Smaka: Qytetarët t'i thonë Jo kësaj klase politike

  • 24 May 2016 - 15:42
Smaka: Qytetarët t'i thonë Jo kësaj klase politike

Profesor Riza Smaka në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se :  “Qytetarët nuk mund të mashtrohen me asgjë, aq më pak me liberalizim vizash, diçka që e kanë merituar kaherë dhe nuk është aspak vendim i ndikuar nga qeverisja e mirë e kësaj klase politike në pushtet, por është vendim politik i BE-së, i bazuar mbi kulturën qytetare të qytetarëve properëndimorë të Kosovës, derisa detyrat për politikën, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik i vendit dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten obligime që është thënë hapur se nuk janë përmbushur.

Sipas tij, këto janë arsye të fuqishme që qytetarët t'i thonë një "Jo" të madhe kësaj klase politike në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal e qendror, kurdo që mbahen ato. Tri pushtetet e dështuara "Keqqeverisja aktuale e ka dëshpëruar dhe e ka zhgënjyer numrin më të madh të qytetarëve të vendit tonë. Mund të jenë të përjashtuar në këtë disponim negativ antiqeveritar vetëm disa grupe qytetarësh, apo individë që nga kasta e klasa politike janë të beneficuar e të privilegjuar me poste pushtetare ose me pozita dominonte, qoftë në pushtet apo edhe në fushën e ekonomisë, me pozita monopoliste në ekonominë e tregut", u shpreh Smaka.

Qytetarët kanë njëqind e njëmijë arsye që ta ndëshkojnë këtë klasë politike, dhe kjo është shumë e pritshme që do ta bëjnë, sepse edhe raportet referuar progresit eventual, të hartuara nga institucione ndërkombëtare, janë me vlerësime të dobëta, madje së fundi nga më të ulëtat, veçanërisht referuar shkallës dhe dimensionit të korrupsionit, burokracisë në administratë e gjyqësor të papërgjegjshëm, abuzimeve me detyrat zyrtare të ndryshme e të shumta. "Papunësia në vend është në rritjen maksimale, e papërgjegjësia qeveritare po ashtu është e paskrupullt. Gjendja shoqërore, ekonomike e politike në vendin tonë, mjerisht, është tejet e disfavorshme në të gjitha sferat e segmentet institucionale të të tri pushteteve themelore, prandaj këtë qytetari i Kosovës po e përjeton çdo ditë në kurrizin e vet dhe duhet t'i ndëshkojë ata që po e sjellin në një situatë të tillë", tha Prof. Smaka për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)