Akaki Horava, aktori i preferuar i Stalinit, që luajti rolin e Skënderbeut

  • 20 November 2018 - 10:53
Akaki Horava, aktori i preferuar i Stalinit, që luajti rolin e Skënderbeut

Kur flitet për Skënderbeun, thuajse në mënyrë të menjëhershme në mendje të vjen imazhi i aktorit që luante rolin e heroit shqiptar në filmin me të njëjtin titull.

Është aktori gjeorgjian Akaki Horava, i cili mishëroi portretin e Gjergj Kastriotit, por fare pak njihet nga shqiptarët. Pedagogu i historisë intelektuale pranë Universitetit të Karlit në Pragë, Adrian Brisku, i nxitur nga Viti i Skënderbeut, nga debatet në mediat shqiptare rreth kësaj figure, ka bërë disa kërkime më tepër rreth figurës së aktorit gjeorgjian, që rezulton të jetë një nga më të njohurit jo vetëm në Gjergji, por në gjithë Bashkimin Sovjetik.

Një figurë emblematike e aktrimit, mbajtës i shumë titujve, aktor i preferuar i Stalinit, Akaki Horava do të vinte në Shqipëri për të realizuar filmin “Luftëtari i Madh Skënderbeu” dhe do të ruante kujtime të bukura nga ky vend i largët. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ia zbehu shkëlqimin filmit, i cili shfaqej rrallë e më rrallë në Shqipërinë komuniste. Figura e Akaki Horavës vjen mes debateve për Skënderbeun, mes mitit dhe historisë.

ADRIAN BRISKU*

Ideja për të shkruar për një nga kolosët e teatrit dhe kinematografisë gjeorgjiane të periudhës sovjetike dhe më pas, Akaki Horava, i cili i dha kujtesës dhe tashmë historisë moderne shqiptare dhe jo vetëm, interpretimin “monumental” të figurës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, nuk më erdhi menjëherë. Për fat te keq, Horava edhe pse na ka dhënë këtë imazh të Skënderbeut nëpërmjet filmit “Luftëtari i Madh Skënderbeu”(1953) – një film që në të këtë Vit Mbarëkombëtar të 650-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut ka dhe 65- vjetorin e tij – njihet pothuajse aspak në Shqipërinë dhe botën mbarëshqiptare të sotme.

Një vështrim historik e me perspektiva të ndërthurura që përcillet në këtë artikull, rrëfen për një përkushtim të fortë që Horava i dha krijimit të imazhit kinematografik të Skënderbeut, për vetë figurën historike të Skënderbeut, për raporte të përzemërta e kolegjiale që ai krijoi me aktorët shqiptarë në film, si Besa Imami, Adivie Alibali, Naim Frashëri dhe respektin e mirënjohjen që ai gjeti për historinë, kulturën dhe njerëzit në Shqipëri gjatë dhe pas kohës së xhirimit të filmit.

Reciprociteti dhe mirënjohja iu kthye edhe më fort nga Shqipëria e regjimit të “demokracisë popullore” të asaj kohe. Por kalimi i kohës, ndryshimet e mëdha politike, ekonomike, shoqërore në Shqipëri, Gjeorgji dhe në mbarë hapësirën ish-komuniste/sovjetike dhe mungesa e interesit mbi të, bëri të vetën dhe ai u harrua.

Ideja më lindi prej ftesës nga Katerina Kralova, kolegia dhe shefja e Departamentit të Studimeve Ruse dhe të Europës Lindore në Universitetin e Karlit në Pragë, ku jam profesor i historisë intelektuale dhe mbuloj edhe Kaukazin, për të dhënë një leksion në një seminar të përbashkët, të quajtur ‘Europa Lindore Sot’. Qëllimi i këtij seminari ishte përcjellja dhe analiza e temave më të ligjëruara e të debatuara për vitin 2018, në këtë hapësirë gjeografike, kulturore e politike. Në rastin tim, kjo nënkuptonte diçka për Shqipërinë, por dhe siç do të bëhet e qartë më poshtë, edhe për Gjeorgjinë.

