Prokuroria e EULEX-it kërkon që t'i vazhdohet edhe 4 muaj paraburgimi Azem Sylës dhe të tjerëve
Prokurori i EULEX’it ka kërkuar që t’i vazhdohet masa e paraburgimit Sylës dhe shtatë të dyshuarve të tjerë edhe për katër muaj. Sipas kërkesës së prokurorisë ende ekzistojnë arsyet për vazhdimin e paraburgimit, sepse sipas tij ende ekziston rreziku i ikjes, rreziku i pengimit të procedurës penale dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati I Sylës, Tomë Gashi, në një shkrim në Facebook, duke thënë se mbrojtja e Sylës do ta kundërshtojë kërkesën, ngase vazhdimi i paraburgimit ndaj Azem Sylës mund të konsiderohet vetëm si dënim i tij dhe në asnjë mënyrë si masë ligjore për zhvillimin e papenguar të hetimeve në këtë çështje penale, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Shkrimi i plotë i Tomë Gashit:
PROKURORI I EULEX-it KËRKON VAZHDIMIN E PARABURGIMIT PËR Z.AZEM SYLA
Prokurori i Eulex-it ka kërkuar nga Gjyqtari i Eulex-it që të i vazhdohet paraburgimi z.Azem Syla dhe shtatë të dyshuarve të tjerë edhe për katër muaj.
Prokurori pretendon se ende ekzistojnë arsyjet për vazhdimin e paraburgimit, sepse sipas tij ende ekziston rreziku i ikjes, rreziku i pengimit të procedurës penale dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale. Mbrojtja e z.Azem Sylës do të kundërshtoj këtë kërkesë, ngase vazhdimi i paraburgimit ndaj ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, mund të konsiderohet vetëm si dënim i tij dhe në asnjë mënyrë si masë ligjore për zhvillimin e papenguar të hetimeve në këtë çështje penale.
Është pak sa e pakuptueshme dhe juridikisht e paarsyeshme që Prokurori të kërkoj vazhdimin e paraburgimit për 8 të dyshuar, ndërsa hetimet në këtë çështje janë duke u zhvilluar për 52 persona. Si është e mundur që Prokurori ti hetoj të gjithë për vepren penale të krimit të organizuar dhe të lejoj që 44 të dyshuar të mbrohen në liri pa asnjë masë kufizuese dhe 8 të tjerë të qëndrojnë në paraburgim.
Nëse kemi të bëjmë me krim të organizuar, atëherë ligji do të duhej të vlente për të gjithë njejtë, e jo ligji të përdoret në mënyrë selektive. Z.Azem Syla është përballur edhe më herët me akuza edhe më të rënda nga persona të njejtë dhe është vërtetuar pafajësija e tij. Mbrojtja e z.Azem Sylës beson se e njejta gjë do të ndodhë edhe në këtë rast.
(Kosova Sot)