Robert Redford nuk pensionohet, merret me regji dhe produksion

  • 25 September 2018 - 07:54
Robert Redford nuk pensionohet, merret me regji dhe produksion
Nga fillimi i karrierës e kishte kuptuar se nuk duhej të involvohej në politikë

Redford pranon se, në fillim, njerëzit ndoshta e pëlqenin më shumë për shkak të pamjes së bukur, sesa për shkak të talentit, gjë që atë e kishte habitur, meqë ai veten deri atëherë nuk e kishte konsideruar kushedi sa të pashëm

Ë shtë legjendë e Hollivudit. Por, përkundër famës, pjesën më të madhe të jetës ai e ka kaluar në vende me më shumë gurë sesa njerëz, sikur që është edhe rançi i tij në periferi të Santa Fe-së, Nju - Meksiko. "Mund të shihni pse kjo ka pasur ndikim te unë", thotë ai. "Kur e pashë këtë dhe kuptova se një pjesë e madhe e Amerikës dukej ashtu dikur. Por, tani një gjë e tillë është gjithnjë e më e rrallë. Prandaj, mendova, pse të mos e blej një copë tokë këtu dhe ta ruaj atë pamje?" Dashuria e tij ndaj natyrës është tipike për të, aq sa janë edhe flokët e tij të bartura nga era. Por, ndoshta është një skenë nga njëri ndër filmat e tij më të njohur, "Butch Cassidy & the Sundance Kid", e cila më së miri përmbledh atë se si Redford e ka jetuar jetën e tij: Sundance Kid, gjuajtës me revole: "A mund të lëvizë? Man: "Të lëvizësh? Çka dreqin dmth të lëvizësh?" Sundance gjuan, godet cakun. Sundance Kid: "Jam më i mirë kur lëvizi". Kur pyetet aktori se a është kjo e vërtetë edhe në jetën e tij reale, ai përgjigjet pozitivisht. "Më pëlqen lëvizja, gjithmonë më ka pëlqyer" 

Në filmin "The Old Man & the Gun" ai luan rolin e një plaçkitësi të plakur
Në moshën 82 vjeçe, ai thotë se ka ardhur koha që të 'lëvizë' nga aktrimi. "E kam të vështirë ta them këtë. Askujt nuk i pëlqen që të flasë rreth fundit, por nuk mund të vazhdoj me aktrim deri në pafundësi. Këtë punë e bëj që nga mosha 21- vjeçare. Kur njeriu mbush të 80-tat, thotë mjaft më". Nuk bëhet fjalë saktësisht për pensionim. Ai do të vazhdojë që të merret me regji dhe me produksion. Por, sa i përket performancës në ekran të madh, ai thotë se ka ardhur koha për t'u larguar. Roli i tij i fundit ofron një mundësi tjetër që ai ta demonstrojë sharmin dhe buzëqeshjen ironike. Në filmin "The Old Man & the Gun" ai luan rolin e një plaçkitësi të plakur të bankave në ikje e sipër. Ngjarja bazohet te një njeri nga jeta reale, Forrest Tucker, i cili filloi të plaçkitë banka në fund të viteve 1930, derisa ishte adoleshent dhe nuk u ndal kurrë. "Nuk është vetëm se kjo është një ngjarje e vërtetë, por unë mund të lidhem me të shumë mirë, për shkak të tërë idesë së një krimineli", thotë Redford. "Mendoj se, me gjasë, duhet të kem lindur me një sensibilitet ndaj kriminelëve, gjë që ka të bëjë me natyrën time. Për shkak se, prej se isha fëmijë i vogël, gjithmonë doja t'i shkelja rregullat. Nuk është edhe aq që doja t'i thyeja ato, thjesht nuk doja që të më kufizonin rregullat dhe ligjet. Derisa isha në kopsht, tri herë kam ikur"! Ka lindur në Santa- Monika, Kaliforni, afër Hollivudit, por nuk kishte interesime për një karrierë në film. "Jam rritur në një lagje të ashpër. Shkonim në projeksionet e vona të filmave, sa herë që kishte ndonjë skenë e dashurisë. Por, papritmas më lindi dëshira që unë të isha në vendin e aktorit. Kjo në fillim ishte e tepër për mua". Redford shumë shpejt kuptoi se kishte një karizëm të madhe dhe se kamera, thjesht, 'e donte' atë. I pyetur pse, në një rast, kishte thënë se kishte frikë nga suksesi, Redford përgjigjet: "Mendoj se suksesi është thikë me dy tehe. Doni të jeni afër tij, por jo edhe ta përqafoni, apo të vallëzoni tepër për së afërmi".

Filloi që të merrej me regji, kur mori çmimin Oskar
Redford pranon se, në fillim, njerëzit ndoshta e pëlqenin më shumë për shkak të pamjes së bukur, sesa për shkak të talentit, gjë që atë e kishte habitur, meqë ai veten deri atëherë nuk e kishte konsideruar kushedi sa të pashëm. Redford luajti në hite të mëdha, hit pas hiti, por shumë nga ata filma ai kurrë nuk i kishte shikuar. Redford e shpjegon këtë gjë duke thënë se i dukej se ishte tepër i preokupuar me veten, po ta shikonte çdo film që bënte, prandaj kur do të vinte puna për të bërë diçka të re, ai nuk do të mundej. Por, ai na habitë kur thotë se, në fakt, shumica e filmave të tij nuk i pëlqejnë. "Kjo është për shkak se i bën gjërat dhe, duhet të lëvizësh tutje, përpara", thotë ai. Ai filloi që të merrej me regji, kur mori çmimin Oskar për filmin "Ordinary People". Ai ishte producent dhe aktor në filmin "All the President's Men". Redford tregon se, që nga fillimi i karrierës, kishte kuptuar se nuk duhej të involvohej në politikë, apo të mbështeste ndonjë politikan, meqë këta të fundit krejt çka donin nga ai, ishte vetëm t'i joshte masat e njerëzve që të votonin për ta. Atij i pëlqen që ta citojë thënien e T.S. Eliot: "'Ne vetëm duhet të përpiqemi. Pjesa tjetër nuk është punë për ne". "Kurrë nuk mund të garantoni se ku do t'ju çojë përpjekja", thotë ai.

(Kosova Sot)