PSE NUK PO KA ZBATIM EFIKAS LIGJI PËR SPONSORIZIME…?

  • 20 October 2018 - 12:23
PSE NUK PO KA ZBATIM EFIKAS LIGJI PËR SPONSORIZIME…?

Mungesa e përkushtimit serioz të deputetëve, për të dëgjuar grupet e ndryshme të interesit

Deri më tash, askush nuk i përmendi arsyet e plota pse po ka sfida në zbatimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturë, Rinisë dhe Sportit, e që nuk lidhen fare me keqkuptimet për 10 përqindëshin sipas Ligjit për Tatimin…, apo 20 e 30- përqindëshit të Ligjit për Sponsorizime…, por krejt në diçka tjetër L idhur me Ligjin për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), Kujtim Gashi, ishte gjatë kësaj jave edhe në një emision televiziv kosovar, bashkë me dy mysafirë të tjerë, por nuk dëgjuam ndonjë gjë të re

. Por, një gjë tjetër e re për një temë të vjetër e të stërlakuar, që ishte këto ditë nga ministri, ishte një koncept-dokument mbi teatrot e qyteteve, atë për të cilën kemi disa vjet me disa kolumne, që kërkojmë të paktën teatrot e qyteteve kryesore të Kosovës, të financohen dhe të ndihmohen direkt edhe nga MKRS-ja, sikur parashihej edhe me ligjin e vjetër të teatrove dhe kjo mbetet lajm i mirë, nëse do të zbatohet ky koncept-dokument i miratuar nga Qeveria.

Këtu përfshihet sipas informacioneve që janë dhënë deri më tash, që edhe aktorët rezidentë të këtyre teatrove, të kenë kushte më të mira e të hynë në listën e pagave, por akoma nuk e kemi parë të publikuar këtë koncept-dokument për ta komentuar më tutje, por vetëm se si është dhënë lajmi nga faqja zyrtare e ministrisë gjegjëse dhe mediet vendore: "Sot, në mbledhjen e Qeverisë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim koncept Dokumentin për Teatrot, dokument ky që nis procedurën për nxjerrjen e një politike të re sa i përket stabilitetit dhe funksionimit normal të teatrove nëpër komunat e Kosovës…

"[Lajmi i postuar më 16.10.2018, me titull: Qeveria e Kosovës miraton koncept dokumentin për Teatrot. Marrë prej https://www.mkrsks.org/?page=1,6,1900#.W8i3QNczbIU] *** Por kësaj radhe do të flasim për atë që e paralajmëruam që në fillim të rreshtave të kolumnes, që po ashtu ka të bëjë me kulturën, e që është publikuar edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.05/1-090 për Sponsorizime në Fushën e Kulturë, Rinisë dhe Sportit. Të enjten, në kohën kur po flitej për këtë projektligj, ishin jo më shumë se 20 deputetë në seancë. Seancat me mbi 40 pika të rendit të ditës, janë seanca të mërzitshme, të lodhshme, të pavëmendshme dhe pa asnjë efekt për përmirësime, ide, këshilla, rekomandime, amendamentime e risi në projektligje. Nëse deputetët rrinë tërë ditën në Kuvend, sado që jemi kritikë ndaj tyre, nuk përkon me ligjet mbi dëgjimin e qenieve njerëzore, të cilat lodhen së tepërmi duke dëgjuar më shumë se 1 orë, e lëre më tërë ditën! Aq më shumë në shekullin XXI ku teknologjia ka dëmtuar më së shumti vëmendjen tonë, ku me lehtësinë më të madhe, ne zhvendosim vëmendjen prej një objekti në objektin tjetër, prej një faqeje në faqen tjetër, prej një burimi në burimin tjetër.

