Tmerri në shkollën internat

  • 17 August 2018 - 14:41
Tmerri në shkollën internat
Uma Thurman luan rolin e një drejtoreshe misterioze në trilerin mbinatyror të Rodrigo Cortesit

Regjisori Rodrigo Cortes, i cili e dëshmoi talentin e tij me trilerin e Ryan Reynoldsit, "Buried", sjell një nivel të mjaftueshëm të frikës, sa për ta mbajtur situatën e tendosur. Skenari, i shkruar nga Mike Goldbach dhe Chris Sparling, përmban edhe një nivel të humorit jo aq të theksuar

Ngjarja e filmit "Down a Dark Hall" zhvillohet ditëve tona, por e ka një ndjenjë të trilerit gotik nga shekulli XIX. Me ngjarjen që zhvillohet në një shkollë internat në periferi, ku prindërit që dërgojnë fëmijët aty do të duhej të arrestoheshin, rrëfimi stilistik mbinatyror ka një atmosferë aq të fortë, sa që me të vërtetë të frikëson. Por, ky film ka një element të freskisë, i cili e dallon nga filmat e tjerë të tmerrit. Uma Thurman, me një theks të papërcaktuar, i cili menjëherë e bën personazhin e saj si të keq, luan rolin e drejtoreshës së shkollës, Madame Duret. Me një kostum karakteristik, të dizajnuar nga Zac Posen, kjo aktore me të vërtetë e shijon mundësinë për ta luajtur këtë rol të ngjashëm me Cruella de Vil.

Raporti i jashtëzakonshëm mësues/student I bazuar te romani i vitit 1974, të shkruar nga shkrimtari, tani i ndjerë, Lois Duncan ("I Know What You Did Last Summer"), ngjarja e filmit zhvillohet rreth adoleshentes problematike Kit (AnnaSophia Robb, Soul Surfer dhe The Carrie Diaries), të cilën e ëma e dërgon në Akademinë "Blackwood", pasi që Kit manifeston një tendencë alarmante për zjarrvënie. Përkundër madhësisë së saj të konsiderueshme, akademia ka një raport të jashtëzakonshëm mësues/student, meqë atje ka vetëm edhe katër vajza të tjera, përpos Kitit. Por, kurrikulumi i kësaj akademie është i limituar, duke u përbërë vetëm nga katër lëndë: arti, literatura, matematika dhe muzika, ku secila lëndë jepet nga një instruktor i veçantë. Vet Madame Duret jep lëndën e parë, derisa i biri i saj i pashëm Jules (Noah Silver) merret me lëndën e fundit. Kit dhe koleget e saj studente, Veronica (Victoria Moroles), Sierra (Rosie Day) Ashley (Taylor Russell) dhe Izzy (Isabelle Fuhrman), shumë shpejt kuptojnë se, në shkollën e tyre të re, ekzistojnë disa aspekte të çuditshme. Secila prej tyre papritmas tregon një prirje të fortë, të panjohur deri atëherë, për një lëndë të caktuar, ku Kit papritmas bëhet një pianiste e talentuar. Nuk befason fakti që, shumë shpejt, gjatë natës fillojnë të paraqiten gjëra të ndryshme, sidomos në korridorin e errët të konviktit, të cilin studentët e kanë rreptësisht të ndaluar që ta eksplorojnë. 

Femrat e reja manifestojnë personalitete të dalluara Filmi fillon ngadalë dhe kurrë, në fakt, nuk sjell ndonjë momentum të fuqishëm pas këtij momenti. Por, regjisori Rodrigo Cortes, i cili e dëshmoi talentin e tij me trilerin e Ryan Reynoldsit, "Buried", sjell një nivel të mjaftueshëm të frikës, sa për ta mbajtur situatën e tendosur. Skenari, i shkruar nga Mike Goldbach dhe Chris Sparling, përmban edhe një nivel të humorit jo aq të theksuar në dialog dhe personazhe, ku femrat e reja manifestojnë personalitete të dalluara, të cilat i bëjnë ato më shumë sesa numra të thjeshtë. Elementet teknike janë të dorës së parë, duke filluar nga kinematografia e shkëlqyeshme e Jarin Blaschke-s (The Witch), e deri te muzika e Victor Reyes, e cila na rikujton filmat klasikë të tmerrit "Hammer", të viteve '60 dhe '70. Thurman është një drejtoreshë imponuese, e cila të tjerëve iu referohet si 'maskara'; Robb e bën Kitin rebele befasisht të dashur; dhe Moroles gati vjedh filmin, me rolin e Veronicas. Me produksion nga Stephenie Meyer nga "Twilight fame", filmi "Down a Dark Hall" mund të pritet që të preferohet nga ai grup i shikuesve të adoleshenteve. Regjinë e filmit e ka bërë Rodrigo Cortes; skenarin e kanë shkruar Mike Goldbach dhe Chris Sparling; derisa rolet i luajnë AnnaSophia Robb, Uma Thurman, isabelle Fuhrman, Victoria Moroles, Noah Silver, Taylor Russell, Rosie Day, Rebecca Front, Jodhi May dhe Pip Torrens.

(Kosova Sot)