Përcillet me nderime për në banesën e fundit Fadil Hasa!

  • 17 July 2018 - 13:08
Përcillet me nderime për në banesën e fundit Fadil Hasa!

U zhvilluan paraditen e së martës homazhet për Fadil Hasën, në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, aty ku aktori kaloi pjesën më të madhe të jetës artistike, duke përcjelle përmes batutave plot humor realitetin dhe problemet e qytetarëve.

Fadil Hasa u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Në fillim të viteve ’90 doli në pension të parakohshëm dhe pjesëmarrja e tij në skenë dy dekadat e fundit u reduktua për shkak të qëndrimit kritik që aktori mbante ndaj teksteve shpesh komerciale të humorit, që për të ishte arti i të nxjerrit në pah të veseve të shoqërisë.

Në mendjen e publikut do të mbeten të paharrueshme rolet e tij te pjesët “Dajrja”, “Sheqeri”, Tekniku i lavatriçes”, skeçet e shumta, si dhe rolet në kinematografi ku veçojmë ato në filmat “Mao Ce Dun” (2007), “Kronikë provinciale” (2009) dhe “Zëvendësi i grave” (1987).

Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, Fadil Hasa u shpall “Aktori më i Mirë”, për rolin Hekuran Romalinit te luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.

(Kosova Sot)