Natyrisht se shumë deputetë nuk janë se lodhen së dëgjuari, sepse e lëshojnë sallën pa ndonjë brengë, por po flasim parimisht se aq shumë pika të rendit të ditës, janë pa efikasitet në përmirësimin e projektligjeve nga deputetët. Jemi të vetëdijshëm se shumica e deputetëve janë pa ndonjë kontribut të madh për hartimin e ligjeve efikase edhe për shkaqe të tjera, si: papërgjegjësia, mungesa e llogaridhënies para votuesve dhe qytetarëve, mungesa e profesionalizmit, ndikimi i sjelljes nga krerët e partive politike ku bëjnë pjesë këta deputetë, demotivimi për t'i lexuar ligjet, vështirësitë e të kuptuarit të projektligjeve apo çështjeve të caktuara që lidhen me to etj. Mos të përjashtojmë edhe me mungesën e përkushtimit serioz të deputetëve, për të dëgjuar grupet e ndryshme të interesit, si në rastin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, pa u takuar me artistë, me të rinjtë, me sportistët, por pa u takuar edhe me biznesmenët e ndërmarrësit e ndryshëm, pasi që ky ligj i bën bashkërisht këto tri fusha me ekonominë apo bizneset. Si mund të dish se ku janë sfidat e zbatimit të këtij projektligji, pa i takuar komunitetet e artistëve, sportive, të rinjve dhe biznesmenët? Si mund të kuptosh se ku janë dobësitë e këtij projektligji, nëse nuk jeni në gjendje t'i humbni disa orë për takime, organizime, debate, punëtori dhe fokus grupe me ato që preken direkt nga këto projektligje që pasi të miratohen shndërrohen në ligje apo hynë në fuqi?!

PROJEKTLIGJI DHE NDRYSHIMET E KËRKUARA Me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturë, Rinisë dhe Sportit, kërkohet ndryshimi i vetëm një neni, përkatësisht atij me numër 17, që ndërlidhet me sanksionet. Ja çfarë parashihet me këtë nen: "1. Në shumën prej njëmijë (1.000) deri 20.000 euro dënohet për shkelje personi juridik - pranuesi i sponsorizimit, nëse: 1.1. Nuk lidhë marrëveshje me shkrim me sponsorizuesin apo reklamuesin; 1.2. Nuk ka përgatitur një raport për marrjen e sponsorizimit, reklames; 1.3. Nuk i shfrytëzon mjetet sipas marrëveshjes, ndërsa lënda sponsorizimit do t`i kthehet dhënesit të sponsorizimit; 1.4. Marrëveshja dhe dokumentet e tjera nuk ruhen së paku pesë (5) vite." Ndërsa me ligjin aktual për sponsorizime, gjoba maksimale ishte deri në 10 mijë euro, ndërsa me këtë projektligj dyfishohet deri në 20 mijë euro. HARMONIZIMI I PROJEKTLIGJIT ME LIGJIN PËR TATIMIN NË TË ARDHURAT E KORPORATAVE Në Ligjin aktual për Sponsorizime…, neni 12, parasheh zbritjet e lejuara. "1. Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas këtij ligji. 2. Sponsorizuesit në sponsorizimet në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja njëzet për qind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin ne të Ardhurat e Koropratave. 3. Shpenzimet e reklamës në fanella sportive, objekte sportive dhe kulturore, përmes radios, televizionit, gazetave, revistave, portaleve, reklama të drejtpërdrejta, ueb faqe, posterat, afishet, tiketat, billbordat, reklamat tranzite e të ngjashme janë shpenzime tërësisht të zbritshme, për qëllime tatimore në përputhje me Ligjin Nr.05/L-029 për Tatimin ne të Ardhurat e Koropratave. 4.Të hyrat nga sponsorzimet janë të hyra të pa-tatueshme për përfituesin e sponzorizimit. 5.Të hyrat nga reklamat janë të hyra të tatueshme për përfituesin e të hyrave nga reklamat, përjashtim nga kjo dispozitë bëjnë të hyrat nga reklamat që janë parashikuar në kontratën e sponzorizimit sipas dispozitave të këtij ligji…"[Ligji Nr.05/L-090 për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. (2016). Marrë prej http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/ligjet/05-L-090%20sh.pdf] Por, njëri nga deputetët folës në Kuvendin e Kosovës, gjatë kësaj të enjte, kërkoi që të shtohet një amendament për harmonizimin e këtij Projektligji me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave. Edhe në debatin televiziv të kësaj jave nga ministri dhe mysafirët e tjerë, u përmend se kishte disa keqkuptime apo keqlexime të një neni në Ligjin për Tatimin…, pasi në "Shkallët e tatimit", thuhet se "1. Tatimi në të ardhurat e korporatave është dhjetë për qind (10%) e të ardhurave të tatueshme." E në Ligjin aktual që po kërkohet të ndryshohet, kur përmendet tridhjetë e njëzet për qind, atëherë po ka keqkuptime.

