Gara midis kompanisë së vogël dhe konglomeratit të madh

  • 18 September 2018 - 17:15
Gara midis kompanisë së vogël dhe konglomeratit të madh

Plani i Vincentit është që të gjejnë investitorë për një kabllo të fibrave optike, e cila do të shtrihej në vijë të drejtë - nëpërmes mijëra pronave, si dhe parqeve, liqeneve dhe maleve - nga Kanzasi deri në Nju Xhersi, gjë që do ta rriste shpejtësinë e bartjes së të dhënave

Dy kushërinj nga Nju Jorku duan ta konstruktojnë një kabllo të fibrave optike, të gjatë me mijëra kilometra, e cila shtrihet në një vijë të drejtë nga Kanzasi deri në Nju Xhersi, në filmin e regjisorit Kim Nguyen me titull "The Hummingbird Project". Pas nominimit për Oskar që mori në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, me filmin "War Witch", regjisori francez-kanadez ka bërë vetëm projekte anglofone, duke bërë skenarin dhe regjinë e filmave "Two Lovers and a Bear", me Dane DeHaan dhe "Eye on Juliet", me Joe Cole. Për dallim nga këta filma, Nguyen tani duket se ka ambicie më të mëdha, duke angazhuar emrat si Jesse Eisenberg dhe Alexander Skarsgard, të cilët në film janë kushërinj, si dhe një ngjarje e cila është sa specifike, po ashtu edhe film i kohëve tona të çmendura, në të cilat jetojmë.

Antoni është një gjeni asocial

Edhe pse një film i këtillë mund të shkaktojë konfuzion domethënës për disa shikues, ai paraqet një hap në drejtimin e duhur për regjisorin Nguyen. Anton Zaleski (Skarsgard) dhe kushëriri i tij më i ri, Vincent Zaleski (Eisenberg), vijnë në SHBA nga një familje nga Rusia. Ata përbëjnë një ekip të mirë, pasi që Anton është një gjeni asocial, derisa Vincent është një njeri i gjallë, i cili mund të shes thuajse çkado, kujtdo, i cili shpesh i sheh mundësitë para se ato t'i shohin të tjerët. Për këtë shkak Vincent vendos që të dy ata ta lënë punën te Eva Torres (Salma Hayek), shefja perandorake e një kompanie tregtare me frekuencë të lartë, ku çdo milisekondë përpara konkurrentëve, mund t'i sjellë kompanisë miliona.

Gjëja e vetme e paqartë nga vijnë të hollat

Plani i Vincentit është që të gjejnë investitorë për një kabllo të fibrave optike, e cila do të shtrihej në vijë të drejtë - nëpërmes mijëra pronave, si dhe parqeve, liqeneve dhe maleve - nga Kanzasi deri në Nju Xhersi, gjë që do ta rriste shpejtësinë e bartjes së të dhënave. Derisa Vincent bisedon me pronarët e tokave, kontraktuesit dhe shpuesit, Anton rri i mbyllur në një dhomë të errët hoteli, duke vrarë mendjen rreth arritjes së përparësisë ndaj konkurrentëve. Gjëja e vetme e paqartë, në fillim të filmit, është se nga ku vijnë të hollat, meqë investitorët dalin në dritë në gjysmën e dytë të filmit. Pjesa më interesante dhe më e mirë e filmit "The Hummingbird Project" ka të bëjë me garën e llojit të vet midis kompanisë së vogël, të re të Antonit dhe Vincentit dhe konglomeratit të madh, të kryesuar nga ish shefja e tyre. Por, filmi "The Hummingbird Project", me një ngjarje që zhvillohet viteve 2011 dhe 2012, nuk ka për qëllim vetëm të na argëtojë, por dëshiron të jetë edhe dramë. Edhe në këtë fushë regjisori kryesisht arrin sukses. 

 

(Kosova Sot)