Çmohen klanet e politikës, por JO EDHE ARTISTËT E VËRTETË

  • 14 August 2018 - 08:39
Çmohen klanet e politikës, por JO EDHE ARTISTËT E VËRTETË
Tahiraj: Artistët e vërtetë për së gjalli shkelen përtokë

"Po jetojmë në kohëra të vështira, ku sundon antivlera, ndërsa arti i vërtetë flaket atje tej dhe përbuzet. Kështu po ndodh me artistët e vjetër, që, natyrisht, i kanë dhënë shumë kulturës sonë, megjithëse kanë punuar në mungesë të kushteve të duhura dhe kanë arritur të jenë produktivë. Sot, produktivitet ka pak, për të mos thënë s'ka fare! Artistët e sotëm s'marrin mësim nga të vjetrit, sepse ata s'janë 'cool', por 'old!'", ka thënë krijuesi Bujar Meholli për gazetën "Kosova Sot"

Artistët, emrat e njohur të artit kosovarë, vazhdojnë të kenë një trajtim aspak të mirë nga institucione kosovare, shoqëria, por edhe nga vetë komuniteti artistik. Sidomos ata që nuk janë afër politikës dhe brenda klaneve të ndryshme. Si të tillë, ata pengohen në punën e tyre, shënjestrohen dhe sulmohen në mënyrën më brutale, deri në kërcënim për largim nga puna, sidomos ata që janë pjesë e institucioneve publike. Vetëm ata që janë afër politikës dhe klaneve të ndryshme përfitojnë medalje-mirënjohje institucionale, përfitojnë fonde publike për projekte, vende të mira pune, drejtues institucionesh e shumë benificione tjera. Fare pak çmohen dhe nderohen ata krijues dhe artistë të ndryshëm, që i përkushtohen punës së tyre krijuese. Shumë pak prej tyre të vetmin nderim që marrin është në akademi përkujtimore pas vdekjes. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" krijues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, kjo ka një kosto dhe vjen si rezultat i antivlerave që kanë përfshirë shoqërinë tonë. 

Injorohen sikur nuk ekzistojnë Krijuesi Bujar Meholli, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se është e vërtetë se në vendin tonë artistët me karrierë të gjatë dhe të suksesshme nuk përfillen nga shteti, gjegjësisht nuk çmohen dhe nderohen. Fatkeqësisht, shton ai, shteti dhe institucionet kulturore i lënë në harresë këta persona."Po jetojmë në kohëra të vështira, ku sundon antivlera, ndërsa arti i vërtetë flaket atje tej dhe përbuzet. Kështu po ndodh me artistët e vjetër, që, natyrisht, i kanë dhënë shumë kulturës sonë, megjithëse kanë punuar në mungesë të kushteve të duhura dhe kanë arritur të jenë produktivë. Sot produktivitet ka pak, për të mos thënë s'ka fare! Artistët e sotëm s'marrin mësim nga të vjetrit, sepse ata s'janë 'cool', por janë 'old!'", ka thënë Meholli, duke shtuar se shtetasit tanë, që s'ia kanë haberin në kulturë, e dinë se kur të vdesë filan artisti duhet t'u thonë këshilltarëve që t'ua thurin dy-tri vargje për të dhe, siç shton ai, më tej gjithashtu disa ditësh vlon' 'Facebook'-u nga ngushëllimet për artistin e vdekur, shpeshherë pa e njohur fare! Ndërsa Zeqir Fazliu, shkrimtar dhe njohës i zhvillimeve kulturore, ka thënë për "Kosova Sot" se njerëzit e kulturës sa janë gjallë nuk përmenden, nuk çmohen sa duhet, injorohen sikur nuk ekzistojnë. "Vetëm pas vdekjes dalin në shesh vlerat e një aktori, një poeti, një shkrimtari, etj. Kjo u pa edhe këto ditë, me rastin e vdekjes së z. Sulejman Lokaj, të shkrimtarit dhe poetit Ragip Sylaj, të aktorit Bekim Lumi etj. Njerëzit e kulturës nuk duhet të vlerësohen nga këndi partiak, por nga këndi i mirëfilltë i vlerave dhënë kulturës sonë në përgjithësi", ka potencuar Fazliu.

Njerëzit e kulturës diskriminohen Kurse studiuesi dhe krijuesi Ismet Tahiraj ka thënë për 'Kosova Sot" se, fatkeqësisht, arti më shumë vlerësohet në bazë të njerëzve klanorë dhe lihen anash ato vlera që duhet të jenë për brezin e tashëm dhe të ardhshëm. "Diku ngrihen vlerat pa hesap, diku krijohet hendikep që në rajonin përreth krijon huti dhe horizont të mjegullt. Artistët e vërtetë për se gjalli shkelen përtokë, ky është mjerimi më i madh që po u ndodh doajenëve të kulturës", ka thënë ai, duke shtuar se në anën tjetër për një njerëz të caktuar për përfitime të veta thurin lavdi gati në himne çka, siç ka thënë Tahiraj, e vyshkin edhe atë realitet origjinal që duhet të mësojnë gjeneratat e ardhme. Edhe për kritikun Ilir Muharremi njerëzit e kulturës diskriminohen dhe shihen në mënyra të ndryshme. Sipas tij, disa çmohen e disa nuk çmohen. "Kur vdiq Bekim Fehmiu, në kuvend nuk u mbajt as një minutë heshtje. E dihet figura e tij e famshme që ishte edhe në Hollivud. Ndërsa për disa aktorë të tjerë u mbajt pa të keq, të cilët nuk i kishin tejkaluar kufijtë ballkanik", ka pohuar ai, duke shtuar se për disa organizohen ceremoni madhështore e për disa shumë të zbehta, duke bërë dallim. Ai shton se nuk shikohet kontributi artistik, por origjina, rajoni dhe animi politik. "Ka shumë artistë që edhe për së gjalli i shërbejnë mirë politikës dhe kanë përkrahje. Ata i durojnë të gjitha presionet dhe shantazhet që u bëhen. Fatkeqësisht ata s mund t'i quajmë artistë", ka thënë Muharremi për "Kosova Sot".