Rrëfimet bizare rreth krijimit të këtyre këngëve tematike

  • 16 August 2018 - 14:33
Rrëfimet bizare rreth krijimit të këtyre këngëve tematike
Sapo përmendet filmi "Titanic", disi menjëherë në mend na bie kënga e Celine Dionit

Meloditë, këngët tematike kanë rëndësi të madhe për një film, gjë që shpesh nuk kihet parasysh. Shikoni si lindën disa prej këngëve më të njohura tematike Steven Spielberg mendonte se kënga e "Jaws" ishte shaka Me dy nota dhe me disa javë të kohës për t'u përgatitur, kompozitori John Williams bëri atë që evolucionit iu deshën 180 milionë vjet për të arritur, duke i bërë peshkaqenët absolutisht të tmerrshëm. Tani kjo melodi tematike përdoret në filma të shumtë, për ta paralajmëruar afrimin e një rreziku të madh. Është e çuditshme, sepse në fillim regjisori Steven Spielberg qeshi kur e dëgjoi këtë melodi, duke mos e marrë atë seriozisht, por vetëm si shaka. Por, kur Williams shpjegoi qëllimin që kishte për të arritur me këtë melodi, regjisori i famshëm e pranoi atë. 

Kënga tematike për "Frasier" me qëllim krijon konfuzion Filmi "Frasier" mbaron me njërën prej këngëve më të 'topitura' tematike në historinë e televizionit. Duke u përqendruar rreth një 'laku lirik' rreth sallatës dhe vezëve të tundura, kjo këngë e xhazit një kohë të gjatë i ka munduar fansat, të cilët vrisnin mendjen për ta gjetur domethënien e vërtetë të tekstit të saj. Sipas kompozitorit Bruce Miller, në njëfarë mënyre ky ishte edhe qëllimi i këngës: shkruesi i tekstit të saj, Darryl Phinnesse, thuhet se ishte munduar me qëllim që teksti i këngës të mos përmendte e as të aludonte në asgjë nga filmi, por të flisnin rreth karrierës së Frasierit si 'psikiatër i radios', ku 'sallata dhe vezët e tundura' simbolizojnë pacientët e tij. 

James Cameron e donte "Titanic"-un pa këngë tematike Sapo përmendet filmi "Titanic", disi menjëherë në mend na bie kënga e Celine Dionit, e cila më pas u bë mega-hit, "My Heart Will Go On". Tani e kemi të vështirë ta paramendojmë, qoftë këngën, apo filmin, pa njëri-tjetrin. Kjo është e çuditshme, meqë në fillim, regjisori James Cameron ishte i vendosur që filmi të mos kishte ndonjë këngë tematike. Në një rast, ai kishte pyetur: "A do ta venit një këngë në fund të filmit 'Schindler's List'"? Por, kryesisht për shkak të investimeve të mëdha që kishin bërë në film, "20th Century Fox" kishte insistuar dhe vazhdimisht e kishte bërë të ditur se filmi kishte nevojë për një këngë tematike. Cameron u pajtua me këtë gjë vetëm pasi që pa se çfarë ndikimi kishte kënga te shikuesit e parë ('eksperimentalë') të filmit. 

"Daft Punk" u veshën si robotë, për filmin "Tron: Legacy" "Tron: Legacy" është, varësisht nga ajo se kë e pyesni, ose një film i mirë mesatar, i cili u reklamua në mënyrë tepër agresive nga "Disney", ose videoja e dytë, më ambicioze, muzikore e "Daft Punk", e bërë pas "Interstella 5555". Fansat e filmit origjinal "Tron", pjesëtarët e "Daft Punk" me qëllim u larguan nga zona e tyre e rëndomtë muzikore e komfortit, për të inkorporuar elementet simfonike, meqë mendonin se sintisajzerët nuk mund ta arrinin atë që dëshironin. Përkundër përkushtimit fillestar të duetit dhe respektit e dashurisë ndaj filmit origjinal, regjisori Joseph Kosinski më pas tregoi sa të vështirë e kishte përfshirjen e tyre, meqë ata ishin në turne kur tentoi t'i kontaktonte së pari. Pasi arriti t'i bindte të takoheshin, ata u paraqitën në takim me veshje si robotë. 

Mike Myers për pak hoqi dorë nga "Wayne's World" Sipas Mike Myers, kur atij i lindi ideja e skenës së goditjes së kokës në "Wayne's World", studioja reagoi me një ndryshim të vetëm të sugjeruar: djelmoshat duhej të dëgjonin "Guns N' Roses" - të cilët asokohe ishin shumë më shumë të popullarizuar - në vend të grupit "Queen". Myers kundërshtoi duke thënë se "Bohemian Rhapsody" ishte kryevepër dhe nuk pranonte të hiqte dorë nga kjo këngë, qoftë edhe me çmim që ai të largohej nga tërë projekti. Studioja eventualisht hoqi dorë nga kërkesa e saj dhe lejoi përdorimin e kësaj kënge. Kjo rriti shumë interesimin rreth muzikës së bendit "Queen". 

(Kosova Sot)