description

Fidel Kastro, libër për lindjen e revolucionit të tij

Publikuar: E premte 30 Korrik 2010, 12:34 0 Komente

Ai mund të mos jetë më president i një vendi të cilin e udhëhoqi në një mënyrë aq të pakompromis për gati gjysmë shekulli, por Fidel Kastro përsëri ka marrë rolin e të gjithë të pranishmëve në Kubë. Dalja e tij e fundit në publik ka të bëjë me paralajmërimin e vëllimit të parë të memoareve të tij, që flasin në mënyrë kronologjike për fillimin e revolucionit komunist të Kubës, kur disa qindra guerilë të Kastros mundën një ushtri të rregullt disa herë më të madhe, atë të diktatorit Fulgencio Batista.

 

Puna rreth librit

Libri, me titull “Fitorja strategjike”, del në dritë gati 52 vjet pas betejës së “Las Mercedes”-it në javën e parë të gushtit të vitit 1958, kur, sipas fjalëve të librit, “u vulos fati i tiranisë”. Ky libër po ashtu vjen në një kohë kur flitet për njëfarë shkrirjeje të marrëdhënieve të ftohta midis Kubës dhe SHBA-së. Qyshkur mori pushtetin në vitin 2008, vëllai i Fidel Kastros, Raul Kastro, ka ndërmarrë disa hapa të matur për ta liberalizuar ekonominë e vendit, si dhe ka liruar disa të burgosur politikë. Në Uashington, një komitet kongresional votoi në qershor për heqjen e ndalimit të udhëtimit të amerikanëve në Kubë, si dhe për lehtësimin e disa sanksioneve ekonomike. Ky veprim paraqet një vetëdijesim të amerikanëve se 50 vitet e embargos së SHBA-së ndaj Kubës, lëre më që nuk e kanë dobësuar regjimin e këtij vendi, por mund t’i kenë ndihmuar atij që të mbetet në jetë.

Kastro, i cili pritet të mbushë 84 vjet, thotë se ka kaluar muaj të tërë duke punuar rreth librit me 25 kapituj, qyshkur u sëmur në vitin 2006 dhe në fillim joformalisht, e la pushtetin në duart e vëllait. Përpos që do të flasë për pikën kryesore kthesë të revolucionit, libri në fjalë do ta ketë edhe një autobiografi të shkurtër, duke folur për fëmijërinë e Kastros, si dhe për fillimin e luftës së armatosur kundër regjimit të Batistës. Në përgatitje është vëllimi i dytë i memoareve, me titull “Kundërofensiva strategjike përfundimtare”.

 

Në faqet e para të lajmeve

Tani, lideri i revolucionit përsëri është në faqe të parë të lajmeve. Edhe pse, për herë të parë, nuk mundi të marrë pjesë në festimet e përvjetshme të kthimit të Elian Gonzalesit 6-vjeçar nga SHBA-ja në Kubë, në vitin 2000, gjë që konsiderohet fitore e madhe ndaj SHBA-së, Kastro bëri shtatë paraqitje publike javëve të fundit, duke përfshirë edhe tri fjalime në TV. Rishfaqja e tij nga disa shihet si shenjë e kundërshtimit të tij personal ndaj liberalizimit të mëtejmë të vendit dhe të ndreqjes së marrëdhënieve me SHBA-në. Kastro gjithmonë ka bërë një jetë modeste dhe gjatë tërë jetës së tij ka thënë se ndreqja e marrëdhënieve me vendet kapitaliste, do ta shkatërronte Kubën.

E tillë ishte edhe tema e autobiografisë së tij: “Fidel Kastro: jeta ime”, e bashkëshkruar me shkrimtarin spanjoll Ignacio Ramonet dhe e botuar në vitin 2006, ku ai, në kohën kur ende ishte president, nuk kishte pranuar as edhe gabimin më të vogël në organizimin e shoqërisë dhe ekonomisë së Kubës, si dhe nuk kishte thënë asgjë për trajtimin brutal të disidentëve politikë. Revolucioni, thoshte ai, ishte “i pakthyeshëm”.

Printo Dërgo
  • di

Komente

KARAKTERE TE MBETURA

arkivi i lajmeve