Babai i adoleshentit të vrarë nga policia

  • 13 November 2018 - 14:18
Babai i adoleshentit të vrarë nga policia

Në këtë triler janë trajtuar në mënyrë të detajuar çështjet urgjente sociale.

Çështjet urgjente sociale janë trajtuar në mënyrë të detajuar në trilerin e regjisorit Wes Miller, duke shtruar me këtë rast disa pyetje, sikur: Çka e bëri regjisorin që të mendonte se George Lopez do të ishte një hero i besueshëm i aksionit? Dhe, çka dreqin ndodhi me karrierën e John Cusack-ut? Duke e vendosur aktorin Taye Diggs në rolin kryesor, atë të gjykatësit i cili mbushet plot pezëm pasi policët ia vrasin të birin adoleshent, filmi "River Runs Red" nuk ka as substancë, e as nuk ofron emocione të mjaftueshme për të qenë një film i kënaqshëm. Një prolog tërësisht i panevojshëm ndaj ngjarjes kryesore e tregon personazhin e Diggsit, Charles, duke kaluar 'kohë kualitative' me gruan e tij police Eve (Jennifer Tao) dhe me djalin e tij para-adoleshent TJ e më pas duke e turpëruar veten në një klasë të shkollës juridike. Pas viteve të tëra, kur tani Charles është një gjykatës i respektuar, i vetmi gjykatës afrikan-amerikan në qytetin e tij, ai mezi pret që djali i tij, tanimë i rritur (Joseph Belk) të regjistrohet në akademinë policore. 

Konfrontimi që përfundoi me vrasje

Pasi TJ ndalohet nga një polic, i cili përshëndetjen e tij e keqkupton si ofendim, pason një konfrontim i cili mbaron me vrasjen e djalit nga policia, pasi që mendojnë se ishte duke nxjerrë revolen. Më i poshtri nga policët (Gianni Capaldi) mundohet ta maskojë krimin, duke vendosur një revole afër kufomës së viktimës. Partneri i tij (Luke Hemsworth), edhe pse i prekur thellë nga ndjenja e fajësisë, e mbështetë kolegun e vet në këtë veprim. Prindërit e pikëlluar të TJ-së me dëshpërim duan ta zbulojnë se çka kishte ndodhur me birin e tyre, ku Eve nuk është e aftë që ta fshehë zemërimin e saj, derisa Charles merr një qëndrim më diplomatik, duke iu drejtuar kryebashkiakut dhe shefit të policisë, të cilët i shprehin ngushëllime, por thonë se nuk është se mund të bëjnë kushedi se çka në këtë drejtim. Ai po ashtu kërkon ngushëllim nga miku i tij Horace (Cusack), një detektiv policor i cili bën me dije se kishte hasur edhe më parë në situata të tilla.

Hakmarrja për vrasjen e djemve

Pasi Charles gërmon më thellë në të kaluarën e policëve, ai zbulon se ata kishin vrarë edhe një të ri tjetër në rrethana tmerrësisht të ngjashme, duke përfshirë edhe vendosjen e revoles inkriminuese. Ai kërkon të atin e njërit prej tyre, Javier (Lopez), një pronar garazhi, i cili në fillim e trajton atë me dyshim dhe armiqësi. Por, më pas dy njerëzit krijojnë një lidhje dhe vendosin që të punojnë së bashku, në mënyrë që të hakmerren për vrasjen e djemve të tyre, duke marrë çështjen në duart e tyre. 

 

(Kosova Sot)