RRITEN GJOBAT NË 300 PËR QIND PËR BOTUES NEGLIZHENTË

  • 13 October 2018 - 10:09
RRITEN GJOBAT NË 300 PËR QIND PËR BOTUES NEGLIZHENTË
SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Në këtë kolumne do të merremi vetëm me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat. Sipas faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, propozuesi i këtij projektligji është Qeveria. Sikur është bërë tashmë praktikë parlamentare, projektligji shëtitet në duart e deputetëve të komisionit përgjegjës parlamentar, përkatësisht Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi. Pas shqyrtimit pa ndonjë vërejtje serioze, më 8 tetor, ky komision kërkoi miratimin në parim të këtij projektligji. Ky projektligj sikur edhe të tjerët, kalon dhe shoqërohet me: memorandumin shpjegues, deklaratën për vlerësimin e ndikimit financiar, deklaratën për përafrimin dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së dhe opinionin ligjor. Për të qenë edhe më të informuar dhe pa konfuzion, që në fillim, duhet të theksojmë se Ligji aktual i miratuar në vitin 2012 në Kuvendin e Kosovës, parashihte ndarjen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në dy biblioteka: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, nën përgjegjësinë menaxhuese nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Prishtinës, të menaxhuar nga Universiteti Publik "Hasan Prishtina" në Prishtinë, që rrjedhimisht i bie edhe MASHT-it. E themi këtë, pasi brenda ligjit dhe projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e tij, gjobat janë kryesisht për çështjet që lidhen për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Më poshtë, ne kemi ndarë detajisht pesë paragrafët e nenit 25, që është ndryshimi dhe plotësimi i vetëm që parashihet me këtë projektligj të përgatitur për Kuvend.

1. PËRDORUESI QË NUK E KTHEN APO E DËMTON MATERIALIN BIBLIOTEKAR
Përmes këtij projektligji, kërkohet të ndryshohet neni 25 mbi dispozitat ndëshkimore dhe gjobat. Paragrafi 1 i projektligjit të mësipërm specifikon: "Me gjobë prej njëqind (100) euro deri pesëmijë (5.000) euro dënohet për kundërvajtje përdoruesi që nuk e kthen, e dëmton, tjetërson ose e asgjëson materialin bibliotekar ose në ndonjë mënyrë tjetër shkel rregullat e përdorimit të materialit bibliotekar, ndërsa personi juridik nga pesëqind (500) euro deri në njëzetmijë euro (20.000) euro." Ndërsa me Ligjin për Bibliotekat i miratuar në vitin 2012, paragrafi 1 i nenit 25, përcaktohej më pak kjo gjobë: "Me gjobë prej njëqind (100) deri njëmijë (1.000) Euro dënohet për kundërvajtje përdoruesi që nuk e kthen, e dëmton, tjetërson ose e asgjëson materialin bibliotekar ose në ndonjë mënyrë tjetër shkel rregullat e përdorimit të materialit bibliotekar." Dallimet janë se, Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat, kërkon rritjen e gjobave nga 100 deri në 5 mijë euro, ndërsa me ligjin aktual është prej 100 deri në 1 mijë euro. Për 4 mijë euro, kërkohet të rritet gjoba për kundërvajtje për përdoruesit që nuk e kthejnë, e dëmtojnë, tjetërsojnë ose e asgjësojnë materialin bibliotekar, ose shkelin rregullat e përdorimit të materialit bibliotekar. Një dallim tjetër është se, me ligjin aktual, nuk diferencohej lloji i përdoruesit dhe shkalla e gjobës, ndërsa me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat, ndahet përdoruesi fizik nga personi juridik, rrjedhimisht gjoba për personin juridik sillet prej 500 deri në 20 mijë euro. Me Ligjin për Bibliotekat në vitin 2003, gjobat për këto raste, ishin nga 100-1000 euro.

2.DREJTUESI I BIBLIOTEKËS
Me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat, paragrafi 2 i nenit 25, kërkohet si në vijim: "Me gjobë prej dyqind (200) euro deri dymijë (2000) euro dënohet për kundërvajtje drejtuesi i bibliotekës nëse nuk ia dërgon Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të dhënat e duhura." Ndërsa me ligjin aktual, dënohet nga 200-500 euro, që rezulton se 1500 euro më pak nga gjoba maksimale që parashihet me projektligjin e nisur për Kuvend. Me Ligjin për Bibliotekat në vitin 2003, gjobat po ashtu silleshin për drejtuesin e bibliotekës, prej 200-500 euro.

3.GJOBA NDAJ BOTUESIT APO SUBJEKTIT QË NUK DËRGON EKZEMPLARIN E DETYRUESHËM
Me paragrafin 3 të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat, parashihen rritje të gjobës për botuesin, përkatësisht subjektin që nuk e kryen obligimin e dërgimit të ekzemplarit të detyrueshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Nga 500 deri në 1 mijë euro sa është me ligjin aktual, me projektligjin që është në proces të dërgimit për miratim në Kuvendin e Kosovës, parashihet që të rritet gjoba maksimale për 19 mijë euro më shumë, përkatësisht nga 500 euro deri në 20 mijë euro. Me ligjin shumë të hershëm në kohën e UNMIK-ut, të miratuar në vitin 2003 nga Kuvendi i Kosovës, me nenin 39, paragrafin 1, rregullohej në këtë mënyrë: Në afat prej 30 ditësh nga dita e botimit, çdo person ose subjekt që boton publikime që i dedikohen shfrytëzimit publik, detyrohej që 5 kopje të botimit, t'ia dërgonte Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe nëse nuk e bënte këtë botuesi, detyrohej shtypshkronja. Ndërsa gjoba që parashihej për botuesin apo shtypshkronjën që nuk ia dërgonte Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sillej prej 200-1000 euro. Pra, në vitin 2003, gjoba maksimale ishte 1 mijë euro, ndërsa në vitin 2012, gjoba maksimale nuk lëvizi, ndërsa ajo minimalja ndryshoi nga 200 në 500 euro, kurse me projektligjin që është rrugës së miratimit, gjoba minimale skijon nga 200 në 500, ndërsa ajo maksimale rrëshqet deri në 20 mijë euro. Prej vitit 2003-2012, ndryshoi ndëshkimi për 300 euro më shumë, ndërsa prej vitit 2012-2018, u rrit për 19 mijë euro.

