A ËSHTË E MUNDUR QË TË THYHET MITI

  • 20 October 2018 - 18:08
A ËSHTË E MUNDUR QË TË THYHET MITI
SHKRUAN: DAVID OLUSOGA

Si t'i qasemi karrierës së një politikani i cili ndryshoi botën, i cili ishte edhe një gazetar i frytshëm, shkrimtar dhe publicist? Përpos arritjeve të tij të tjera, Winston Churchill shkroi një libër me gjashtë vëllime, me 1.9 milionë fjalë, rrëfim për Luftën e dytë botërore dhe rreth rolit të tij, duke e fituar atë luftë. A jemi në gjendje, më shumë se pesë dekada pas vdekjes së tij, që të shikojmë përtej 40 librave dhe mijëra fjalimeve të tij, për ta parë njeriun e vërtetë, real? E them këtë si skeptik i cili, edhe pse publikisht kritik ndaj njeriut dhe thellësisht i kujdesshëm ndaj miteve që e rrethojnë atë, e kam emërtuar kompaninë time të produksionit "Uplands", në bazë të një fraze të marrë nga fjalimi më i famshëm i tij, i mbajtur gjatë kohës së luftës ("Nëse mund t'i bëjmë ballë atij, atëherë tërë Evropa mund të çlirohet dhe jeta e botës mund të lëvizë përpara, në hapësira më të ndriçuara nga dielli"). Zotërimi i gjuhës nga ana e tij ishte i tillë sa që ai ishte laureat i çmimit Nobel në literaturë. Churchill, si lider i luftës, duhet të ndahet nga imazhi propagandistik i krijuar nga ai dhe ata rreth tij. 

EKZISTOJNË MË SHUMË SE 1000 BIOGRAFI TË CHURCHILLIT Gjatë gati çdo krize dhe konflikti të politikës së jashtme, sidomos nëse ideja e paqësimit është relevante, politikanët dhe gazetarët pyesin: Çka do të bënte Churchill? Presidenti George W Bush, i cili lansoi luftën e tij shkatërrimtare në Irak, me një bust të Churchillit afër tij, në Zyrën Ovale, thuhet ta ketë formësuar stilin e tij të udhëheqësit, duke u bazuar te Churchillit. Dhe, edhe para referendumit rreth BE-së, dy palët në betejë rreth Brexitit kanë filluar që të thonë se kujtimi ndaj Churchillit ishte në anën e tyre. Kjo, në njëfarë mënyre, ka qenë detyrë e vështirë për mbështetësit e kampit Brexit, duke qenë se, në vitin 1946, Churchill angazhohej për atë që e quante "një lloj të Shteteve të bashkuara të Evropës" dhe, përgjatë tërë karrierës së tij, ai nënvizoi rëndësinë e mbetjes të angazhuar me kontinentin. Por, shikuar përmes filtrit të një kujtimi të shtrembëruar të Luftës së dytë botërore, partnerët tanë evropianë përshkruhen nga Brexitersat si armiq kundër të cilëve duhet ta marrim një qëndrim. Churchill përmendet për t'i dhënë substancë pohimit se, e tëra që duhet që Brexit të funksionojë, është që ne të besojmë te Britania dhe te "shpirti i veçantë britanik". Në biografinë e tij të re, Andrew Roberts përmbledh kredon e Churchillit: "Me një fuqi të mjaftueshme, ai besonte se mund të ngritemi mbi gjithçka dhe të krijojmë diçka me të vërtetë madhështore me jetët tona". Ekzistojnë më shumë se 1000 biografi të Churchillit, prandaj shtrohet pyetja, çka mund të shtojë Roberts? Ai ka sjellë material të freskët: ditarët e Ivan Maisky-t, ambasadorit sovjetik në Britani, si dhe rrëfimet e reja nga takimet e kabinetit të Churchillit gjatë luftës. Zbulimi i cili ka zgjuar interesimin më të madh, është se sa shpesh Churchillit i ishin mbushur sytë me lot. Sentimentaliteti i tij ishte i njohur për të gjithë ata që kishin punuar për së afërmi me të nga afër. Roberts po ashtu përdorë në mënyrë interesante ditarët e George VI, në dispozicion të historianëve për herë të parë në një formë të paredaktuar. Para se të fillonte lufta, mbreti privatisht kishte thënë se shpresonte që kurrë nuk do të ishte i detyruar ta emëronte Churchillin në ndonjë post të lartë në vend, megjithatë më pas këta dy njerëz u afruan midis veti dhe mbështetën njëri-tjetrin.  

TRI RREZIQET NDAJ CIVILIZIMIT PERËNDIMOR Roberts nxjerr nëntitullin nga vet historia e luftës, e shkruar nga Churchill: pasi që u emërtua si kryeministër, në maj të vitit 1940, ai ndjente sesi 'ecte me fatin', se jeta e tij deri në atë moment nuk kishte qenë asgjë tjetër 'pos një përgatitje për këtë orë dhe këtë sprovë". Admirimi i autorit rreth subjektit të librit të tij është i qartë, por kjo nuk e pengon atë që të diskutojë vlerësimet e gabueshme, më të hershme, të tij, si dhe gabimet katastrofale. Ka shumë të tilla: kampanja shkatërrimtare në Dardanele gjatë Luftës së parë botërore, e urdhëruar nga ai kur ishte lord i admiraliatit; rrethimi i rrugës "Sidney" në vitin 1911, e organizuar nga ai; si dhe kundërshtimi i vetëqeverisjes indiane. Roberts i mbron këto gabime, por vetëm deri në një masë të caktuar. Sipas tij, gjërat të cilat Churchill i kishte bërë mirë, janë shumë më të shumta sesa ato që i kishte bërë keq. Duke përmbledhur, ai shkruan: "Kur flitet për tri rreziqet ndaj civilizimit perëndimor, atë nga militaristët prusianë në vitin 1914, nga nazistët në vitet 1930 dhe 1940 dhe nga komunizmi sovjetik pas luftës së dytë botërore, vlerësimi i Churchillit ishte shumë mbi ato të të tjerëve. Kjo nuk është hera e parë që thuhet një gjë e tillë, por Roberts e prezanton atë më në detaje dhe më me zell. 

(Kosova Sot)