Milionat u shpenzuan për thithje të investimeve, askush nuk dha llogari

  • 23 May 2016 - 07:51
Milionat u shpenzuan për thithje të investimeve, askush nuk dha llogari

Nokaj: Për mungesën e investimeve të huaja janë fajtore edhe ambasadat tona.

Investimet e huaja në Kosovë kanë rënë nga viti në vit dhe, megjithëse janë shpenzuar miliona euro për promovime, askush nuk ka dhënë përgjegjësi se si u shpenzua paraja publike, ndërkohë që investimet nuk duken në horizont. As vitet e pavarë- sisë së Republikës së Kosovës nuk e ndryshuan gjendjen. Institucionet mbajtën një sërë konferencash jashtë vendit ku shpenzuan miliona pa pasur ndonjë efekt në sensin praktik. Sipas analistëve të ekonomisë, një pjesë të fajit në këtë drejtim e kanë edhe ambasadat kosovare dhe përfaqësitë e tjera diplomatike dhe konsullore të vendit tonë në tërë botën që dështuan për të joshur investitorët e mëdhenj. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ia lë fajin e mosthithjes së investimeve të huaja edhe mungesës së sundimit të ligjit në Kosovë."Kriza financiare në shumë vende të Evropës domosdoshmërisht i ka pasur efektet edhe në rënien e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Realisht, kjo është arsyeja kryesore e rënies së investimeve.

Arsyeja tjetër është edhe dështimi i institucioneve të Kosovës për të ofruar diçka konkrete për investitorët e huaj", ka theksuar ai. Shton tutje se Kosova me një ekonomi të pazhvilluar ka nevojë për investime të shumta direkte dhe mungesa e këtyre investime pamundëson përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend. Duhen taksa të ulëta dhe eliminim i korrupsionit Deputeti opozitarë i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) thotë për gazetën se investimet e huaja në Kosovë kanë filluar që të shënojnë një rënie graduale nga viti 2007 e deri më 2014, por edhe me një ngecje të madhe të zhvillimit ekonomik. " Prej atij viti e deri më sot, investimet e huaja kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Qeveria e ekzaltuar duket se e kishte harruar fare zhvillimin ekonomik, e sidomos krijimin e kushteve për thithjen e investimeve të huaja", shprehet Hoti.

Ai thotë se duket se Qeveria e harroi se një shtet i pavarur ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për sundim të ligjit, për taksa të ulëta, për eliminim të korrupsionit dhe për administratë profesionale dhe efikase. "Të gjitha këto parakushte shkuan në drejtimin e kundërt, duke e përkeqësuar edhe më shumë klimën e të bërit biznes". Hoti shprehet se mungon llogaridhënia e krerëve të institucioneve në Kosovës dhe e zyrtarëve dhe përgjegjësve të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja, të cilët dështuan për të sjellë investitorë edhe pas shpenzimit të shumave të mëdha të parave për promovime. Ai thotë se për këto dështime askush nuk dha dorëheqje e as nuk u shkarkua. " Një pjesë e fajit është edhe e ambasadave tona nëpër botë, por ajo më kryesorja është edhe mungesa diplomacisë ekonomike nëpër botë, përkatësisht numri shumë i vogël dhe simbolik i atasheve ekonomikë nëpër ambasadat tona, shifër kjo që duhet rritur urgjentisht", është shprehur ai. Me gjithë pyetjet e drejtuara me shkrim në adresë të zyrtarëve të MPJ-së rreth kësaj çështjeje, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje zyrtare.

Kosova, dele e zezë në Ballkan për investime

Eksperti i ekonomisë, Ardian Nokaj thotë se është për keqardhje rënia drastike e investimeve të huaja në Kosovë dhe aq më tepër është për keqardhje mungesa e llogaridhënies nga pushtetarët tanë për këto rënie. Ai thotë se investimet e huaja direkte në Kosovë paraqesin një ndër faktorët kyçë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. "Nëse ato mungojnë ose janë të pakta, atëherë edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës do të jetë i ulët. Fatkeqësisht, prej vitit 2008 e deri sot në Kosovë, investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie të vazhdueshme", u shpreh ai. Sipas Nokajt, investimet e huaja në Kosovë kishin shënuar rritje graduale prej vitit 1999 deri në vitin 2007, kur ato kishin arritur nivelin më të lartë. Nokaj është i mendimit se për rënien drastike të investimeve një pjesë të madhe të fajit në këtë drejtim e kanë edhe ambasadat kosovare në tërë botën që kanë dështuar në këtë aspekt. Ai pyeti se cila nga ambasadat tona dhe stafi i tyre nëpër botë e solli një investim të hajrit në Kosovë që nga koha kur jemi bërë shtet. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Milazim Abazi thotë se sa u përket investimeve të huaja Kosova u shndërrua në një dele të zezë në Ballkan. "Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit perëndimor në këtë periudhë shënuan rritje të vazhdueshme të investimeve të huaja. Shumë nga investitorët e huaj që ia mësynin Kosovës, përfundonin në Maqedoni, në Serbi apo dhe në Shqipëri, ngase atje gjenin përkrahje dhe shumë më pak barriera". Sipas Abazit, me qëllim të rritjes së investimeve të huaja, Qeveria e Kosovës zhvilloi tri konferenca ndërkombëtare, si në Uashington, në Londër dhe në Berlin. Në këto konferenca u shpenzuan bukur shumë para nga buxheti i Kosovës dhe u bë propagandë mediatike, por përkundër premtimeve dhe pritjeve pothuajse nuk erdhi asnjë investitor", u shpreh Abazi. Ai tutje shtoi: "Përkundrazi, edhe ata pak investitorë që ishin u larguan gjithnjë e më shumë duke u zhvendosur në vendet e tjera të rajonit. Kjo na jep të kuptojmë se me asnjë konferencë ndërkombëtare pa përmirësimin klimës të të bërit biznes nuk do të ketë investime të huaja, e as rritje ekonomike".

Ai thotë se për 7 vjet nuk është bërë asgjë dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të përmirësuar klimën e biznesit. "Sipas të dhënave të Bankës Botërore, nga 22 kriteret e vlerësimit të klimës së të bërit biznes në Kosovë në vitin 2013, në krahasim me vitin 2012, 18 prej tyre kanë shënuar përkeqësim, 3 kanë ngelur të njëjtë, ndërsa vetëm një ka shënuar përmirësim. Përkeqësimi ka vazhduar edhe në vitin 2014 e tutje", u shpreh ai. Abazi sugjeron se për të pasur një zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe rritje të investimeve të huaja, Qeveria e Kosovës në të ardhmen duhet ta përmbysë qasjen e deritanishme ndaj bizneseve, si të vendit ashtu edhe të huaj, duke i marrë një varg masash. "Qeveria të bëjë reforma në administratën tatimore dhe në atë doganore, përfshirë edhe ndryshime kuadrovike në udhëheqjen e tyre, të bëjë ndryshime kuadrovike në të gjitha entet rregullatore dhe në agjencitë e pavarura duke u liruar nga militantët partiakë, të luftojë monopolet në sistemin bankar,telefoni dhe prodhim energjie, duke e hapur tregun për operator të rinj, të heqë dorë nga përzierja në organet e drejtësisë duke i pavarësuar ato plotësisht nga ndikimet politike,të luftojë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën në rend të parë, duke mos qenë qeveritarët pjesë e bizneseve", u shpreh Abazi

(Kosova Sot)