Telefonat e mençur rrëmbejnë LEXUESIT E ROMANEVE

  • 17 August 2018 - 07:44
Telefonat e mençur rrëmbejnë LEXUESIT E ROMANEVE
Selimi: Libri është pasuria më e madhe e njeriut 

Libri cilësor, autorët e mirë janë bukur mirë të pranishëm në librari, biblioteka dhe duar të lexuesve. Duke pasur parasysh moshën e re të popullsisë sonë, etja për literaturë motivuese dhe nxitëse për plotësim personaliteti, karriere, pastaj biografitë, autobiografitë, letërsia e mirëfilltë, po ashtu dhe historia, filozofia janë prej më të lexuarave", ka thënë nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli për "Kosova Sot" 

Diskutime rreth interesimit të publikut kosovar për librin dhe lexueshmërinë vazhdojnë të mbesin tema aktuale, pavarësisht opsioneve të ndryshme. Në fakt, për vite me radhë, nga një pjesë e mirë e komunitetit të librit në vend, ka një mendim se kosovarët janë më pak të interesuar për lexim, dhe lexueshmëria në vend është më e vogël në krahasim me vendet e rajonit. Një konstatim që nga librarë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend konsiderohet i pasaktë. Pasi, siç janë shprehur një pjesë prej tyre, lexueshmëria në vendin tonë është relativisht e mirë. Bile, sipas tyre, tashmë interesimi për lexim është rritur dhe kërkesat janë drejtuar edhe për fushat e tjera të dijës, përveç letërsisë. 

Numri i madh i botimeve nuk e gjen lexuesin e vet Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli, nga libraria "Buzuku" ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se lexueshmëria në vendin tonë është relativisht e mirë, dhe se, siç ka thënë ai, pohimet se kosovarët lexojnë më së paku në rajon, nuk janë të sakta. Ai ka thënë se nëse shohim tirazhet e librave që botohen, në rajon nuk janë më të larta se tirazhet e librave që botohen tek ne. Halli, sipas tij, është që sot botohet bukur shumë, dhe pastaj mundësia e një pjesë të madhe të këtyre botimeve nuk gjen lexuesin e vet, dhe kryesisht pastaj merren për bazë pohimet e këtyre autorëve apo botuesve. Libri cilësor, autorët e mirë janë bukur mirë të pranishëm në librari, biblioteka dhe duar të lexuesve. Duke pasur parasysh moshën e re të popullsisë sonë, etja për literaturë motivuese dhe nxitëse për plotësim personaliteti, karriere, pastaj biografitë, autobiografitë, letërsia e mirëfilltë, po ashtu dhe historia, filozofia janë prej më të lexuarave", ka thënë Zeneli për "Kosova Sot". 

Pakkush lexon në autobus, në pushimore apo në park Kurse Tefik Selimi, publicist dhe njohës  zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se sado që inkurajohemi se jemi lexues të rregullt të shtypit, librave e teksteve të tjera, që kanë "formën" e leximit, kosovarët nuk janë aq dashamirë të leximit, sepse nuk e kanë pasion ose traditë leximin të shprehjes në këtë drejtim. Në anën tjetër, sipas tij, kjo u pa më së miri në testin PISA, ku shkollarët tanë nuk e kaluan as hapin e parë të testit nga fusha e leximit të librave. "Këtu, në Kosovë, pakkush lexon në autobus, në pushimore apo në park ku relaksohet nga gjelbërimi apo ajri i freskët. E kundërta është se, në botën e jashtme, si në Shqipëri e vende të tjera, vëren me të madhe njerëz të moshuar e të rinj duke lexuar shtypin apo libra në pritje të autobusit apo duke udhëtuar. Është kulturë e njeriut të lexojë kudo që gjendet", ka pohuar Selimi, ndërsa ka shtuar se lexuesi ynë, këtu në Kosovë, nuk ia di vlerën leximit. Ai shton më tej se me teknologjinë e re të telefonave të "mençur", sikur mendojnë se lexojnë dhe e bëjnë "namin"në ato komunikime të tyre. "Nuk lexojnë letërsi të mirëfilltë artistike, e cila, në vete ngërthen kulturë dhe dije. Mendoj në të rinjtë tanë se me lehtë është të pikturojë apo të bëjë dizajne të tjera nga arti pamor, sesa të lexojë ndonjë vepër letrare. Veprat letrare iu duken të pamundura të lexohen, sepse nuk e kanë fituar shprehinë e leximit", ka pohuar ai. Sipas Selimit, më tepër kanë dëshirë të dëgjojnë të tjerët të flasin për ngjarjet e ndonjë vepre sesa ata vetë ta lexojnë. "Kjo është kultura e njerëzve me shpirt të varfër. Libri është pasuria më e madhe e njeriut", ka pohuar ai. 

Ka shitje enorme të librit artistik Ndërkaq, Sabit Zeneli, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka pohuar se pohimet se në Kosovë lexohet më pakë se në rajon, nuk kanë bazë pasi për ta vërtetuar këtë do të duhej të këtë një hulumtim për këtë në tërë rajonin. Bazuar në deklaratat e shitësve të librit, ka thënë ai, del që nuk jemi edhe keq, sepse ka shitje enorme të librit artistik e sigurisht që gjithë ata blerës edhe i lexojnë. "Mirëpo, duhet pasur parasysh edhe faktin tjetër: Çka i ofrohet lexuesit kosovar? Jemi dëshmitarë që përditë e më shumë hasim në vlera të dyshimta letrare, mos të themi antivlera, dhe kjo padyshim që irriton gjithë ata që e duan letërsinë artistike", ka pohuar ai, duke shtuar se kemi me dhjetëra shtëpi botuese që botojnë gjithçka që u ofrohet, redaktorët jo rrallë janë ata që nuk kanë haber në këtë punë, pastaj botojnë monografi për personalitetet e artit, kulturës, e të politikës dhe për çudi aty mund të gjesh edhe emra të poetëve që kanë një stil e kulturë shkrimi. Zeneli ka pohuar se vendi ka disa botues të cilët ofrojë botime cilësore dhe me vlerë dhe se MKRS-ja duhet të investojë më shumë për të rritur leximin e librit. 

(Kosova Sot)