Qëndrimi i Hasan Prishtinës në burgun e Kalamegdanit në Beograd

  • 12 February 2016 - 10:31
Qëndrimi i Hasan Prishtinës në burgun e Kalamegdanit në Beograd

Shkruan: Prof.Dr. Hakif Bajrami

Ekskluzive: PLANET SEKRETE PËR KRIJIMIN E “VATIKANIT II” NË STAMBOLL, PËRMES LUFTËS “ÇLIRIMTARE” SHQIPTARE 1909-1914 (3)

Vasa Qubriloviqi kishte shkuar në burg për të mashtruar të burgosurit shqiptarë

Qarqet e pushtetit serb më 22 nëntor 1912 do të tentojnë ta likuidojnë Hasan Prishtinën me shokë në burg, duke montuar se të: “Gjithë janë të sëmurë nga tifoja ngjitëse”. (AS. MUD. Hasan Prishtina, novembar 1912 u Beogrdsku tvrdjavu). “Sëmundjen” e tyre e kishin trilluar Vlladan Gjorgjeviqi dhe Stojan Protiqi (Ballkanikusi). Këto personalitete ishin në “opozitë” si thuhej publikisht. Në realitet, Nikolla Pashiqi do të konfrontohet ashpër me Stojan Protiqin (Ballkanikusin) për këto trillime, të cilat qeverinë po e konfrontonin me shumë personalitete diplomatike, që ishin me punë dhe me detyrë në Beograd

Autorët e tjerë që merren me periudhën në fjalë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe në diasporë, fatin e një pjese të udhëheqësisë shqiptare në krye me Hasan Prishtinën në çastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e injorojnë fare, ose u mungojnë të dhënat. Ka edhe të atillë që as nuk do të mund ta imagjinonin Hasan Prishtinën që do të vepronte ashtu.

Hasan Prishtina ishte internuar me shokë në Kështjellën e Beogradit prej serbëve, pa u caktuar vendi dhe data, se kur ishin arrestuar, jepet në botimin e Tiranës më 1963, në faqen 87. Aty thuhet: “Se sipas një lajmi të sigurt që më ka ardhur (25 janar 1913) nga burimet shqiptare (ku bënte presion Qeveria e Vlorës në krye me Ismail Qemalin –tel, sekret 5 janar 1913 drejtuar Vjenës) se ish deputeti shqiptar Hasan Bej Prishtina, që mbahet i arrestuar prej Serbisë së bashku me persona të tjerë nga parësia e shquar para pak kohe ka bërë një tentativë për t`u arratisur, e që kishte dështuar vetëm për mungesë pasaportash. Edhe në këtë burim vërtetohet se Hasan Prishtina gjendej i burgosur në Kështjellën e Beogradit më 25 janar 1913, por nuk jepet data e saktë se prej kur gjendej aty i burgosur (i izoluar deri sa të mbarojë Konferenca antishqiptare e Londrës-1913). Kështu “fakti” se Hasan Prishtina më 28 XI 1912 “paska qenë më Parlamentin Osman mistifikohet. Mistifikimi i vyente atyre që e kishin shpaluar patriotin “tradhtar” më 1953 në Tiranë. Ata ishin prof Aleks Buda dhe prof. Stefanaq Pollo, fakt ky që u mësua më 1973, e që u reagua ashpër nga autori i këtij shkrimi me fakte në prani të Stefanaç Pollos, që e vërteta ishte në Prishtinë një profesor shumë i respektuar nga të gjithë studentët e gjeneratës së parë të studimeve pasuniversitare.

