Ymeri: Zgjedhja e der Ballen president të Austrisë, lajm i mirë për Evropën

  • 24 May 2016 - 13:45
Ymeri: Zgjedhja e der Ballen president të Austrisë, lajm i mirë për Evropën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka përgëzuar zgjedhjen e presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, duke thënë se ky është një lajm i mirë për austriakët dhe evropianët.

Ymeri në një status në rrjetin social Facebook ka shkruar se vota për Van der Bellen në Austri është votë kundër masave shtrënguese, është votë për një shtet të mirëqenies e barazisë, ku nuk ka të përjashtuar e as të margjinalizuar.

Lexoni postimin e plotë të Ymerit në Facebook:

Zgjedhja e Alexander Van der Bellen për President të Austrisë është lajm i mirë edhe për qytetarët e Austrisë, por edhe për Evropën. Është lajm i mirë edhe për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Austri, kur dihet që fushata e kundërkandidatit Norbert Hofer ishte përgjithësisht e drejtuar kundër të huajve.

Kriza e gjatë financiare dhe ekonomike, dhe masat shtrënguese e politikat rigoroze financiare, kanë prodhuar një dinamikë të rrezikshme politike në disa vende të BE-së të rritjes së forcave të ekstremit të djathtë dhe të popullizmit ksenofob, me rrëshqitje të herë pas hershme kah fashizmi i kulluar. E tërë kjo rrezikon ta ndryshojë BE-në nga një Evropë e popujve dhe qytetarëve të barabartë, në një Evropë të ‘mbretërve’ që mirëmban dhe ushqen thellimin e ndarjes në mes të pakicës së pasur dhe shumicës së margjinalizuar.

Vota për Van der Bellen në Austri është votë kundër këtij trendi. Është votë kundër masave shtrënguese, është votë për një shtet të mirëqenies e barazisë, ku nuk ka të përjashtuar e as të margjinalizuar.

(Kosova Sot)