SHBA-ja sanksionon 17 persona për rastin Khashoggi

  • 16 November 2018 - 15:44
SHBA-ja sanksionon 17 persona për rastin Khashoggi

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar se ka sanksionuar 17 sauditë për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Kjo njëherësh është konsideruar si përgjigjja e parë konkrete nga administrata e Trumpit lidhur me vdekjen e Khashoggit një muaj më parë. Në mesin e të sanksionuarve janë edhe Saud al-Qahtani, ish-ndihmësi i lartë i princit të kurorës, Mohammed bin Salman, si dhe konsulli i përgjithshëm saudit, Mohammed Alotaibi. Sanksionet do të zbatohen sipas Aktit Magnitsky, i cili shënjestron abuzuesit e të drejtave të njeriut. Ky njoftim është konsideruar i pazakonshëm për Uashingtonin, i cili rrallë sanksionon persona në Riad.

(Kosova Sot)