Rrëfimi për gruan që lidhet me super të pasurin

  • 14 August 2018 - 15:06
Rrëfimi për gruan që lidhet me super të pasurin
Kemi të bëjmë me një film, i cili arrin me mjeshtëri ta krijojë dhe ta ruajë balancën midis pasurisë së paskajshme dhe ndjeshmërisë pragmatike, të manifestuar nga heroina e filmit, Rachel Chu (Constance Wu), një profesoreshë e ekonomisë, e shtresës së mesme, e cila zbulon se i dashuri i saj, i lindur në Singapor, nuk është vetëm i pashëm, por edhe ka një pasuri më të madhe sesa GDP-ja e shumicës së vendeve

Në kafenenë njujorkeze "Serendipity 3", askush nuk pyet për çmime. Mund të porositni akullore ("sundae") me çmim 1000 dollarë, të stolisur me gjethe të arit. Sikur ta vendosësh qershinë mbi një ëmbëlsirë të tillë ekstravagante, ajo që është interesant është se filmi "Crazy Rich Asians" përfundon me fishekzjarrë që shpërthejnë nga kulmi i hotelit "Marina Bay Sands" në Singapor, që është njëra ndër ndërtesat më të shtrenjta në botë. Kemi të bëjmë me një film, i cili arrin me mjeshtëri ta krijojë dhe ruajë balancën midis pasurisë së paskajshme dhe ndjeshmërisë pragmatike, të manifestuar nga heroina e filmit, Rachel Chu (Constance Wu), një profesoreshë e ekonomisë, e shtresës së mesme, e cila zbulon se i dashuri i saj, i lindur në Singapor, nuk është vetëm i pashëm, por edhe ka një pasuri më të madhe sesa GDP-ja e shumicës së vendeve. Përfshirja në ambientet e elitës Nëse këto shpërthime piroteknike duket ta prarojnë zambakun, kjo është kështu vetëm për shkak "Warner Bros." nuk ka kursyer asgjë kur ka bërë përshtatjen e librit bestseller të Kevin Kwanit, duke e bërë atë që të duket sikur një shou 2 orësh i fishekzjarrëve, në të cilën yjet e bukura aziatike bëjnë paradë rreth e rrotull me rroba ngjyrangjyra, duke vozitur vetura luksoze. Në situata normale, një madhështi e tillë është rezervuar për mbretëreshën e Anglisë, apo për qarqet e rralla në të cilat operon James Bond edhe pse regjisori Jon M. Chu ("Step Up 2: The Streets") sjell personazhe me të cilat mund të identifikohet kushdo, sidomos me personazhin kryesor, Wu, derisa ajo përfshihet në këtë ambient të elitës. Kemi të bëjmë me një fantazi të plotësimit të dëshirave, në një nivel krejt tjetër. Personazhet e Kwanit nuk janë vetëm të pasur, por ata janë çmendurisht të pasur, gjë që e bën versionin e Chu-së romancën më të preferuar të ekranit të madh, që nga "The Great Gatsby" të Baz Luhrmannit, pa ndjenjën mbresëlënëse të tragjedisë e cila ndan F. Scott Fitzgeraldin nga një shkrimtar i cili më shumë preferohet që të lexohet në plazh, sikur që është puna e Kwanit. Rachel mbetet një personazh i mençur Ashtu sikur që tregon edhe libri, "Crazy Rich Asians" është një film pa apologji, një satirë e bërë shpejt e shpejt në lidhje me konfliktin midis qëndrimeve të vjetra ndaj parave dhe ambicieve të reja të të pasurve, në një moment kur Azia është duke prodhuar me dhjetëra miliarderë. Rachel mbetet një personazh i mençur, me vetëbesim, e cila e gjen veten në qendër të një fantazie princeshe, por që ka dallim nga heroinat klishe të këtyre filmave, ajo nuk pret ndonjë njeri të çuditshëm sikur Christian Grey, që të vijë dhe t'ia ndryshojë jetën. Regjinë e këtij filmi e ka bërë Jon M. Chu; skenarin e kanë shkruar Peter Chiarelli dhe Adele Lim, bazuar në librin e Kevin Kwanit, derisa rolet i luajnë Constance Wu, Henry Golding, Michelle YeohGemma Chan, Lisa Lu, Awkwafina, Harry Shum Jr., Ken Jeong, Sonoya Mizuno, Chris Pang, Jimmy O. Yang, Ronny Chieng, Remy Hii, Nico Santos, Jing Lusi, Carmen Soo, Pierre Png dhe Fiona Xie.

(Kosova Sot)