duke potencuar se 'unë pak e njoh këtë punë, por do ta angazhoj dikë nga drejtoria', fillimisht na ka inkurajuar që të aplikojmë në konkursin dhe me pas tha se kanë vendos ta reformojnë", ka pohuar ai, duke shtuar se të gjithë aplikuesit për mbështetje kanë fituar, përveç ansambleve folklorike, AKV "Minatori:, AKV "Bajram Curri", AKV "Qamili Vogël", AKV "Prishtina", AKV "Hajvalia. Sipas tij, "Minatori i Ri", muajin ardhshëm, do të udhëtojë në festivalin "Inegyl Bursa", një festival ku marrin pjesë mbi 12 shtete, të gjitha pretendente për vendin e parë, duke shpresuar se Komuna do të ndryshojë mendje për mbështetje të ansambleve. 

Mbështeten OJQ-të pa ndonjë vlerë dhe që drejtohen nga njerëz joprofesionalë

Kurse, në anën tjetër, për njohësit e zhvillimeve kulturore në kryeqytet, me veprimin e fundit, ka treguar se nuk i përfill asnjë të arritur dhe vlerë kulturore. Për Dilaver Kryeziun, veprimet e fundit të komunës tregojnë dështime totale, pasi, sipas tij, anëtarët e komisioneve për ndarjen e mjeteve për këto projekte janë ata që, siç thotë ai për "Kosova Sot", kurrë nuk janë marrë me organizime të ndonjë evenimenti shtetëror- kulturor. Por, përveç kësaj, as që dinë çka është tradicionalja dhe çfarë qëllimi ka organizimi i projekteve me kulturë tradicionale", ka thënë Kryeziu. Kurse ekspertja dhe profesoresha e baletit, Sabrije Spahiu, ka pohuar për "Kosova Sot" mënyrën e përzgjedhjes së projekteve, sikurse kjo e fundit me apo pa vetëdije kontribuon në shkatërrimin e vlerave të mirëfillta kombëtare, duke mbështet OJQ pa ndonjë vlerë dhe që drejtohen nga njerëz joprofesionalë. Krijuesi Armend Preteni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Komuna e Prishtinës, në krye me Shpend Ahmetin, që nga fillimi i mandatit të tij, ka pasur qasje të gabuar ndaj shumë veprimtarive, në veçanti ndaj institucioneve dhe OJQ-ve të mirëfillta, me bazë në kryeqytet. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara të gazetës.

 

(Kosova Sot)