Teatrot e qyteteve, buzë falimentimit

  • 10 August 2018 - 07:58
Teatrot e qyteteve, buzë falimentimit
Musliu: Teatrot publike duhet të kenë financim permanent 

"Në funksion të afirmimit dhe zhvillimit të teatrit si njësi elitare e kulturës edhe përmes ndryshimit të ligjit kemi nisur iniciativën e themelimit te Asociacionit të Teatrove të qyteteve të Kosovës, që zëri pozitiv i teatrove të jetë më i zëshëm dhe që përfundimisht të aprovohen ndryshimet e propozuara, të cilat nuk lusin, por obligojnë themeluesit që me forcën e ligjit të mbështesin teatrot", ka pohuar regjisori Agron Gërguri për gazetën "Kosova Sot"

Bërja e një ligji të ri për teatrot e qyteteve në vend po shihet si një ide që duhet realizuar doemos. Gjithçka për shkak se ligji aktual për teatrot që prek edhe ato profesioniste të qyteteve nuk ka dalë të sigurojë një funksionim normal të tyre. Nisur nga ky fakt, ditë më parë është mbajtur një takim mes ministrit të Kulturës me drejtues të teatrove të qyteteve të Kosovës, nga ku doli edhe premtimi dhe përkrahja për një ligj të ri për teatrot në vend. Ideja për bërjen e një ligjit të ri për teatrore e rretheve është mbështetur edhe nga krijuesit skenik në vend. Duke arsyetuar nevojën e një ligji për teatrot e qyteteve, regjisori Agron Gërguri, drejtor i Teatrit të qytetit të Podujevës, "Avdush Hasani", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se në vendet ku kulturës i kushtohet rëndësi që në fakt është palca e qenësisë kombëtare, teatri është institucion elitar. Në Kosovë, shton ai, nuk ndodh kjo as me politikat që trajtojnë kulturën as me trajtimin që u bëhet institucioneve të brishta e në veçanti teatrit, i cili shpesh trajtohet si ndërmarrje ekonomike e jo institucion kulturor. "Këtë lloj trajtimi i ka bërë teatrit edhe ligji ekzistues për teatrot, i cili është kontradiktor nga neni në nen dhe si i tillë jofunksional. Jam dëshmitar i përpjekjeve për t'i bindur sponsoruesit se ky ligj nuk funksionon, gjatë procedurave që duheshin udhëhequr për themelimin e Teatrit "Avdush Hasani". 14 nene kërkonin nga themeluesi veprime të caktuara ndërsa neni i 15 ndalonte çdo veprim pa e dhënë "izën" Ministria", ka thënë Gerguri, duke shtuar se edhe në nene të caktuara kërkohet të merreshin në punë të rregullt 10 deri 20 aktorë rezident, ndërsa këtë nën assesi ta pranonte ministria e financave e as komunat përkatëse ku veprojnë teatrot. Andaj, ka pohuar më tej ai, nisur nga këto dhe shumë anomali të tjera del se një infrastrukturë e re ligjore favorizuese për themelimin dhe funksionimin e teatrove është nevojë imediate.

Teatrot satelitë Shih për këtë, ka potencuar më tej Gërguri, me iniciativën e Sindikatës së Teatrove dhe drejtuesve të teatrove të qyteteve është nisur procedura e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Teatrot. Në shumë vende, ka pohuar ai, themelimi i teatrove është obligim e jo procedurë ligjore me shumë pengesa. "Në funksion të afirmimit dhe zhvillimit të teatrit si njësi elitare e kulturës edhe përmes ndryshimit të ligjit kemi nisur iniciativën e themelimit të Asociacionit të Teatrove të qyteteve të Kosovës që zëri pozitiv i teatrove të jetë më i zëshëm dhe që përfundimisht të aprovohen ndryshimet e propozuara të cilat nuk lusin, por obligojnë themeluesit që me forcën e ligjit të mbështesin teatrot", ka pohuar më tej drejtori Gërguri. Prandaj, sipas tij, në kuadër të këtyre ndryshimeve të gjendet formula më adekuate dhe funksionale për angazhimin e aktorëve dhe që databazë të jetë gjithë Kosova e jo vetëm komunat ku kanë selitë teatrot. Kurse regjisori Mahiri Musliu, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se është nevojë imediate për ekzistencën dhe mbijetesën e teatrove nëpër komuna, bile kjo është dashur të bëhet më herët. Teatrot publike, sipas tij, duhet te kenë financim permanent dhe ansambël rezident. Këto janë shtyllat kryesore që e përbejnë një teatër. Sipas tij, Ligji për Teatrot i vitit 2011 ka anomali të shumta, ndonëse nuk i obligon institucionet që ta bëjnë këtë, kurse kjo ka sjellë situatë jo të favorshme për funksionimin normal të teatrove nëpër komuna. "Një ligj, i cili do të përpilohej me objektiva të qarta e obliguese për institucionet kulturore, do të sigurojë stabilitet financiar mbi teatrot e qyteteve. Një gjë e tillë do të shpijë në një garë vlerash të barabarta dhe konkurruese në vend. Uroj që kjo të mos stërzgjatet sikur herëve të tjera", ka thënë ai, duke shtuar se shpreson që nga procedurale të miratohet sa më shpejt e jo të mbetet një dosje e pluhurosur nëpër sirtarët e institucioneve qeverisëse.

Ofrohen vende pune për njerëz që meritojnë Ndërsa krijuesi Bujar Meholli, ka thënë për "Kosova Sot", se nëse jetësohet ligji i ri për teatrot, siç premtoi MKRS-ja ditë më parë, atëherë ky do te ishte një lajm shumë i mirë për qytetet e Kosovës, teatrot e të cilave, shton më tej Meholli, janë në gjendje tepër të rëndë, për të mos thënë para falimentimit. Kjo, sipas tij, për faktin se publiku është tejet i vogël nëpër këto teatro, shto këtu dhe qindra probleme me të cilat përballen si mungesa e fondeve, stafi i vogël, e të tjera probleme të ngjashme me këto. Andaj, ka potencuar ai, ligji në fjalë do të kontribuonte në stabilizimin dhe gjallërimin e teatrove kosovare; do t'i rriste fondet për mbështetjen e tyre si dhe do të ofronte edhe vende pune për njerëz që e meritojnë të jenë në teatër. "Përmirësimi i kushteve dhe mbështetja financiare, nëse ndodh siç premtuan nga MKRSja, do te hapte rrugë për aktivitete artistike, të cilat janë minimale. Dhe, kështu mbase do të krijohej shprehia për të shkuar në teatër, sepse siç e dimë deri tash - publiku që ka vajtur në teatër ka qenë tepër i vogël", ka thënë Meholli.

(Kosova Sot)