"1. Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas këtij ligji. 2. Sponsorizuesit në sponsorizimet në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja njëzet për qind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave." Sipas të lartpërmendurve në debatin televiziv, lihej të kuptohej se zyrtarët e Administratës Tatimore paskëshin kërkuar harmonizimin e këtij ligji për sponsorizime me atë të tatimit në të Ardhurat e Korporatave. Por s'dimë pse të vijë ky keqkuptim, kur ekziston një kapitull i veçantë "Të ardhurat e liruara" të këtij ligji të fundit, në nenin 7, ku specifikohet çdo zbritje e liruar: "1. Të ardhurat si në vijim lirohen nga tatimi në të ardhurat e korporatave: 1.1. Përveç rasteve të parapara me nenin 34 të këtij ligji, të ardhurat e organizatave të regjistruara sipas legjislacionit për regjistrimin dhe funksionimin e organizatave si organizata joqeveritare që kanë fituar dhe mbajtur statusin e përfituesit publik, me kusht që të ardhurat të shfrytëzohen vetëm për qëllime të përfitimit publik… 1.4. Të ardhurat e Bashkësive fetare sipas Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë për ushtrimin e aktivitetit ekonomik të veçantë për vet mbështetjen e tyre, si: 1.4.1. prodhimi i rrobave fetare, klerike dhe të qëndisura, qirinjve, pikturimi i ikonave, 1.4.2. skalitjet në dru, mjeshtri e marangozit, dhe 1.4.3. produktet bujqësore tradicionale, në pajtueshmëri me legjislacion përkatës për Lirinë Fetare…"[Ligji Nr.05/L-029 për Tatimin në Të Ardhurat e Korporatave (2015). Marrë prej http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/ligjet/05-L-029%20sh.pdf] SFIDAT E ZBATIMIT TË LIGJIT PËR SPONSORIZIME… Deri më tash, askush nuk i përmendi arsyet e plota pse po ka sfida në zbatimin e Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturë, Rinisë dhe Sportit, e që nuk lidhen fare me keqkuptimet për 10 përqindëshit sipas Ligjit për Tatimin…, apo 20 e 30-përqindëshit të Ligjit për Sponsorizime…, por krejt në diçka tjetër, disa prej të cilave janë shkruar edhe në kolumne të tjera:

1. Shmangia e tatimit në fitim. Ka evazion tatimor në shumicën e bizneseve dhe përderisa është në shkallë ekstreme, masive, atëherë i bie se biznesmenët nuk janë të interesuar fare të sponsorizojnë në kulturë, rini dhe sport, për diçka që u ikin. Ndryshe do të ishte përfitimi në TVSH, e ndryshe në tatimin në fitim që u ikin shumë më kollajshëm.

2. Arsye tjetër e sfidave të zbatimit të këtij ligji është mungesa e informacioneve si tek artistët, si te rinia, si te sportistët, si te biznesmenët.

3. Procedurat teknike të cilat kërkohen për të arritur kushtin për kontratën për sponsorizim dhe raportimet në Administratë Tatimore dhe MKRS.

4. Vështirësitë e bizneseve nëpër të cilat po kalojnë, me lloj-lloj paparashikueshmërie, kredi mbingarkuese, pasigurie tregu, puna me borxhe etj.

5. Shumë biznesmenë akoma nuk janë në frymën e dashurisë mbi teatrin, librin etj., dhe nuk u duket marketing direkt e indirekt, nëse sponsorizojnë një libër, një shfaqje teatrore etj.

6. Shumë biznesmenë e dinë se audienca e lexuesve për një libër të sponsorizuar, janë në numër shumë të kufizuar, ashtu edhe për një shfaqje teatrore të sponsorizuar, prandaj nuk kanë asnjë vullnet për të dhënë mjete financiare kur marketingu u shkon në pak duar.

7. Mungesa e vullnetit të institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës shtetërorë, të lobojnë më shumë në komunitetin e artistëve, të rinjve dhe sportistëve, si dhe vetë bizneseneve, për hyrjen në fuqi të Ligjit për Sponsorisime…

8. Ligji akoma konsiderohet i ri.

9. Është njëfarë ndjesie e lypsarit akoma si shkrimtar, si sportist etj., të kërkosh sponsorizimin e një aktiviteti letrar apo sportiv, ndonëse shkoni edhe për interes reciprok, të juaj dhe të bizneseve që përfitojnë nga ky ligj. Kjo vjen nga raportet e së kaluarës. Shumicën e këtyre sfidave as nuk i përmendën, as nuk u morën parasysh, as në debatin me ministrin, as në seancën në Kuvend. 

(Kosova Sot)