Studenti boshnjak ndërton karrige me rrota që kontrollohet nga truri

  • 24 May 2016 - 13:00
Studenti boshnjak ndërton karrige me rrota që kontrollohet nga truri

Një student i ri i teknologjisë së informacionit nga Bosnja, po zhvillon një projekt novator për të ndërtuar një karrige me rrota që kontrollohet nga truri dhe që do të zgjidhë shumë probleme për të paralizuarit.

Pavarësisht se vuan nga një problem serioz – thuajse nga shurdhimi total – Dalibor Dumiq, një inxhinier i ri nga Bihaci dhe një nga studentët më premtues të IT në Bosnje, po zhvillon një projekt ambicioz për të dizenjuar një karrocë me rrota të kontrolluar nga truri.

Dumiq, 22 vjeç, një student i Universitetit Burch në Sarajevë, i tha BIRN se projekti është pjesë e mbrojtjes së diplomës.

“Kam parë projekte të ngjashme për kontrollimin e duarve robotike dhe dua ta zbatoj këtë koncept në një karrige me rrota, e cila mund të jetë e dobishme për njerëzit që kanë paaftësi të plotë në lëvizje,” shpjegoi ai.

Projekti përbëhet nga tre komponentë kryesorë: një sensor për të zbuluar aktivitetin nervor, një softuer dhe një harduer, që janë të nevojshëm për kontrollimin e karrocës me rrota.

Sensori duhet të vihet në lëkurën e kokës dhe të skanojë aktivitetin nervor të trurit, shpjegoi Dumiq. Aktiviteti nervor më pas do të përforcohet dhe të dërgohet në softuerin e instaluar në një tablet Ëindoës 10.

Softueri do t’i marrë të dhënat nga sensori, do t’i përpunojë ato nëpërmjet një algoritmi dhe do t’i japë komandat përfundimtare harduerit, të ngulitur në karrocë.

“Ideja nuk është të lexohet mendja e njeriut, por lidhet më shumë me leximin e aktivitetit të tyre nervor dhe reagimin ndaj ndryshimeve të parametrave të këtij sinjali”, tha Dumiq, duke theksuar se projekti duhet të jetë gati deri në fund të vitit.

“Dëshira ime është ta bëj karrocën të thjeshtë dhe të përballueshme, që të mund të jetë e dobishme, sidomos për njerëzit këtu në Bosnjë”, theksoi ai.

Edhe pse Bosnja në vitet e fundit ka përjetuar një bum në sektorin e IT, Dumiq, i cili tani është edhe pjesë e Partnerëve të Studentëve Microsoft – një program mbarëbotëror i projektuar nga Microsoft për të sponsorizuar studentët që po diplomohen në disiplina që lidhen me teknologjinë – vuri në dukje se zhvillimi i aftësive të tij në atdhe ishte një detyrë e vështirë.

“Zhvillimi i aftësive të mia nuk ishte absolutisht i lehtë”, theksoi ai.

Një pjesë e problemit është fakti se që nga lindja, Dumiq ka pësuar një humbje pothuajse totale të dëgjimit, gjë që ishte një pengesë e madhe në sistemin arsimor të Bosnjës.

“Njerëzit këtu kanë tendencë të bëjnë një sy qorr për këto lloj problemesh”, vuri në dukje ai.

“Për të qenë në gjendje që të kuptoj, kam nevojë që dikush të flasë qartë, ngadalë, dhe pa bërtitur… Shpesh njerëzit që kanë mësuar për problemin tim kanë filluar të bërtasin, duke menduar se do t’i dëgjoj më mirë ashtu. Disa nga shokët e mi madje tallen duke folur vetëm me zë të lartë,” thotkujton ai.

Edhe sot , “është gjithashtu shumë e vështirë të ndjek atë që profesorët po flasin,” shtoi ai.

Megjithatë, edhe pse shumë të rinj po largohen nga Bosnja për të gjetur punë jashtë vendit, Dumiq i tha BIRN se ai e sheh të ardhmen në vendin e tij.

“Unë dua të bëhem një pjesë inovative dhe e dobishme për komunitetin tonë”, tha ai, duke fajësuar mjedisin në Bosnje si “shumë pesimist”.

“Njerëzit këtu janë zakonisht pesimistë… dhe kjo është arsyeja pse ky vend nuk mund të përmirësohet… Shumë gjëra të mira kanë ndodhur kohët e fundit, por shumica e njerëzve nuk kanë mundur ta shohin këtë, sepse dominojnë lajmet pesimiste, duke shkatërruar frymëzim njerëzve”, thotë Dumiq.

(Kosova Sot)