Pa dyshim që temat janë të shumta e “të nxehta” në Shqipërinë e 2018-s, sidomos çështja e reformës në drejtësi dhe perspektiva e hapjes së kapitujve për anëtarësim të vendit në BE, debatet mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant… e kështu me radhë. Por si dikush që merret me historinë intelektuale të Europës moderne, përfshi Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, dhe në sfondin që si i vetmi pedagog shqiptar në këtë departament, të mbaja një seminar, mendova të marr një temë, e cila në një farë mënyre bënte një hapje të parë të “realitetit shqiptar”, përgjithësisht studentëve çekë, të cilët nuk vihen përballë në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto tema të nxehta, por ndoshta me diçka më “të butë”, edhe pse jo, më tërheqëse.

Si një ndjekës i afërt i debateve në media dhe jo vetëm, në Shqipëri, shumë shpejt m’u bë e qartë se nisma dhe axhenda e propozuar nga qeveria shqiptare më 30 gusht të 2017-s për ta kthyer vitin 2018 si Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, ishte një nga ato tema për të cilën mund të flisja dhe të nxitja kureshtjen e studentëve. Por vetë tema mbi Skënderbeun, – të cilën për këtë seminar e përkufizova nën titullin “Përkujtimi i Skënderbeut në 2018:

Midis Mitit dhe Historisë” – në fakt nuk ishte e “butë”, por e “nxehtë”. Kjo, për faktin se debate dhe akuza të forta lindën midis njohësve të afërt, shqiptarë dhe albanologë të huaj, të historisë së figurës së Skënderbeut, veçanërisht midis historianit shumë të njohur Kristo Frashëri, i cili reagoi ndaj historianit zvicerian Oliver Jens Schmitt dhe monografisë së tij, “Skënderbeu”(2009). Reagime të forta pati edhe nga politikanë e publicistë shqiptarë.

Nuk është qëllimi këtu rishikimi në detaje i këtyre debateve që lindën pra me përkthimin e librit të Schmitt-it në shqip në vitin 2009 nga studiuesi Ardian Klosi, por vlen të përmendet argumenti i Schmitt-it, se ndërsa figura e “Kastriotit të madh si hero vezullues [vazhdoi të jetojë] në kujtesën e të krishterëve në Ballkan e Perëndim… u harrua se ai në të vërtetë ishte figura tragjike e një periudhe kohe, kur po ndryshonin kohët”. Më tutje, Schmitt-i vazhdon se “është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi t’et, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i Krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh i vetëm mbi rrënojat e veprës së tij”.

Argumentit të Schmitt-it, që me të vërtetë ishte një këndvështrim i mbështetur dhe ai në fakte e dokumente – nëse lexohen me vëmendje dialogu në film, në skenën e dasmës së Mamicës midis dy fisnikëve arbërorë dhe Skënderbeut për qasjen ndaj sulltanit: marrëveshje apo luftë, Skënderbeu i Horavës përqafon luftën dhe rezistencën, ndërsa ata të dy të kanosur nga frika për rrënosjen ekonomike personale dhe mbase të hapësirës arbërore, sugjerojnë të parën, por që largohen të frikësuar nga dasma për shkak të karizmës dhe mbështetjes që gëzon Skënderbeu – i kundërvihet historiani Frashëri me librin e tij, “Skënderbeu i Shpërfytyruar” (2009).

Akuzën se “Schmitt-i ka shpërfytyruar nga shumë pikëpamje portretin historik të Skënderbeut”, Frashëri – po ashtu i mbështetur në fakte të mbledhura të historiografisë shqiptare e “botërore” – e cilëson dhe më tutje, duke shtuar se ai vlerësohet si “heroi shqiptar, si një udhëheqës i shquar i kryengritjes çlirimtare të shekullit të XV kundër zgjedhës osmane, si një strateg gjenial… si një farkëtar dorëfortë që krijoi shtetin e përqendruar kombëtar shqiptar… [dhe jo siç thotë historiani zviceran] si një kapedan që luftoi për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit nga dy sulltanë turq… dhe si një personalitet që e mbylli jetën e tij si emigrant në zotërimin venedikas të Lezhës, si një prijës që la pas vdekjes së tij vetëm një vend të mbushur me gërmadha, si një njeri [për] të cilin Europa u kujtua ta nderonte vetëm pas vdekjes”.

