Scarlett Johansson rrëzon nga froni Angelina Jolie-n

  • 21 August 2018 - 08:49
Scarlett Johansson rrëzon nga froni Angelina Jolie-n
Johansson arrin që të bëhet aktorja më e paguar e vitit, me një fitim marramendës prej 40.5 milionë dollarësh 

Sivjet Johanssonit i shkoi për dore që të fitojë 40.5 milionë dollarësh. Kjo bën që ajo të jetë shumë përpara Angelina Jolies, e cila zuri vendin e dytë, me 28 milionë dollarë. Pesëshen e parë të listës e përmbyllin Jennifer Aniston, Jennifer Lawrence dhe Reese Witherspoon 

Muajve të fundit Scarlett Johansson është përfshirë në disa kontroverse, por si duket ato nuk kanë ndikuar në xhepin e saj. Ylli i filmit "Avengers", e cila së fundmi u tërhoq nga një rol transseksual, pas një zhurme të madhe, gjendet në krye të listës së përpiluar nga revista amerikane "Forbes", të aktoreve më të paguara në vitin 2018. 

JOHANSSON, SHUMË PARA ANGELINA-S Sivjet Johanssonit i shkoi për dore që të katërfishonte fitimet e saj, të cilat janë llogaritur nga qershori i vitit 2017 deri në qershor të vitit 2018 - duke arritur në një shumë të përgjithshme prej 40.5 milionë dollarësh. Kjo bën që ajo të jetë shumë përpara Angelina Jolies, e cila zuri vendin e dytë, me 28 milionë dollarë. Pesëshen e parë të listës e përmbyllin Jennifer Aniston, Jennifer Lawrence dhe Reese Witherspoon. Kjo është përfshirja e parë e Johanssonit në këtë listë, që nga viti 2015, në një pjesë të madhe falë pagës së majme për rolin e Vejushës së zezë (Black Widow) në filmin e ardhshëm të franshizës "Avengers". Dhe, gjatë ditëve, javëve, muajve dhe viteve në vijim, emri i Johanssonit do të vazhdojë që të jetë i pranishëm. Aktorja pritet që ta marrë një pagë rekorde bazë prej 25 milionë dollarësh, për filmin "spin-off" "Black Widow", i cili aktualisht është në para-produksion. Rroga e saj do të jetë më e madhja që ka marrë ndonjë aktore për ndonjë rol filmik. Përpos kësaj, Johansson ka mundësi që të marrë edhe 6 milionë dollarë të tjerë, nëse filmi në fjalë fiton më shumë se 900 milionë dollarë nga shfaqja në mbarë botën. 

JENNIFER ANISTON FITON 19.5 MILIONË DOLLARË Edhe Jolie kishte vite që mungonte nga kjo listë e "Forbes"-it, prej se ishte përqendruar te regjia dhe puna humanitare. Ajo sivjet arriti që të renditej e dyta në listë, falë parave që mori për rolin në vazhdimin e filmit "Maleficent". Edhe pse Jennifer Aniston vitin e kaluar u paraqit vetëm në një film, "The Yellow Birds", ylli i serisë "Friends" megjithatë arriti që të fitonte 19.5 milionë dollarë. Jennifer Lawrence ishte aktorja më e paguar për dy vite me radhë, 2015 dhe 2016, por në mungesë të filmit "Hunger Games", pozita e saj në listë ka vazhduar rënien. Ajo arriti që të mbetej edhe sivjet në listë, kryesisht falë rolit të saj të ardhshëm në "X-men", por edhe si rezultat i një kontrate të majme me kompaninë "Dior. Reese Witherspoon është kthyer në top 10 pas një viti pauzë, duke fituar 16.5 milionë dollarë në këtë vit.

(Kosova Sot)