Një realitet i historisë sonë të dhembshme...

  • 14 October 2018 - 10:05
Një realitet i historisë sonë të dhembshme...

SHKRUAN: TAHIR BEZHANI 

Hysen Berisha, tanimë krijues i njohur për lexuesit anekënd vendit tonë e jo vetëm, si në prozë, poezi, dramë etj., këto ditë lexuesit ia dhuroi edhe një libër, roman, i cili ngërthen brenda faqeve te tij, një periudhë kohore mjaft të vështirë e sfiduese, në luftën e fundit,për liri e pavarësi. Autori i romanit më të ri,"Gurana", ia ka dalë në mënyrë të shkëlqyer që ta paraqesë ngjarjen si realitet të kohës me të gjitha elementet sfiduese, duke vënë në lëvizje shumë protagonistë në vepër, përmes të cilëve pasqyron realitetin,sfidat e një populli në një luftë të pabarabartë për lirinë e tij. Guximi, trimëria, qëndresa, janë disa cilësi të një populli të paepur në vështirësi, kur atij i mungon liria. Ndërsa,represaliet e armikut, djegiet, dhunimet ,vrasjet e fëmijëve, pleqve, plakave, deri në gjenocid, janë pasqyra e një barbari të kohëve moderne,i cili nuk e ka guximin e luftës së vërtetë,por qyqarin e dobësitë gjenetike për të dëmtuar njerëzit e pafajshëm,të paarmatosur,me qëllim të krijimit të tmerrit në masat e gjëra. Romani "Gurana"është libër që lexohet me një frymë, nuk të le kohë tjetër pa e mbaruar, për faktin se ngjarja është e kompozuar në një simetri radhitëse, plot ngjarje tronditëse e kthesa të papritura saqë lexuesin e mban të sensibilizuar në çdo moment. Pos mjeshtërisë autoriale,një meritë e pamohueshme i takon edhe redaktorit të këtij romani, z.Lulzim Logu,i cili si profesionist ka ndikuar në cilësinë e leximit të këtij romani.

HYSEN BERISHA, "GURANA",ROMAN

Autori Hysen Berisha, ish- mësues në vendlindjen e tij, tani edhe në diasporë, në Norvegjinë e largët, përherë e gjithë jetën ka qenë, është dhe mbetet ngushtë i lidhur me Kosovën,duke frymuar sa i brengosur e sa i gëzuar me ecejaket e kësaj toke.

PËRGJONIN ARMIKUN DHE LËVIZJET E TIJ, DITËN E NATËN

Kronika e romanit fillon me ngjarjet e rënda në fillim lufte, atëherë, kur qytetarët e Kosovës përgatiteshin për ta mbrojtur pragun e shtëpive të veta. Takoheshin mbrëmjeve padiktueshëm vendeve të tyre, te Dardha Plakë, Dardha e Shenjtë e fshatit Guranë. Përgjonin armikun dhe lëvizjet e tij, ditën e natën. Një ditë sulmohet fshati nga policia serbe dhe paramilitarët e tyre dhe në hyrje të fshatit vrasin një shurdhmemec,i cili kalonte rrugës drejt shtëpisë së tij. Forcat serbe duke e menduar të "rrezikshëm",kur ai nuk ndalet,hapin zjarr për vdekje. Në këtë moment,qytetarët e Guranës, mirë të organizuar në pusitë e tyre,hapin zjarr të papritur nga forcat serbe dhe vrasin disa policë, të cilët synojnë fshatin për vrasje, plaçkitje e djegie. Duke përshkruar fillimin e një veprimi makabër nga forcat serbe dhe rezistencën e pashoqe të banorëve të Guranës, autori ngre në piedestal të mrekullisë rezistencën e banorëve,që nënkupton të popullit shqiptarë në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Autori i romanit "Gurana" nuk iu shmanget konfrontimeve të realitetit dhe ngjarjeve të luftës,ku ne mentalitetin e "ngujuar" brenda disa njerëzve,gjenden edhe persona antikombëtar,të cilët duke mos kuptuar realitetin e ngjarjeve,tradhtojnë me qëllim ose "pa qëllim",ndërsa vështirësitë rriteshin në rezistencën e popullit. Si të tillë, zoti Berisha e gjen Buzëkuqen me bashkëshortin e saj, Haxhi Shabanin,të cilët, gjenden kudo, duke përgjuar njerëzit e rezistencës, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj pylltari, si bashkëpunëtor i policisë serbe,jo vetëm se spiunon, por kryen dhunime ne femrat e fshatit. Llahtaria e luftës shkon deri aty sa forcat serbe, pos që kallin fshatin,kryejnë edhe përdhunime, ndajnë fëmijët nga prindërit. Ndjekjet e popullit ishin të parashikuara nga forcat serbe, si taktikë dhe metodë shfarosëse, ku populli mbërthehet në drejtim të Maqedonisë e Shqipërisë.

