description

Harrohet Muzeu i Arteve Moderne

Publikuar: E enjte 29 Korrik 2010, 3:22 0 Komente

Galeria e Arteve të Kosovës, por edhe komunitetit artistik i Kosovës, veçmas ai i arteve pamore do të duhet të presin edhe për një kohë të gjatë derisa të ketë mundësi që veprat e tyre ta kenë rastin të prezantohen në një galeri moderne, ndërtimi i së cilës ishte nisur disa vjet më parë, por që ka mbetur vetëm ide, pasi qeveria e Kosovës, konkretisht MKRS-ja, nuk ka para për ndërtimin e një objekti të tillë. Në fakt, MKRS-ja ka të gatshme një projekt ideor për ndërtimin e Muzeut të Arteve Moderne, ndryshe një objekti të ri për Galerinë e Arteve të Kosovës. Shumë herë ishte thënë nga zyrtarë të atëhershëm të MKRS-së, por edhet të GAK-ut, se përveç projektit ideor ishte siguruar edhe hapësira ku do të ndërtohet ky objekt. Jo më larg se para një viti, vendi ku ishte caktuar për ndërtimin e Muzeut të Arteve Modernë i është dhënë Fakultetit të Edukimin për ndërtimin e ndërtesës së re, gjë që ka bërë që projekti për ndërtimin e Muzeut të Arteve të lihet për më vonë. Ndërsa për lokacion të ri ka mbetur që një zgjidhje të gjejnë MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës. Ndërsa se kur do të ndodhë një gjë e tillë, nuk është bërë e ditur nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës. Se cili do të jetë fati i ndërtimit të Muzeut të Arteve Moderne nuk dinë as drejtues të GAK-ut. Drejtori i kësaj Galerie, Fahredin Spahija, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se ai si drejtor nuk ka ndonjë informacioni për fatin e ndërtimi të këtij objekti. Edhe pse, sipas tij, do të duhet të gjendet një zgjidhje dhe të mos lihet në harresë nderimi i këtij Muzeut të Arteve Moderne, i cili jo vetëm për drejtorin e Galerisë, por edhe shumë ekspertë të arteve pamore shihet si një nevojë urgjente për të zgjidhur shumë probleme me të cilat sot ballafaqohet, si GAK-u, ashtu edhe arti pamor në Kosovë. “Ka një kohë të gjatë që çështja e ndërtimit të një objekti të ri për GAK-un, konkretisht Muzeut të Arteve është lënë në harresë nga MKRS-ja, dhe ne si drejtori nuk kemi ndonjë informacion pse po ndodhë kjo”, ka thënë drejtori Spahija, duke shpresuar se MKRS-ja do të gjejë një lokacion të ri për ndërtimin e këtij objekti. Në anën tjetër, zyrtarë të MKRS-së janë shprehur se hëpërhë çështja e nderimit të këtij objekti është lënë për më vonë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ndërsa vëmendja e Ministrisë është përqendruar në Koloninë e Artistëve në Bardhosh të Prishtinës. Këtë e pati pohuar edhe ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, në një intervistë të zhvilluar për “Kosova Sot”. Ndërsa, sipas Alberta Tronit, këshilltare e ministrit të Kulturës, Lutfi Haziri, kjo çështje ka mbetur të diskutohet për vitin e ardhshëm, pasi MKRS-ja, për sivjet nuk ka mundësi për investime kapitale. Ajo ka theksuar se MKRS-ja do të shikojë mundësinë për të gjetur një lokacion të ri për ndërtimin e Muzeut të Arteve Moderne, por kjo tek vitin e ardhshëm. “Ne si MKRS do të shikojmë së bashku me Komunën e Prishtinës për të gjetur një lokacion të ri për ndërtimin e këtij objekti. Pasi brenda hapësirës universitare nuk ka vend të lirë për ndërtimin e këtij objekti”, ka thënë Alberta Troni, këshilltare e ministrit Haziri.

I. Vatovci

Printo Dërgo
  • di

Komente

KARAKTERE TE MBETURA

arkivi i lajmeve