Kërkesa e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës për Nikolla Pashiqin

Kur jemi te ky problem, sërish duhet të kthehemi në monografinë e Dr.l Liman Rushitit, Rrethanat politiko shoqërore në Kosovë 1912-1918, Prishtinë 1986, f. 133, ku jepet një detal që nuk është në monografitë e tjera. Aty prezantohet kërkesa e të izoluarve shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Idriz Seferin Said Hoxhën e të tjerë drejtuar Nikolla Pashiqit, për t’i liruar nga burgu. Në atë lutje thuhet: “ Zotëri Pashiqit, kryetar i Këshillit të Ministrave, lartmadhëria e juej. Ne, poshtë të nënshkruarit, tregtarë jemi dhe posedues në Vialjetin e Kosovës dhe kurrfarë lidhjesh nuk kemi me ushtri, e as që jemi ushtarë, e as eprorë ushtarak. Pra, pasi që është kështu, ditën e 6 (gjashtë) me të okupuar të Shkupit nga ana e ushtrisë serbe, neve pa kurrfarë arsyeje, na dërguan këtu në Kështjellën e Beogradit, duke na i lënë fëmijët dhe pasuritë tona të tretën e të shkatërrohen. Këtu na e kanë ndaluar edhe leximin e gazetave. Kuptohet kjo është në kundërshtim me drejtësinë. Me rastin e deportimit tonë këtu, disave prej nesh u është thënë se si të kaloni kufirin do të jeni të lirë e disa të tjerëve u është thënë se vetëm një muaj do të jeni të internuar. (Kur përmendet KUFIRI, është fjala për kalimin prej Kosovës në territorin e Serbisë, sipas vendimit të Kongresit të Berlinit më 1878. Kjo do të thotë, se ende çështja e kufirit nuk ishte as në rend dite sepse atë e cakton Konferenca e Londrës. U bë një muaj që jemi këtu, vijojnë ankimin të burgosurit, prandaj, që mos të shkatërrohen familjet tona dhe pasuria jonë, që kjo të pengohet si dhe të pengohet shkatërrimi i shëndetit tonë ju lutemi, në emër të drejtësisë dhe të njerëzisë, të na lironi. Lutjen në gjuhën turke, sepse shqip nuk pranohej e kanë nënshkruar: Sait Hoxha nga Shkupi, Nexhip Draga nga Mitrovica, Hasan Bej Prishtina, Mehmet Kemajli nga Shkupi, Ibrahim Efendiu (Temo) nga Podujeva, Hurshid Bej Omeri nga Prishtina, Hurshid bej nga Prishtina, Muharrem Efendiu nga Prishtina, Mustafa Muhsin nga Stambolli (profesor i Gjimnazit të Shkupit), Muharrem Efendiu nga Prishtina”. Siç shihet mungojnë emrat e Idriz Sferit, djalit tij Qazim Seferit, të cilët u sollën në burg më vonë. Në lidhje me këtë, vetëm duhet vërtetohet se cila është dita e gjashtë (6) pas okupimit të Shkupit për të orientuar gjetjen saktë të ditës së burgimit të parisë shqiptare. Sipas të gjitha fakteve ajo ditë është: më 13 tetor 1912 (sipas kalendarit të vjetër, por nëse i shtohen 13 ditë, del se më 26 tetor 1912? forcat operative ilegale serbe do ta mbarojnë në tërësi shkatërrimin e Ushtrisë turke në Kumanovë dhe okupim i Shkupit ishte çështje rutinore, sepse çdo gjë kishte përfunduar. Sipas dokumenteve serbe del se Shkupi ishte okupuar, duke hy mëkëmbës i Aleksandër Karagjorgjeviq në qytet, më 13 tetor 1912. Të nesërmen do të pasojë “kontrollimi i qytetit” dhe paria shqiptare do të izolohet, burgoset”. Sipas kalendarit të ri del nëse i shtohen datës së vjetër 13 ditë, do të thotë se më 26 tetor Shkupi ishte i okupuar. Nëse kësaj date i shtojmë edhe gjashtë (6) ditë si thonë në letër Hasan Prishtina dhe nënshkruesit tjerë për lirim nga burgu i Beogradit, do të thotë më 2 nëntor 1912, Paria shqiptare në Shkup izolohet në tërësi dhe pas një qëndrimi njëditor deportohen për Beograd më 3 nëntor 1912.

