Krahasimi me ISIS-in i kthehet "boomerang" Serbisë

  • 17 May 2016 - 07:39
Krahasimi me ISIS-in i kthehet

Kundërshtime të ashpra për deklaratën e presidentit Nikoliq

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka përfunduar seanca ku është diskutuar për situatën në Kosovë. Material bazë për këtë seancë ishte Raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, për gjendjen në Kosovë, në të cilin theksohet se situata e sigurisë në përgjithësi mbetet stabile, megjithëqë "tensionet politike kanë prodhuar një numër të rëndësishëm të incidenteve, përfshirë protesta të dhunshme, sulme dhe kërcënime kundër zyrtarëve dhe dëmtim të pronës private dhe qeveritare",shkruan gazeta Kosova Sot.

Në diskutimin e tij, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se "Kosova ishte dhe vazhdon të jetë në qendër të çështjeve vitale për sigurinë e përgjithshme në Evropë dhe për marrëdhëniet në kontekst më të gjerë". Në raport theksohen angazhimet nga ana e Kosovës në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, por, sipas tij, marrëveshjet duhet të gjejnë zbatim të plotë. Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova është vend evropian.

"Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës më lejoni ta ritheksojë se ne do të zbatojmë secilën marrëveshje që kemi arritur me Serbinë në Bruksel", u shpreh Çitaku. Ajo më pas ka përmendur deklaratën e presidentit serb Tomislav Nikoliq, i cili e krahasoi Kosovën me ISIS-in, duke theksuar se kjo gjë nuk qëndron. "Si mund të themi që po i normalizojmë marrëdhëniet, kur presidenti serb e krahason Kosovën me ISIS-in. Kosova është vend evropian që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, përpjekja për të na etiketuar për diçka që nuk jemi është e ulët dhe e pasaktë", ka thënë Çitaku, duke shtuar se Kosova është një vend, i cili lufton ISIS-in dhe e sheh atë si kërcënim ndaj rajonit.

Serbia ndërton mbi varrezat masive

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, gjatë fjalës së saj në seancën e Këshillit të Sigurimit, ka përmendur anëtarësimin e Kosovës në FIFA, duke thënë se Serbia ende dëshiron t'i mohojë fëmijëve tonë që të luajnë. "Për ata unë kam një mesazh, jetoni dhe lejoni të tjerët që të jetojnë, lëreni të tjerët të luajnë, sepse kosovarët meritojnë të luajnë", tha Çitaku. Ajo theksoi se derisa klasa politike ka ndarje, rruga drejt integrimit evropian është pajtim i të gjithëve. Çitaku shtoi se ekzistojnë familje që janë ende në zi, siç janë familjet e të zhdukurve, të cilat presin për të vërtetën e qartë dhe është imperativ që Serbia të hapë dosjet e saj në mënyrë që të mbyllim këtë kapitull. "Shteti serb po fsheh gjurmët, duke lejuar të ndërtohen ndërtesa mbi mbetjet mortore", tha ajo. Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se Serbia është e përkushtuar që të zgjidhë të gjitha problemet me mjete paqësore, por Prishtina ende nuk ka marrë hapat e nevojshëm për të përmbushur marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sipas tij, kriza politike në Prishtinë është e njollosur dhe ekziston rreziku që anëtarët që janë më nacionalistë, pakënaqësitë e tyre t'i shfaqin te komunitetet, veçanërisht komuniteti serb. Ai para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka shtuar se të drejtat e serbëve në Kosovë ende janë të cenuara....(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot) 

(Kosova Sot)