Kritikat e ashpra ndaj Schmitt-it u kthyen, që siç dhe e nënvizoi – me të drejtë – numri i veçantë në revistën “Përpjekja “(2012), i redaktuar nga analisti i njohur Fatos Lubonja me titullin “Skënderbeu i Kërkimit Shkencor”, kërcënuese deri në epitetimin e tij si “antishqiptar” për shkak se shumica a studiuesve shqiptarë i shikojnë institucionet shqiptare, për të cilat punojnë “si instrumente në shërbim të ndërtimit të kombit dhe krenarisë kombëtare dhe jo si instrumente të kërkimit të mirëfilltë shkencor”.

Këto debate u zbehën pak, por nuk u shuan edhe në fillim të vitit përkushtuar Skënderbeut; kjo sidomos në programet e kanaleve televizive në Shqipëri, ku interpretimi i figurës së Skënderbeut, miti, faktet, nderi dhe krenaria kombëtare filluan të diskutohen.

Kështu, në përgatitje të seminarit në universitet, u ndesha me një program të ngarkuar në internet më 12 janar 2018 të kanalit televiziv “Channel One”, “Debati në Channel One: Viti i Skënderbeut”, ku në mes të tjerëve ishin të ftuar historianët e njohur Pëllumb Xhufi e Merenglen Verli. Ndër të tjera, historiani Xhufi, i cili theksoi që figura e Skënderbeut “është një emblemë në historinë tonë, është një strumbullar, rreth të cilit është krijuar dhe ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve, është ajo magma që lidh të gjithë shqiptarët e krahinave të të gjithave besimeve … e të qëndrimeve politike”– një argument që Schmitt-i e për më tepër Frashëri nuk e mohojnë – përmendi Horavën. Shprehimisht ai tha “që do të them diçka heretike, në kuptimin politik, ai aktori që ka luajtur, gjeorgjiani, atij i duhet bërë një monument, duhet vënë në një rrugë në Tiranë ose kudo”.

Ky sugjerim i Xhufit, i cili u kalua me të qeshura nga drejtuesi i emisionit, më dha shtysën për të zbuluar më shumë për Horavën dhe jo vetëm kaq; ajo thirrja e tij për t’i bërë apo ngritur një monument mirënjohjeje në Shqipëri duhet mbështetur. Kjo, jo vetëm se Horava dha një kontribut në krijimin e një imazhi madhështor kinematografik të Skënderbeut, por edhe nga simpatitë personale, si dikush që ka jetuar në Tbilisi për disa vite dhe Horava me Skënderbeun e tij bëhej një pikë reference midis meje dhe tbilisianëve, me të cilët takohesha për herë të parë dhe paraleleve historike që vëzhgova në librin tim “Europë e hidhur dhe e ëmbël: Ligjëratë shqiptare dhe gjeorgjiane mbi Europën, 1878-2008” (Berghahn Books, 2013), midis këtyre dy kombeve të vogla, sidomos në përshkrimet e eksperiencave të tyre historike dhe moderne, sidomos përkundrejt konceptit të Europës, por dhe si figurë simbolike, si një urë e rrallë lidhëse midis popullit shqiptar e gjeorgjian.

Horava me këtë rol kishte popullarizuar këtë simbol emblematik të historisë shqiptare në hapësirën e sovjetike. Unë e ndjeva këtë personalisht në hapësirën postsovjetike gjeorgjiane, ku jetova për katër vjet dhe që vazhdoj ta vizitoj rregullisht çdo vit.

Pasi diskutuam në seminar mbi mitin dhe historinë e Skënderbeut, studentët çekë e sllovakë filluan të “gërmojnë” në memoriet e tyre për të gjetur ndonjë figurë paralele në historitë e tyre kombëtare që të mund ta krahasojnë me atë të Skënderbeut. Dikush nga studentët çeke solli si shembull perandorin e Perandorisë së Shenjtë Romake edhe mbretin e Bohemisë, Karli i IV (1316-1378) – i cili ishte dhe patroni i Universitetit të Karlit (themeluar ne 1348) – por vetë studenti reflektoi se ndërsa që të dy ishin “shtetbërës, “Karli ishte i famshëm për çekët për rolin dhe ndikimin e tij në Europën e kohës, ndërsa Skënderbeu për shqiptarët ishte një “Hero Kombëtar”, por gjithsesi me rëndësi të madhe për ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe një rol ndikues në historinë europiane.

