Arti, kataklizmi bombastik i shpirtit

  • 19 August 2018 - 17:03
Arti, kataklizmi bombastik i shpirtit

SHKRUAN: BISLIM ALIU

Arti si ndjesim është fshehtësi. Ndaj, kërkon qartësim dhe konkretizim. Ai është një "kataklizëm bombastik" i shpirtit. Atë e ndjejnë dhe e përjetojnë vetëm krijuesit e mirëfilltë. Ky ndjesim i lartë artistik të bren dhe të shqetëson shpirtërisht. Ky shqetësim do të jetë më i madh, nëse ndihet në mënyrë intuitave. Andaj, arti si fshehtësi duhet të analizohet, të përjetohet dhe të sfidohet shpirtërisht. Syri me përvojë artistike, e sheh edhe atë që s'është perceptim vizual, por që është shprehje dhe ndjesi intuitive. E, syri pa përvojë s'e pranon atë që se sheh. Nuk e analizon dhe nuk e përjeton shpirtërisht. Andaj, kjo për të është e pakuptueshme. Ky e pranon vetëm atë, që e sheh duke mos u futur në analizën shpirtërore dhe rrëfimin e veprës që e shpërfaq krijuesi. Andaj arti si fshehtësi don analizë të thuktë dhe përjetim të thellë shpirtëror në domethënien e veprës që e ka shpërfaq piktori. Andaj, këtë ndiesim shpirtëror, do ta shpërfaq krijuesi (piktori) nëse në ndërdijen e tij do të kërkojë që të rrëfehet në mënyrën më të lartë të kreativitetit konkretizues në veprën artistike. 

KUSH DO TA NDJEJË MË LEHTË ARTIN SI FSHEHTËSI?

Zakonisht, artin si fshehtësi, e ndiejnë vetëm ata krijues që kanë shije të lartë estetike. Ata që dinë të komunikojnë dhe të analizojnë të bukurën. Mirëpo, këtë fshehtësi, nuk e ndiejnë ata që nuk dinë të komunikojnë me këtë gjuhë specifike. E, si shembull i kësaj fshehtësie, mund ta marrim pikturën "Mona Liza" (1505)të Leonardo da Vinçit. Buzëqeshja e saj është enigma. Është fshehtësi e pathënë. Pra, në çka mendon Mona Liza? Sigurisht, varet nga ajo se në çka mendojmë ne gjersa atë e shikojmë. E, kjo fshehtësi e treguar në atë buzëqeshje enigmatike është aq e thellë dhe aq e dendur saqë mendësisht dhe shpirtërisht të përvetëson të tërin. Gjithsesi, arti si fshehtësi, nuk mund të zbulohet lehtë. Ai, kërkon angazhim maksimal dhe dridhje shpirtërore. Arti është dramë. Është një "kataklizëm" që të dridhë dhe të shqetëson. E dridh shpirtin dhe mendjen njëkohësisht. Ai krijohet si dridhje (lëvizjet e gogut), si klithje (kuajt e "Guernikës" së Pikasos, si dritëhije Portretet e Rembrantit). Arti lind si dhembje që e prek dhembjen shpirtërore. E kjo dhembje, më së miri vërehet në portretet e Van Gogut. Duke e analizuar portretin "Autoportreti me vesh të prerë" (1889), do të shohim qartas këtë gjendje shpirtërore, pse siç thotë: "dhembjen time të madhe, lotët e mi dhe zemrën time të sakatosur". Pra, do të shohim gjymtimin e tij, lotët e tij, gjakun e tij. Dhe me atë gjak e bëri autoportretin e vet. E, më vonë e bëri edhe një autoportret tjetër. Andaj, në historinë e artit, këto dy autoportrete, hyjnë si autoportrete më prijetare që janë krijuar nga dhembja. Ç'e shtyri këtë artist ta gjymtojë vetën? Çmenduri e tepruar apo morali e ndërgjegjja? Andaj, a s'është kjo një fshehtësi e dhembjes dhe një katarzë e lartë shpirtërore dhe morale. Apo, a s"është kjo një nostalgji e dhembjes shpirtërore? Ai u sakatos nga ky rrëfim idilik. Ai u brymos nga gjendja shpirtërore e vetmisë. Dhe, në fund iku në përjetësi. Andaj, kush mundi dhe kush diti më dhembshëm se ai ta paraqesë gjendjen shpirtërore dhe psikologjike? Van Gogu mbeti i veçantë në katandisjen e agonisë të sakatosur dhe në anën tjetër, mbeti i brymosur në paraqitjen e dhembjes së idilizmit shpirtëror.

