Biseda e Skënderbeut me Perandorin romak, Karl

  • 19 October 2018 - 14:56
Biseda e Skënderbeut me Perandorin romak, Karl
"Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve: bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit, mbret i Shqipërisë dhe i Epirit, dhe Karlit të Madh, perandor romak". Kjo është e vepra e shkruar nga abati Lorenzo Ignacio Thjulen në vitin 1816 dhe ribotuar në vitin 1832. Ajo është përkthyer nga Gemaj Kraja dhe vjen në gjuhën shqipe nga Botimet Françeskane. Arsyet se pse vepra u shkrua mbetet mjaft interesante edhe sot, kur ende rrekemi të gjejmë mënyra për të joshur të rinjtë drejt dijes. Ishte viti 1788, kur abatit Thjulen i ishte besuar detyra për të dhënë mësim shkrim e lexim në shkollat fetare të Bolonjës. Me keqardhje, ai vuri re se nxënësit kishin njohuri të pakta rreth gjeografisë dhe historisë. Për të ndryshuar këtë gjendje, mendoi t'u përgatiste atyre disa studime për mëkimin e njohurive në këto fusha, gjë që u realizua me miratimin e eprorëve të tij dhe me pëlqimin e të rinjve. Duke marrë për bazë autorët latinë, ai do të krijonte një përmbledhje të vogël të historisë antike dhe për këtë, mendoi kthimin pas në kohë, që nga perandori Kostandini i Madh. Abati hartoi edhe një përmbledhje tjetër me dy vëllime, ku shqyrtoheshin një sërë të dhënash gjeografike. Kjo e fundit mbeti e pabotuar, pasi, sipas tij, zhvillimet politike do të sillnin vjetrimin e saj në pak muaj.

(Kosova Sot)