Kjo e fundit theksohet tani nga shumë ata që duan të flasin për një trashëgimi dhe kontribut shqiptar në Europën mesjetare, ashtu siç ndër të tjerët edhe filozofi i iluminizmit francez, Volteri, i cili e lartësonte figurën e Skënderbeut në kontekstin tokërrëshqitës politik e ushtarak të kontinentit, në mes të shek. XV, duke shkruar se “po të kishin luftuar për Skënderbeun fisnikët e Bizantit, atëherë Kostandinopoli nuk do të kishte rënë në duart e turqve”.

“I lindur” për aktrim në një botë që politikisht ndryshonte dhe shpejt u kalcifikua: zëri, trupi, e temperamenti i aktorit të “dramës heroike”. Por kush ishte Horava, duke pasur parasysh edhe parantezën që bëri historiani Xhufi, kur u shpreh se po thoshte diçka “heretike, në kuptimin politik?” Nga shkrimet, portretet e kohës dhe kritikat e mëpasme për të në Gjeorgji, Horava shihet si mjeshtëraktor, i lindur për të qenë i tillë; si një nga kolosët e teatrit dhe të kinematografisë gjeorgjiane, i cili me dhuntinë, stilin dhe zërin e tij, se bashku me aktoren po aq të famshme, Veriko Anjaparidze – e cila luan rolin tragjik të nënës së Palit në film – vendosën themelet e këtyre dy formave të artit të bukur në Gjeorgjinë sovjetike.

I lindur më 29 prill 1895 – pra, Horava ishe plot 47 vjeç kur u xhirua filmi i Skënderbeut – në fshatin e quajtur Oçhomuri (i cili në Gjeorgji përveç të qenurit vendlindja e Horavës, njihet dhe për një monument natyre të një ujëvare 120 metra të lartë), në rajonin perëndimor të vendin të quajtur Samegrelo. Në Samegrelo flitet një gjuhë që rrjedh nga një trung i përbashkët me gjeorgjishten (kartuli), por që janë krejtësisht të pakuptueshme me njëra-tjetrën.

Horava i fliste që të dyja këto, përfshi dhe rusishten. Shume herët Horava tregoi se pasioni i tij ishte aktrimi. Kjo u pa, kur dy vjet pasi kishte nisur studimet për mjekësi në Universitetin e Kievit në 1915, i ndërpreu ato, u kthye në qytezën e Senakit, pra në vitin 1917, po në Gjeorgjinë Perëndimore, për t’u bërë pjesë e teatrit, aty ku spikati për “zërin e tij sqimatar e vokal të lartë, temperament madhështor dhe për një aktrim të sinqertë”.

Në maj të vitit 1918, gjeorgjianët, pra pas revolucionit bolshevik të nëntorit të vitit 1917 në Rusinë cariste, pasi krijuan Federatën Transkaukaziane me armenët dhe azerbajxhanasit për frikë të tërheqjes së ushtrisë cariste ruse nga Kaukazi dhe asaj ndaj mësymjes së ushtrisë osmane e bolshevike atje – një bashkim politik ndëretnik që nuk rezistoi më shumë se pesë javë – shpallën pavarësinë e tyre dhe krijuan Republikën e tyre të parë në karakter politik social-demokrat.

Gjatë periudhës së Republikës së Parë, që zgjati midis majit 1918 e shkurtit 1921, Horava në vitet 1918 dhe 1919 bëhet shefi i shtabit të gardës së qytezës së Senakit të Ri, që mori pjesë në mbrojtjen e qytetit bregdetar të Batumit, kundër ushtrisë osmane. Pas kësaj ai i kthehet studimit për mjekësi; këtë radhë në universitetin e sapohapur të Tbilisit, duke punuar në të njëjtën kohë në teatrin e punëtorëve atje.

Por kjo nuk zgjati shumë, sepse në vitin 1921 ai lë studimet dhe punon për pak kohë për një gazetë të vogël me emër “Punëtori i Fshatit”. Pasi ra Republika e Parë, në shkurt të 1921 –e pushtuar nga Ushtria e Kuqe sovjetike – Horava arrestohet, tanimë nga regjimi i sapovendosur sovjetik në 1922 për disa muaj, nën akuzën e të qenurit një “person i pabesueshëm politikisht”. Ky moment do të jetë i fundit kur Horava do të kishte “ngatërrime” të drejtpërdrejta me politikën në vend; gjithsesi ai, si dhe shumë figura të tjera të artit nuk mund t’i shmangeshin ndikimit të politikës, aktivitetit të tyre artistik.