MT: KËND E PREK MË SHUMË KY NDJESIM ARTISTIK?

Dihet mirëfilli, se arti si fshehtës dhe ndjesi, është një pikëpyetje, që e prek esencën e kuptimit të tij. E, sigurisht, për ta njohur këtë esencë, duhet analizë e thuktë dhe kuptohet, një drithërimë e lartë shpirtërore. Andaj, arti është një vërtetësi e lartë e njeriut që lufton vazhdimisht për lirinë e vet shpirtërore. Zaten këtë "liri" të dhembjes shpirtërore e vërejmë jashtëzakonisht bukur edhe në veprën omonime të Tahir Emrës "Elegji për Kosovën' (2001). Në këtë vepër shihet dhembja e lartë shpirtërore e piktorit, për ta paraqitur gjithë atë masakër dhe dhunim shtazarak që ka bërë Serbia në popullin shqiptar. Piktori Emra këtë e paraqet në mënyrën më bashkëkohore. Ai me këtë shpërfaqje fenomenale arriti që shpërfaqja e tij të jetë piedestale dhe tejet sensitive e ndjesore. Andaj, vetëm ai diti dhe mundi ta paraqesë këtë barbari të nacionalizmit serb. Artin si fshehtësi mjaft bukur e vërejmë edhe në veprën omonime "Guernika" të Pablo Pikasos. Kjo vepër konsiderohet si vepra më domethënëse e piktorit Pikaso. Në te piktori e paraqet vrazhdësinë e dhunshme të diktatori Franko në popullatën spanjolle. Kjo masakër e shpërfaqur me dhembje të lartë shpirtërore, e bëjnë Pikason njërin nga piktorët më të frytshëm në botë. Zaten, këtë "kataklizëm bombastik" dhe këtë drithërimë të lartë shpirtërore e ndiesore, mund ta kenë vetëm krijuesit e mirëfilltë. Krijuesit që kanë sens, rezonancë dhe sensibilitet të lartë kreativ, shpërfaqje ndiesore dhe komunikim me idealizëm dhe kreativitet përmbajtësor. Vetëm ata mund ta tregojnë të bukuren artistike dhe fshehtësinë e artit. Kjo është ajo drithërorja dhe fshehtësia artistike, e cila vazhdimisht e bren krijuesin dhe nuk e lë asnjëherë të qetë. Sigurisht, krijuesi, këtë fshehtësi kreative, artistike dhe estetike e koncepton në formë dhe në përmbajtje. Ndaj, këto dy forma kreative janë esenciale për një vepër të mirëfilltë artistike. Kuptohet, forma e paraqet formën e jashtme të veprës artistike, ndërsa përmbajtja, e paraqet formën e brendshme të veprës artistike. Andaj, në përgjithësi, arti i krijuesve artistikë, që artin e konsiderojnë si fenomen të krijimit të lartë shpirtëror e ndiesor, është pa dyshim, një vërtetësi e fshehur artistike. Kjo fshehtësi e kreativitetit të lartë artistik, është pa mëdyshje, një drithërimë e lartë prekëse dhe pse jo, një nostalgji e idilizmit të lartë ndiesor e shpirtëror. Arti si fshehtësi është një brengë e madhe, kreative, ndiesore dhe një brengë e idealizmit të lartë përmbajtësor. Kjo brengë ndjesore, sigurisht dhe në vazhdimësi, të bren, të shqetëson dhe, përherë, nuk të lë të qetë; sa shpirtërisht, aq edhe mendërisht dhe artistikisht…

 

(Kosova Sot)