TEMATIKA DHE ARTISTIKJA E KOMPONUAR BUKUR

Tragjikja e luftës arrin deri në atë masë sa që në Bllacë të Maqedonisë, aty ku mjerimi "këndohet" me lot fëmijësh të pasosur,ndahen shumë familjarë, nënë e djalë, babë e bijë, vëlla e motër, për t'u takuar pas njëzet viteve në Norvegjinë e largët. Me imagjinatën e pasur të autorit të romanit "Gurana", si në balada ritakohen familjarët atëherë kur nuk e njihnin njëri tjetrin, pas 2o vitesh jete në botën perëndimore. Këtë fat e patën protagonistët Aldrini e Bora,vëlla e motër,të cilët luanin në një ushtrimore për festë të 28 Nëntorit, ku rastësisht, ndizen xixat e ndjesisë gjakësore dhe me ndihmën e të tjerëve,identifikohen dhe bashkohen si vëlla e motër. Ngjashëm e pati edhe Fatmira me Dinin,babë e bijë,por Dini ftohet nga Vojvodina, pas mbarimit të burgut në Nish,shkon si rrogëtar te një hungareze. Takohet buzë rruge me disa shqiptarë ,të cilët shkonin në perëndim. Si shkas ishte fyelli që i binte buzë rrugës, duke ruajtur bagëtinë e zotërinjve, në melodi shqip… Gjitha këto e shumë të tjera, përbëjnë atë katrahurën e një kohe të përgjakshme në Kosovë, e cila në historinë e njerëzimit le gjurmët e jetës dhe historinë e epokës së ngjarjeve njerëzore, ku luftohet të jesh apo mos të jesh më në sipërfaqen e tokës. Motivet e rinjohjes te romani "Gurana"i Hysen Berishës, nuk janë diçka e re në letërsinë tonë, janë pjesë e bartur nga baladat tona. Kësi shembujsh ka plot edhe letërsia evropiane,posaçërisht në kohën e Aushvicit. Romani "Gurana"përmban pasuri letrare, ku autori, në mënyrë artistike e plot realitet, ka paraqitur një luftë me sfida të një populli, pra popullit shqiptar, i cili me këmbëngulje luftoi për lirinë e pavarësinë e tij, që i mungoi me shekuj. Ky roman historik, është edhe një dëshmi letrare për nga tematika dhe artistikja e komponuar bukur. Ndër breza duhet të kujtohet lufta dhe sakrifica që bën një popull për t'u barazuar me popuj të tjerë liridashës. Hysen Berisha nuk heziton të jetë i ashpër në krijimin e marrëdhënieve gjatë e pas luftës, kur heton sjelljet jo korekte të disa bashibozukëve, të cilët dëmtojnë luftën me sjelljet e tyre. Lotët e të gjithëve janë të njelmëta, sepse burojnë nga ashti e dhimbja e shpirtit, por edhe gjaku një ngjyrë e ka. Prandaj duhet respektuar përjetësisht,të gjithë. Krejt në fund dua të them se autori i romanit "Gurana",z.Hysen Berisha,me librin e tij të shtatë, ka arritur të radhitet si njëri ndër letrarët e spikatur. Një krijues si Hysen Berisha,nuk i bën shërbim më të bukur vendit se sa t'i falë shpirtin e tij krijues përmes veprave letrare si në prozë apo poezi,e gjini të tjera. Kam bindjen se ky libër është edhe një pasuri për bibliotekat tona shkollore deri te ato universitare, si një kronikë objektive e luftës shikuar me syrin realist të një patrioti dhe dëshmitari real.

 

(Kosova Sot)