Shkatërruesit e drejtësisë mbrohen nga politika e inkriminuar

  • 24 May 2016 - 07:51
Shkatërruesit e drejtësisë mbrohen nga politika e inkriminuar

Përgjegjësit duhet të japin llogari për dështimin e tyre

"Pa një drejtësi të mirëfilltë nuk mund të ketë as një shtet stabil. Faktikisht, vetëm kur del në publik, në opinion, ndonjë keqpërdorim, apo korrupsion, siç ka ndodhur në disa raste, atëherë suspendohen ose merren disa masa të lehta. Përndryshe, personat përgjegjës që udhëheqin drejtësinë me shkallët e saj, siç janë Gjykata Themelore, e Apelit, ajo Supreme, për dështimin që kanë pasur deri më tani, nuk ka dhënë përgjegjësi dikush nga to në këtë drejtim", është shprehur deputeti Zafir Berisha, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Mungesa e llogaridhënies dhe përgjegjësisë që është instaluar në Kosovën e pasluftës në gjitha instancat e shtetit, përfshirë edhe drejtësinë dhe gjyqësinë, dhe që janë vërejtje të përhershme të Komisionit Evropian në adresë të pushtetarëve tanë, po vazhdojnë edhe më tutje. Veç garniturave të mëparshme që kanë drejtuar me sistemin e drejtësisë, këto gabime po përsëriten edhe në kohën e tashme të qeverisjes aktuale. Derisa në anën tjetër për katandisjen e këtij sistemi dhe gjendjes së rëndë që kemi mbërritur për çudi nuk kemi parë asnjë dorëheqje të asnjë ministri, por as shkarkim të ndonjërit nga krerët e kupolës së gjyqësorit. Andaj, medoemos nga njohësit e kësaj fushe edhe është shtruar çështja se a mund të ecën drejtësia përpara në vendin tonë, por edhe gjetiu, pa llogaridhënie?

Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se çështja e llogaridhënies është një nga problemet më të mëdha në kuadër të zyrtarëve të Kosovës, si për pushtetarët që janë në pushtet po ashtu edhe për mekanizmat ose instrumentet e shtetit që janë të pushtetit shtetëror, siç ka thënë ai për Gjyqësorin, Prokurorinë dhe Policinë. Më tej, Kelmendi ka nënvizuar se çështja e llogaridhënies dhe dhënies së përgjegjësisë, që është edhe rruga e parë e dhënies së dorëheqjes dhe hapjes së perspektivës që të zhvillohen hetimet nga ana e prokurorëve. Sipas tij, një gjë e tillë ka munguar, po mungon, por do të mungojë edhe të ardhmen në Kosovë.

Krimi i organizuar në institucione shtetërore "Varet nga e kaluara e tij, po ashtu e tashmja dhe nga kapja ose moskapja nëpërmes krimeve të ndryshme dhe ne jemi dëshmitarë se të gjithë këta që janë në pushtetin shtetëror aktualisht në një mënyrë apo tjetër janë të kapur, qoftë nga krimi i organizuar brendapërbrenda apo edhe nga krimi ekonomik në veçanti, organizatat e mëdha ekonomike, krimet e mëdha, të cilat në një mënyrë apo tjetër kanë depërtuar në kuadër të shtetit dhe i kanë futur kësisoj këta njerëz nën kontroll dhe në anën tjetër janë të kapur nga vetë faktori ndërkombëtar, po ashtu grupet e ndryshme të interesit, të cilat janë lobistë të ndryshëm, e sidomos nga lobi serbo-grekoamerikan në Kosovë, që është jashtëzakonisht shumë i rrezikshëm dhe i fortë, i cili duke parë situatën brendapërbrenda ekonomike ka arritur që t'i lidhë kriminelet e ndryshëm të pushtetit shtetëror dhe në këtë mënyrë të depërtojë drejtpërsëdrejti tek pushtit shtetëror dhe rrjedhimisht të mungojë edhe interesi i dhënies së llogarisë", ka thënë Kelmendi. Më tej, ai ka specifikuar se kur nuk ka llogaridhënie të tilla dhe pushteti është i kapur, qoftë nga krimi i brendshëm apo ai ndërkombëtar, atëherë, sipas tij, vetvetiu nënkuptohet se mekanizmat e drejtësisë pastaj janë të kapur, pasi ata nuk lejojnë që të ketë mekanizma të drejtësisë, si të organeve hetuese, duke filluar nga Policia, pastaj organet e tjera hetimore, po ashtu Prokuroria Speciale, ajo e përgjithshme, Gjykatat, që të kemi siç thotë ai, njerëz të cilët dëshirojnë që ta ndërtojnë shtetin ligjor."Prandaj, edhe në këtë situatë nuk mund të presim një llogaridhënie kur i kemi të njohur të gjithë këtë faktorë dhe rrethana në të cilat aktualisht jeton shteti ynë dhe ne jemi të gjithë dëshmitarë edhe nëpërmjet mjeteve të informimit që japin të dhëna të qarta lidhur me atë se kush çka ka keqpërdorur pozita shtetërore, etj. Mendoj se llogaridhënie të tillë për të hapur kësisoj perspektivë nëpërmjet dorëheqjes dhe përgjegjësisë penale nuk do të ketë", tha ai.

