Liberalizimi nuk i shpëton oligarkët

  • 24 May 2016 - 07:42
Liberalizimi nuk i shpëton oligarkët

Ndëshkimi popullor do të jetë i paparashikueshëm.

Pavarësisht vlerësimit pozitiv për rekomandimin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, klasa politike në pushtet, e cila ka dështuar që t'i japë zhvillim ekonomik dhe perspektivë qytetarëve të vendit, nuk do të mund të amnistohet nga ndëshkimi qytetar kurdo që mbahen zgjedhjet. Që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës e deri më sot, nuk ka pasur kaq shumë pakënaqësi e mllef më të madh ndaj kësaj klase politike, që përveçse e dështuar, konsiderohet edhe skajshmërisht e korruptuar, grindavece e anarkiste. Analistët konsiderojnë se është i paanashkalueshëm ndikimi i këtij mllefi në rritje, që në zgjedhjet e ardhshme qytetarët të ndëshkojnë me votë këta qeveritarë, të cilët nuk punuan asnjëherë për interesa të vendit e të qytetarëve të saj, por vetëm për interesa klienteliste, klanore e puro mafioze. Profesor Riza Smaka konsideron se qytetarët nuk mund të mashtrohen me asgjë, aq më pak me liberalizim vizash, diçka që e kanë merituar kaherë dhe nuk është aspak vendim i ndikuar nga qeverisja e mirë e kësaj klase politike në pushtet, por është vendim politik i BE-së, i bazuar mbi kulturën qytetare të qytetarëve properëndimorë të Kosovës, derisa detyrat për politikën, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik i vendit dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten obligime që është thënë hapur se nuk janë përmbushur, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Sipas tij, këto janë arsye të fuqishme që qytetarët t'i thonë një "Jo" të madhe kësaj klase politike në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal e qendror, kurdo që mbahen ato. Tri pushtetet e dështuara "Keqqeverisja aktuale e ka dëshpëruar dhe e ka zhgënjyer numrin më të madh të qytetarëve të vendit tonë. Mund të jenë të përjashtuar në këtë disponim negativ antiqeveritar vetëm disa grupe qytetarësh, apo individë që nga kasta e klasa politike janë të beneficuar e të privilegjuar me poste pushtetare ose me pozita dominonte, qoftë në pushtet apo edhe në fushën e ekonomisë, me pozita monopoliste në ekonominë e tregut", u shpreh Smaka. Qytetarët kanë njëqind e njëmijë arsye që ta ndëshkojnë këtë klasë politike, dhe kjo është shumë e pritshme që do ta bëjnë, sepse edhe raportet referuar progresit eventual, të hartuara nga institucione ndërkombëtare, janë me vlerësime të dobëta, madje së fundi nga më të ulëtat, veçanërisht referuar shkallës dhe dimensionit të korrupsionit, burokracisë në administratë e gjyqësor të papërgjegjshëm, abuzimeve me detyrat zyrtare të ndryshme e të shumta. "Papunësia në vend është në rritjen maksimale, e papërgjegjësia qeveritare po ashtu është e paskrupullt.

Gjendja shoqërore, ekonomike e politike në vendin tonë, mjerisht, është tejet e disfavorshme në të gjitha sferat e segmentet institucionale të të tri pushteteve themelore, prandaj këtë qytetari i Kosovës po e përjeton çdo ditë në kurrizin e vet dhe duhet t'i ndëshkojë ata që po e sjellin në një situatë të tillë", tha Prof. Smaka për "Kosova Sot". Brezi i ri kërkon ndryshime përmes votës Ndëshkimin më të madh kësaj klase politike në pushtet, që po i mashtron qytetarët për më shumë se një dekadë e gjysmë, e sheh si mundësi reale në zgjedhjet e radhës edhe analisti Albrim Badallaj. Ai vlerëson se këtë kthesë mund ta bëjë sidomos kontingjenti i ri i votuesve, që pritet t'i shtohen trupit elektoral në zgjedhjet e radhës. "Realisht, ndryshimi gjithmonë është pritur nga rinia, ku kontributi më i madh i tyre mund të jetë përmes votës. Në zgjedhjet e ardhshme do të kemi edhe 70 mijë votues të rinj, të cilët kanë lindur në vitin 1999, dhe të cilët janë rritur në një Kosove të pasluftës. Të tillët nuk e dinë situatën e paraluftës dhe janë më euforikë që vendi të zhvillohet shpejt, duke i marrë shembull vendet evropiane e rajonale, perspektivën dhe standardin e avancuar të bashkë- moshatarëve të tyre", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai thotë se sfidë mbetet votimi familjar dhe detyrimi i punëtorëve që të votojnë partitë me të cilat janë të lidhura biznese të caktuara, por optimizmi për ndryshime ekziston, pavarësisht të gjitha opsioneve të mundshme që politika kriminale ta blejë votën nga qytetarët e painformuar sa duhet dhe korruptohen më lehtë. "Pakënaqësia e popullit në këtë moment është me e madhe se para shpalljes së pavarësisë, mirëpo edhe vetë qytetarët kanë gisht në krijimin e kësaj situate të pafavorshme", tha Badallaj për "Kosova Sot".  (Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)

(Kosova Sot)