Veprat shqipe në japonisht, FALË ALBANOLOGUT ICHIRO IURA

  • 15 October 2018 - 16:42
Veprat shqipe në japonisht, FALË ALBANOLOGUT ICHIRO IURA

Studiuesi dhe albanologu i mirënjohur japonez, dr. Ichiro Iura, që pas hapjes së katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Hiroshimës, ka arritur që falë një pune shumëvjeçare të përkthejë e të botojë një sërë veprash dhe shkrimtarësh më në zë të letrave shqipe dhe t'i bëjë të njohura falë përpjekjeve të vazhdueshme për publikun japonez.

Vlerat e letërsisë shqipe

Kjo përbën jo vetëm një sukses, por edhe një tregues të pakundërshtueshëm për vlerat dhe rëndësinë që bart kjo letërsi në mozaikun dhe zhvillimet e letërsisë. Tashmë, kultura e shkruar shqipe, po shfaqet gjithmonë e më e plotë edhe në gjuhën japoneze. Veprat e përkthyera dhe të publikuara nga dr. Ichiro Iura, janë si Ismail Kadare: Dimri i vetmisë së madhe, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Endrra mashtruese, Përbindëshi, Nga një dhjetor në tjetrin, Dritëro Agolli: Kalorësi lakuriq, Xhevahir Spahiu: Pezull, Fatos Kongoli: I humburi,Ylljet Aliçka:Parullat me gurë, Betim Muço: Karusel, Betim Muço: L & M, Ermir Nika: Net mëkatarësh, Viktor Canosinaj: Meriyll.

Fjalori japonisht-shqip

Vlen të përmendet fakti se pas përkthimit të një fjalori japonisht-shqip, me rreth 1000 fjalë, apo përkthimit dhe botimit të romanit "Qyteti i fundit", të shkrimtarit të shquar shqiptar Petro Marko, si dhe botimi në japonisht i veprës së shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare, veçanërisht romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm për lexuesin japonez dhe, për më tepër, u vu re se kjo vepër kishte tërhequr interesin dhe vëmendjen kryesisht të gjeneratës së re, të përbërë nga nxënës e studentë dhe intelektualë të spikatur.

 

(Kosova Sot)