Hasan Prishtinën me shokë qarqet serbe dy herë tentojnë ta likuidojnë deri sa ishte në burg

Qarqet e pushtetit serb më 22 nëntor 1912 do të tentojnë ta likuidojnë Hasan Prishtinën me shokë në burg, duke montuar se të: “Gjithë janë të sëmurë nga tifoja ngjitëse”. (AS. MUD. Hasan Prishtina, novembar 1912 u Beogrdsku tvrdjavu). “Sëmundjen” e tyre e kishin trilluar Vlladan Gjorgjeviqi dhe Stojan Protiqi (Ballkanikusi). Këto personalitete ishin në “opozitë” si thuhej publikisht. Në realitet, Nikolla Pashiqi do të konfrontohet ashpër me Stojan Protiqin (Ballkanikusin) për këto trillime, të cilat qeverinë po e konfrontonin me shumë personalitete diplomatike që ishin me punë dhe me detyrë në Beograd, në ato rrethana triumfaliste të kryqëzatës evropiane, për të cilën sidomos diplomatët e karrierës dhe agjentët e shumtë po e festonin nëpër kafene duke u gostitë me “shlivovicë” pa pagesë fare. (AS. MUD, Raporte nga qyteti i Beogradit për sjelljet nëpër kafene pas triumfit të ushtrisë serbe…). Por, me të shpejtë do të reagohet nga përfaqësuesi i Vjenës, se në rast se “Janë të sëmurë, paria shqiptare, atëherë mjeku kujdestar i tyre do të intervenojë”. Me këtë kërkesë, pushtetit serb i ishte bërë me dije se paria politike shqiptare është e regjistruar në përfaqësinë e Vjenës, se gjendet në izolim në Beporad, dhe, me asnjë çmim nuk guxohet të likuidohen. Nga kjo gjendje, pushteti do dalë pas dy ditësh me një komunikatë se: “…ishte fjala për helmim të lehtë me një gjellë të posaçme ushtarake, që përgatitet shumë shpejtë’. Me kaq nuk ishte mbyllë përpjekja serbe për ta likuiduar Hasan Prishtinën me shokë. E vërteta Hasan Prishtinën aspirohej të likuidohej nga qeveria, por me një metodë më perfide, sesa që kishte provuar opozita, e cila u diskreditua nga mëkëmbësi shumë ashpër në një takim të “mbyllur” më 6 janar 1913.

Herën e dytë do të montohet prapë nga opozita serbe se kinse Hasan Prishtina me shokë, paska tentuar të arratiset përmes Danubit me një barkë të huazuar për t`u arratisë në Zemun, më 12 shkurt 1913”. (AS. MUD. Hasan Prishtina u Beogradskoj tvrxhavi 1913). Edhe ky lajm do të demantohet shumë shpejtë nga qeveria, sepse përfaqësuesi i Berlinit kishte kërkuar bisedë me parinë shqiptare më 15 shkurt 1913. Në këtë rrethana sipas dokumenteve që gjinden në Arkivin e Serbisë, më 16 shkurt 1913, me Hasan Prishtinën që nuk e njihte gjuhën serbishte do të bisedojnë dy të ri, njeri prej të cilëve ishte Vasa Qubrilloviqi, më vonë i njohur si antishqiptar i egër. Sipas Vladimr Dedierit, (biseda është zhvilluar në Kranj më 1974), Hasan Prishtina dhe Vasa Qubrilloviqi kishin biseduar në gjuhën shqipe sepse i pari nuk dinte serbishten. Për këtë bisedë Vasa Qubrilloviqi do të akuzohet si “agjent”, se ka biseduar në një gjuhë, të cilën as rojet e burgut nuk e kuptojnë dhe se ishte kontestuar prejardhja e tij serbe?!!!. Por pas një viti Vasa Qubrilloviqi (më 1914), për të treguar se është serb i “vërtetë” me caktimin që ia kishte bërë Dragutin Dimitrijeviq- Apisi, do të marrë pjesë në atentatin e Sarajevës ndaj Franc Ferdinatit. Vasa Qubrilloviqi pastaj do të bisedojë në gjuhën serbishte me Nexhip Dragën. Këtij patrioti shqiptar do t’i rrëfehet se: “Jam shqiptar me prejardhje” dhe dua t’ju ndihmojë”. Por me të kuptuar, Hasan Prishtina do të reagojë se: “Ne jemi të burgosur, nuk na duhet kurrfarë ndihme nga askush, përpos nga drejtësia”. Me këtë kishte marrë fund përpjekja e fundit që delegacioni shqiptar të likuidohet. (Arkivi i Serbisë, Fondi: MUD viti 1913, Albanska Delegacija u Begradskoj tvrxhavi, do 1 aprilla 1913; Interesimi i Kryqit të Kuq ndërkombëtar, tri faqe tekst në frëngjishte më 18 mars 1913 për shëndetin e ekipit shqiptar).

