Shteti nuk po bën sa duhet për kulturën

  • 16 July 2018 - 11:20
Shteti nuk po bën sa duhet për kulturën

Të anketuarit thonë se kultura me pak “takat” ndihmohet nga shteti. Sipas tyre, ata që janë në pushtet, nuk ia dinë vlerën kulturës, ata ia dinë “vlerën” tenderave, bizneseve të tyre, ahengjeve të majme etj

 Dafina Smajli thekson se kultura është baza e një shteti. “Arti nuk është shprehje, pasqyrim apo tregues real, madje edhe kur kemi përshtypjen se sjellja e individëve në vepra artistike është realiteti, por nuk është asgjë më tepër se një spontanitet në realitet, thotë një filozof i artit e muzikës. Pikërisht për shkak të këtij statusit të privilegjuar, relativisht autonomia e artit mund të krijojë një marrëdhënie me realitetin”, është shprehur ajo.

 Flori Bruqi thekson se Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës në muajin qershor u mbështetet financiarisht nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 15.000 euro. “Kjo mbështetje financiare është për shkrimtarët e vegjël dhe ka për qëllim në realizimit e aktiviteteve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, konkretisht për takimin “Esad Mekuli i cili do të mbahet në Prishtinë më 17-18 dhjetor 2018”.

 Frrok Kristaj mendon se shteti nuk po bënë gati-gati asgjë për kulturën. “Pse po e them këtë? Po e them këtë duke u nis nga disa fakte. Kulturën e udhëheqin njerëzit që fare nuk e njohin kulturën. Bie fjala, komisioni për përzgjedhjen e projekteve për aktivitete të kulturës në MKRS jo vetëm që nuk e njohin kulturën dhe nuk i din as projektet që u kanë mbërri, po edhe punojnë vetëm sa për t'i arsyetuar mëditjet”.

 Tefik Selimi thekson se  kultura është zemra e shpirti i një populli. “Pa kulturë, si pa  sy, si pa gjuhë e si pa komunikim. Kultura e një shteti varet nga përkrahja financiare. Sot, kultura me pak “takat” ndihmohet nga shteti. Ata që janë në pushtet, nuk ia dinë vlerën kulturës. Ata ia dinë “vlerën” tenderave, bizneseve të tyre, ahengjeve të majme etj”, konstaton ai.

(Kosova Sot)