4. GJOBA NDAJ PERSONIT PËRGJEGJËS TË BIBLIOTEKËS SË SEKTORIT PUBLIK
Me Ligjin aktual për Bibliotekat, me paragrafin 4 të nenit 25, përcaktohet si në vazhdim: "Me gjobë prej dyqind (200) deri njëmijë e dyqind (1.200) Euro dënohet për kundërvajtje personi përgjegjës i bibliotekës së sektorit publik i cili nuk ia dërgon Bibliotekës Kombëtare të Kosovës listën e koleksioneve të bibliotekës të cilat janë nxjerrë nga përdorimi apo listën e koleksioneve të bibliotekës që ka pushuar së funksionuari." Ndërsa me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat, kjo gjobë maksimale rritet për 800 euro më shumë. Tash gjoba shkon prej 200 euro deri në 2 mijë euro, ndërsa me Ligjin më të vjetër të vitit 2003, gjoba ishte prej 200-1200 sikur me Ligjin e vitit 2012.

5. PERSONAT QË POSEDOJNË DHE NUK E NJOFTOJNË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TË KOSOVËS
Paragrafi 5 po ashtu kërkohet të ndryshohet me projektligjin në proces të miratimit parlamentar. Me ligjin aktual, ndëshkohej si më tutje: "Me gjobë prej pesëqind (500) deri pesëmijë euro (5.000) Euro dënohen për kundërvajtje personat që posedojnë materiale bibliotekare me rëndësi për trashëgiminë kulturore të cilët nuk e njoftojnë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për tjetërsimin e tyre." Ndërsa me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Bibliotekat rritet sërish gjoba: "Me gjobë prej pesëqind (500) euro deri dymijë (2.000) euro dënohen për kundërvajtje personat fizik që posedojnë materiale bibliotekare me rëndësi për trashëgiminë kulturore të cilët nuk e njoftojnë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për tjetërsimin e tyre, ndërsa personat juridik dënohen nga njëmijë (1.000) euro deri në njëzetmijë (20.000) euro." Edhe këtu siç e vërejmë, ndahen gjobat për personat fizik dhe personat juridik, ndërsa me ligjin aktual, nuk bëhen dallime fare në gjoba. Sipas Projektligjit për Ndryshim dhe Plotësim…, gjoba maksimale për personat juridik, rritet maksimalisht për 15 mijë euro. 

KRITIKAT NDAJ PROJEKTLIGJIT
Masat ndëshkimore që përcillen me rritje prej 300 përqindësh janë për brengosje në shumicën e rasteve. Natyrisht se gjoba më së shumti që bie në sy, nëse do të miratohet Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit aktual për Bibliotekat, është kjo që lidhet me detyrimin për të dërguar kopjet e detyrueshme të botimeve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Gjobat e tilla kalojnë deri në 20 mijë euro, diçka për të cilën nuk pajtohemi. E dimë saktësisht rëndësinë e dërgimit të çdo botimi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sepse kjo nuk lejon neglizhencën dhe pakujdesinë, e cila do të ndikonte në rënien e regjistrimeve të cilitdo botim në Kosovë. Për të gjithë studiuesit, shkrimtarët, gazetarët, kronistët e kohës etj., do të ishte e mirëseardhur, siguria shtesë e depozitimit dhe regjistrimit të çdo botimi të Kosovës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, por gjoba apo shkalla e ndëshkimit, nëse e shohim statusin e ulët social dhe ekonomik të shkrimtarëve, autorëve, botuesve etj., është mjaft e lartë, ekstreme. Ka shumë shkrimtarë që botojnë libra, ia japin 20, 30, 50 apo më shumë euro një botuesit, vetëm për ta shënuar emrin e ndonjë shtëpie botuese, për të marrë kodin, CIP-in etj., por shumë prej tyre, nuk fitojnë prej librit sa menduakemi. Madje, shumica prej tyre, nuk fitojnë asgjë dhe janë mësuar ta shpërndajnë falas librin. Sidoqoftë, nëse do të bëhej një fushatë më e madhe për këtë ndryshim të shkallës së ndëshkimit dhe gjobës, atëherë edhe do të arsyetohej disi, por kjo shumë aq e madhe, duke marrë parasysh edhe mungesën e fushatave më informuese për rritjen e gjobave, do t'i zërë në befasi shumë botues të ekzemplarëve. Gjobat e tilla, që rriten skajshmërisht edhe deri në 300 përqind, janë të rënda për botuesit kosovarë. Librat nuk shiten apo blihen aq në Kosovë dhe në shumë vende të tjera të botës. Libri është në krizë të madhe financiare. Autorët dhe botuesit janë po ashtu në skamje të madhe. Në këtë realitet kosovar, të shumë shkrimtarëve dhe botuesve të varfër, kjo gjobë për një neglizhencë apo harresë të dërgimit të ekzemplarit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, deri në 20 mijë euro, është çmim thuajse astronomik, me shumë zero të çuditshme. 

(Kosova Sot)