Talenti i tij do t’i mundësonte marrjen e çmimeve më të larta në profesionin e tij; në vitin 1934 atij iu akordua çmimi i Artistit të Popullit të Gjeorgjisë dhe dy vjet me pas, më 1936, iu dha çmimi Artisti i Popullit të Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë, me shpalljen e Kushtetutës sovjetike, të vitit 1936, Gjeorgjia, e cila deri më tani kishte qenë pjesë përbërëse a Transkaukazisë sovjetike, u bë një republikë e veçantë e mbeti kështu deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 25 dhjetor të vitit 1991. Horava do të bëhej një nga aktorët më të preferuar të Stalinit dhe mëkëmbësit të tij në Tbilisi, përpara sesa të shkonte në Moskë, Lavrenti Beria. Ja, mbase, edhe sfondi “heretik” për të cilin fliste historiani Xhufi.

Horava, që pas lënies së universitetit dhe sidomos pas vitit 1922, vendosi të bëhej student dramaturgjie dhe filloi të aktronte në Teatrin Rustaveli në Tbilisi – kryesori në Republikë, e që ndodhet në bulevardin kryesor, me të njëjtin emër, në qytete – duke mishëruar në skenë role të pjesëve më të spikatura të autorëve gjeorgjianë, si për shembull në vitin 1924 me pjesën e titulluar “Lamara” të poetit të simbolizmit gjeorgjian, Grigol Robakixe. Ky i fundit do të kishte një fund tragjik, si dhe shumë intelektualë e jo vetëm, gjatë represionit stalinist, që Beria drejtoi në Republikë gjatë vitit 1937. Kulmi i njohjes së tij si aktor i talentuar për audiencat e Tbilisit ndodhi në vitet 1928 e 1929, kur luajti një sërë rolesh në Teatrin Rustaveli, duke portretizuar figura të forta burrërore e psikologjikisht të ndërlikuara e ndonjëherë tragjikë. Ai, në fakt u bë një nga aktorët më të zhdërvjelltë të zhanrit të “dramës heroike” në Gjeorgji dhe në tërë Bashkimin Sovjetik. Ky lloj profili e bëri atë që të luajë me shumë sukses rolin e Otellos, gjë që i dha atij dritën e njohjes si aktor shekspirian jo vetëm në Rusinë sovjetike, por dhe në Shtetet e Bashkuara, ku luajti në Teatrin Phenix të Nju Jorkut e në Londër, ku në një premierë atje u ndoq dhe u vlerësua shumë lartë edhe nga Çarli Çaplini. Kur bënte xhirimin e filmit në Shqipëri, Horava kujtonte se si kolegët shqiptarë i kërkonin që ai ta luante atë rol. Dhe ai e luajti.

Por përveç teatrit, ku ai pati shumë role të njohura për kontekstin kulturor gjeorgjian, Horava filloi të luajë dhe role në film; ndër të tjera në filmin “Giorgi Saakaxe” (1942), duke portretizuar rolin e një figure historike gjeorgjiane të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i ngjashëm me atë të Skënderbeut. Me të vërtetë, ky film, po ashtu i zhanrit “dramës heroike,” ka paralele me filmin e Skënderbeut jo vetëm nga stili kinematografik i inskenimit monumental të heroit dramatik, por dhe në kontekstin e historisë së Gjeorgjisë së shekullit të gjashtëmbëdhjetë – e cila mbas një “periudhe të artë”, katërshekullore të mbretërisë gjeorgjiane në vitin 1555, për shkak të grindjeve të prijësve gjeorgjianë për fronin mbretëror dhe marrëveshjes midis perandorive osmane e persiane, u nda në mes midis këtyre të fundit –me atë të hapësirës arbërore gjatë kohës së Skënderbeut.

*Pedagog i historisë intelektuale pranë Universitetit të Karlit në Pragë)

 

(Kosova Sot)