Mungoi llogaridhënia efektive Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një llogaridhënie efektive dhe të qartë, pavarësisht asaj, siç ka thënë ai, se ekzistojnë mekanizma për këtë, por që mungon kontrolli i duhur. Nëse do të vepronin mekanizmat përkatës, sipas Burjanit, nuk do kishte pasur kaq probleme, duke nënvizuar këtu që edhe gjyqtarët e pensionuar kanë kaluar dhe gjenden në avokaturë për të përfunduar punët e veta, andaj Burjani thotë se ky fakt është një nga treguesit se sa ka përgjegjësi dhe llogaridhënie te ne."Po mungon vullneti, por edhe këta njerëz e kanë parë se ka anarki, pastaj mosfunksionim të rendit dhe disiplinës shoqërore dhe shumica e gjyqtarëve jashtë punës së tyre merren edhe me biznese, duke u shndërruar në mësimdhënës dhe duke u korruptuar. Sidoqoftë, këto gjëra disa janë publike, si mësimdhënia, ndërsa të tjerat duhet që të verifikohen nga organet përkatëse. Konsideroj se është në duart e Prokurorisë që të nxirren prova në këtë drejtim, ka theksuar Burjani për gazetën "Kosova Sot". 

Nuk ka vullnet politik për ndryshim

Analisti Fadil Lepaja në këtë aspekt ka uruar që gjyqësia vendore të futet në konkurrencë dhe në garë, në mënyrë që të ndjekë krimin më shumë se, siç ka thënë Lepaja, gjykatat ndërkombëtare, por për të arritur këtë qëllim duhet bërë ndërrime rrënjësore në sistemin e drejtë- sisë."Vështirë besoj se klasa politike e vendit e ka një vullnet të tillë politik, kurse ata që duan nuk kanë fuqi për t'i ndryshuar gjërat përbrenda pa një shtytje të fuqishme nga jashtë", ka vlerësuar analisti Fadil Lepaja. Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, tha për "Kosova Sot"se edhe në drejtësi, që është si shtyllë e veçantë dhe e rëndësishme e shtetit, duhet të ketë përgjegjësi dhe të japë llogari për punën dhe mospunën e saj. Por, sipas tij, në këtë drejtim më shumë thotë se kemi të bëjmë me mospunën që ka bërë ajo dhe përkundër të gjitha dështimeve në shumë fusha të drejtësisë Berisha nënvizon se asnjë njeri nuk e ndien vetën përgjegjës apo fajtor, ani pse janë përgjegjësit kryesorë për këtë dështim në drejtësi." Pa një drejtësi të mirëfilltë nuk mund të ketë as një shtet stabil. Faktikisht vetëm kur del në publik, në opinion, ndonjë keqpërdorim, apo korrupsion, siç ka ndodhur në disa raste, atëherë suspendohen ose merren disa masa të lehta. Përndryshe, personat përgjegjës që udhëheqin drejtësinë me shkallët e saj, siç janë Gjykata Themelore, e Apelit, ajo Supreme, për dështimin që kanë pasur deri më tani, nuk ka dhënë përgjegjësi dikush nga to në këtë drejtim", është shprehur deputeti Zafir Berisha.

(Kosova Sot)