Klanet e grupet e interesit e kanë zaptuar kulturën

  • 19 July 2018 - 08:12
Klanet e grupet e interesit e kanë zaptuar kulturën
Kristaj: Shteti nuk po bën gati -gati asgjë për kulturën 

"Politika ka lëshuar rrënjët e saj kudo, edhe në kulturë, ku ka krijuar klane të ndryshme që veçse po e sakatosin atë. Ka shumë të rinj e të reja në vendin tonë, me ambicie të mëdha në fusha të ndryshme të artit, por që s'kanë kurrfarë mbështetje nga ana e institucioneve", është shprehur krijuesi Bujar Meholli për gazetën "Kosova Sot" 

I nstitucionet shtetërore nuk janë duke bërë sa duhet për zhvillimin dhe mbështetjen e kulturës në vend. Pavarësisht se gjatë një viti ndahen qindra euro për të mbështetur OJQ-të e ndryshme, pa llogaritur këtu paratë që ndahen për institucione publike në vend, zhvillimet kulturore çalojnë shumë dhe shumë prej aktiviteteve harrohen sapo të mbarojnë, pa sjell ndonjë të mirë për kulturën. Për më keq, tashmë me ndihmën dhe mbështetjen e institucioneve, sidomos qeveritare, tashmë edhe kultura është poetizuar dhe mbështetja zor se arrihet pa pasur lidhje apo ndërhyrje politike. Një kontaktim i tillë është mbështetur edhe nga njerëzit e kulturës, sipas të cilëve institucionet duhet te bëjnë më shumë, sidomos për ato aktivitete që kanë interes kombëtar.

Autonomia e artit mund të krijojë një marrëdhënie me realitetin Muzikologia Dafina Smajli, njohëse e zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se ka hapësirë për mbështetje më të denjë nga shteti jo vetëm në anën financiare, por edhe ligjore. Ajo ka thënë se kultura është baza e një shteti dhe se arti nuk është shprehje, pasqyrim apo tregues real, madje edhe kur kemi përshtypjen se sjellja e individëve në vepra artistike është realitet, por nuk është asgjë më tepër se një spontanitet në realitet, thotë një filozof i artit e muzikës. "Pikërisht për shkak të këtij statusit të privilegjuar, relativisht autonomia e artit mund të krijojë një marrëdhënie me realitetin, dhe kur nuk lidhet direkt me këtë realitet. Nga kjo mund të konstatojmë se realiteti i vetëm, i cili na tregon artin, është realitetit ideologjikë, edhe në qoftë se ne ende insistojmë në konceptin e artit autonom", ka thënë ajo, duke shtuar se ka hapësirë për mbështetje më të denjë nga shteti jo vetëm në anën financiare, por edhe ligjore. Ndërsa ka shtuar se normat shoqërore duhet të nxjerrin në pah të drejtat e artit (në veçanti krijuesve), të cilat janë të kristalizuara në një shtet ligjor.

Anëtarët e Komisionit për përzgjedhjen e projekteve nuk e njohin kulturën Kurse Frrok Kristaj, krijues dhe publicist, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot", se shteti nuk po bën gati -gati asgjë për kulturën, duke përmendur edhe, siç ka thënë ai, disa fakte. Së pari, sipas tij, kulturën e udhëheqin njerëzit që fare nuk e njohin kulturën. Bie fjala, komisioni për përzgjedhjen e projekteve për aktivitete të kulturës në MKRS jo vetëm që nuk e njohin kulturën dhe nuk i dinë as projektet që u kanë mbërri, po edhe punojnë vetëm sa për t'i arsyetuar mëditjet. Këtë konstatim ai e mbështet, pasi, sipas tij, manifestimet tash e disa vjet janë në të njëjtin nivel të zhvillimit të aktiviteteve, e tash e tri-katër vjet manifestimeve u ndahet shuma e njëjtë pa e shikuar se ato manifestime kanë pasur ngritje e rënie në përmbajtje.

Të rinjtë hasin në shumë pengesa Kurse Bujar Meholli, krijues, ka thënë për "Kosova Sot", se shteti ynë, prej kohësh nuk mbështet kulturën aq sa duhet, dhe kjo e fundit ka ngelur në gjendje shumë të rëndë. Politika, shton ai, që ka hyrë në çdo pore të jetës sonë, e ka përfshirë edhe kulturën, e cila s'ka arritur assesi t'i bëjë ballë. "Pra, me një fjalë politika ka lëshuar rrënjët e saj kudo, edhe në kulturë, ku ka krijuar klane të ndryshme që veçse po e sakatosin atë!", ka pohuar ai, duke shtuar se ka shumë të rinj e të reja në vendin tonë, me ambicie të mëdha në fusha të ndryshme të artit, por, siç ka pohuar ai më tej, që s'kanë kurrfarë mbështetje nga ana e institucioneve; ata, medoemos duhet t'u shërbejnë njërës apo tjetrës parti politike, varësisht, nëse duan të jenë të privilegjuar dhe të kenë mbështetjen e duhur institucionale. "Në të kundërtën, mbesin duke i diskutuar idetë e tyre në ndonjë mejhane, pa arritur t'i jetësojnë ato". Ai shton se një i ri, sado i talentuar qoftë - do të hasë në qindra pengesa, në krijimin e karrierës së tij! "Ai, në vend të mbështetjes has në lloj-lloj pengesash, që e demoralizojnë", ka pohuar ai. Po sipas tij, mbështetja në komunitetin artistik, pra, varion - sipas klaneve partiake!


(Kosova Sot)