Interesimi i gazetarit të Vjenës për të biseduar me Hasan Prishtinën në burg

Më 30 nëntor 1912 një gazetar i Vjenës do të tentojë të bisedojë me Hasan Prishtinën, por do të pengohet serish nga përfaqësuesi i Ministrisë Punëve të Jashtme të Serbisë. Në Arkivin e ish-Jugosllavisë, në Fondin “arhivalie“, ka mbetur kërkesa e gazetarit Wienz, por nënshkrimi i tij nuk është i lexueshëm sepse është vetëm një paraf. Kërkesa i është bërë Ministrit të punëve të brendshme të Serbisë Stojan M. Protiq (për ndryshe i njohur si “Balkanikus”.(shiko: Vlada Nikole Pashiqa, 30 avgust 1912-22XI 1914).

Më 23 nëntor 1912 nga Ministria e Ushtrisë (Ministër i ushtrisë Radomir Putnik, e pastaj prej 3 I 1913 koloneli Radivoje Bojoviq), Sekretari i Gjeneralshtabit i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme shkresë nr. 833, me të cilën Millan Paunoviq kolonel gjeneralshtabi do të sjellë vendim që Marko Cemoviqi –vicekonzull, mund të bisedojë me parinë shqiptare në Kështjellën e Beogradit. Me parinë shqiptare kishte fituar të drejtën për të biseduar edhe Orllo Kalliqi. Që të dy kishin biseduar me parinë shqiptare rreth garancioneve që ata duhet t`i japin që nuk do të merren me politikë. (DASIP B. MPB Serbisë F. XII, R-13/12 d. 4578, dokument që vërteton se paria shqiptare ishte në burgun e Beogradit në Kalemagdan, duke biseduar me përfaqësuesit e qeverisë okupatore serbe nga 3 nëntori 1912-1 prill 1913).

Gjatë muajit shkurt 1913, kudo në Vilajetin e Kosovës agjentët serbë po nxitonin në anën tjetër për t`i detyruar shqiptarët që t’i drejtojnë Konferencës së Londrës “kërkesa” se “duan” të jetojnë nën okupimin e Serbisë e jo nën pushtetin e Shqipërisë që ishte shpallur në Vlorë më 28 XI 1912, nga përfaqësuesit e të gjitha trojeve shqiptare, pra edhe nga Kosova. Në Vlorë, ishin përfaqësues Isa Boletini, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani e shumë patriotë të tjerë. Por, cirkularët që i kishte nënshkruar Nikolla Pashiqi ku kërkohej që me falsifikime shqiptarët të prezentohen në Londër se “duan të mbesin nën pushtetin e Serbisë”, në realitet ishte një atentat politik dhe diplomatik me pasoja, por ishte edhe me leje të Fuqive evropiane. E vërteta, politika okupuese serbe kishte gjetur mercenarë si Mehmet Shani Beu i lindur në Prizren dhe Fehmi Zavalani, të cilët do të cilësohen si agjitatorë për propagandën serbe. Nga këta tradhtarë do të kërcënohet Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga, që me çdo kusht ta lidhin bashkëpunimin me Serbinë okupatore, por do të përbuzen dhe diskreditohen shumë keq gjatë bisedimeve sidomos me Hasan Prishtinën. Me një rast Hasan Prishtina, në burgun e Kalemegdanit në Beograd do të iu drejtohet të dyve: Mehmet Shani Beut dhe Fehmi Zavalanit: “Sa ju kanë paguar zotni”? ( AS. MID. Pov. 1913, F. XV/a, sekret 26-27 III 1913). Ah tradhtarë kemi pas gjithmonë, nuk na duhen as ata e as këta, po kurrfarë, as për armiqtë, që ma në fund i likuidojnë vetë, ose dora e popullit.

/vijon/