Kritika letrare, në gjendje shoku

  • 03 May 2016 - 08:28
Kritika letrare, në gjendje shoku

Topanica: Mjaft vepra letrare mbeten pa u vërejtur

“Kur një krijues serioz i lexon disa kritika të kritikëve tanë për disa “poetë” e “poete” kosovare, ai ndjen neveri dhe i mbushet mendja të mos shkruajë kurrë, sepse jo vetëm që vlerësohen rrejshëm, por edhe u jepet hapësirë”, ka thënë studiuesi, Reshat Sahitaj

Ka vite që kritika letrare në Kosovës vazhdon të jetë në një gjendje shoku, duke mos bërë hapa para për vite të tëra. Pavarësisht faktit se letërsia shqipe në Kosovën e pasluftës ka pasur një hov të vrullshëm në prodhimin e saj, saqë numri i botimeve gjatë një viti ka vazhduar të rritet. Arsye, sipas studiuesve dhe krijuesve tanë, është sepse të merresh me kritikë letrare është një punë e paleverdishme në aspektin material, por edhe botimi është mjaft i vështirë, pasi mungojnë revistat e specializuara.

 Vlerësime të rrejshme

Për studiuesin Reshat Sahitaj, gjendja e kritikës letrare në Kosovë është për të ardhur keq dhe këtë për disa arsye. Pasi, sipas tij, përveçqë është paleverdishme në aspektin material, për shkrimet kritike ka pakë hapësirë për botim. Sipas tij, një pjesë e kritikëve tanë shkruajnë kritika për leverdi materiale dhe dihet se janë të kushtëzuar, andaj ato janë kritika jo objektive dhe e zhvlerësojnë veprimtarinë letrare. “Kur një krijues serioz i lexon disa kritika të kritikëve tanë për disa “poetë” e “poete” kosovare, ai ndjen neveri dhe i mbushet mendja të mos shkruajë kurrë, sepse jo vetëm që vlerësohen rrejshëm, por edhe u jepet hapësirë”, ka thënë ai, duke shtuar se kritika duhet të subvencionohet nga institucionet tona, në mënyrë që kjo të jetë objektive me ç’rast ngrihen vlerat letrare. Por, tani për tani, ka thënë ai, kjo askujt nuk i intereson dhe jemi siç jemi. “ Të shkruash ekskluzivisht kritikë letrare është një punë e vështirë dhe duhet bërë analiza, studime, hulumtime, në mënyrë që vepra e tillë të jetë dinjitoze. Disa kritikë tanë kanë bërë libra të kësaj natyre, duke i botuar parathëniet e tyre të shumta të përmbledhura në një vepër të veçantë, por të rrallë janë ata të cilët e kanë bërë objekt studimi një roman që ta analizojnë në të gjitha aspektet, sepse kjo nuk paguhet”, ka pohuar Sahitaj.   (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)  

(Kosova Sot)