I vdiq burri, nëna e djalit të vetëm ka mbetur pa bukë

  • 24 May 2016 - 15:42
I vdiq burri, nëna e djalit të vetëm ka mbetur pa bukë

Sabile Bytyqi-Gashi vështirë e mund skamjen

"Vetëm pak kripë e sheqer kemi për të mbajtur shpirtin"

Familja katëranëtarëshe Gashi, nga fshati Mramor, komuna e Prishtinës, po jeton si mos më keq. Gjatë vikendit, ditën kur e vizituam këtë familje, ajo kishte mbetur pa bukën e gojës. Nëna e një djali të vetëm është e sëmurë nga mërzia, sepse i vdiq burri në moshë të re dhe e la të rropatet e vetme në këtë jetë

Familja katëranëtarëshe Gashi, nga fshati Mramor, komuna e Prishtinës, po jeton si mos më keq. Sikurse shumë e shumë familje të tjera, të cilat po mundohen të mbesin gjallë me ndihma sociale, aq sa u jep shteti. Por, dita-ditës, ata po heqin edhe për bukën e gojës, ndërsa një gjendje të këtillë ishin edhe gjatë vikendit që lamë pas. Gjatë një vizite që i bëmë kësaj familje gjetëm atë duke u ballafaquar me mungesën e gojës. Familja nuk kishte as miell e as gjëra të tjera elementare. Nusja në këtë shtëpi, Sabile Bytyqi- Gashi, na njoftoi se kanë vetëm pak sheqer e pak kripë, por se ajo që ishte më elementarja mielli e buka u mungonte, ashtu siç u mungonin edhe shumë gjëra tjera të nevojshme për të mbetur gjallë."Keni ardhur pikërisht në ditën kur mielli na është harxhuar i tëri, nuk kemi as bukë, ndërsa vetëm pak kripë e pak sheqer i kemi para shpirtit", është shprehur Sabilja, nënë e një djali, përderisa kishte dy vite që bashkëshorti i kishte vdekur në moshën 32-vjeçare nga sëmundja e kancerit në tru, shkruan sot gazeta "Kosova Sot". 

Image

 

"Tmerri i kësaj bote po ndodh tek unë"

Sabilja me lot në sy na rrëfeu për hallet nëpër të cilat është duke kaluar, përderisa në anën tjetër thotë se mërzia për burrin sa vjen e i shtohet."Tmerri i kësaj bote po ndodh tek unë. Jetojmë pa kushte elementare. Sa ishte burri punonte dhe nuk na ka lënë në këtë gjendje. Vërtet është vështirë ta përballoj gjithë këtë mërzi", është shprehur ajo. Sabilja, edhe pse e re në moshë, thotë se nuk do të martohet, por do ta rrisë djalin e vetëm, Urimin."Kam vendosur ta rris këtë djalë, por të kisha vetëm pak mundësi më të mira të paktën djali mos të më heq edhe për gjëra elementare", është shprehur ajo. Sabilja thekson gjithashtu se jeton me kunatin dhe vjehrrën. Për kunatin thotë se mundohet të gjejë ndonjë vend pune, por se nuk po arrin, ndërsa vjehrra thekson se ende nuk e gëzon pensionin e pleqërisë."Jetojmë vetëm me një ndihmë sociale në shumën 75 euro. Kunati po kërkon punë, por nuk po gjen, e vjehrra nuk është ende në pension. Çka të bëjmë më këtë shumë katër anëtarët e familjes. Nuk po dalin, çka të blejmë më përpara. Mundohemi të sigurojmë bile gjërat më elementare për jetë, por edhe ato nuk po arrijmë t'i blejmë dhe kah fundi i muajit po mbesim edhe pa bukë", është ankuar Sabilja. 

Image

 

"Nuk kam para të shkoj te mjeku"

Ndryshe, Sabilja ka shpjeguar se sa ka qenë bashkëshorti në punë kanë arritur të kursejnë diçka dhe me ndihmën edhe të të tjerëve kanë arritur të ndërtojnë një shtëpi, por tani nuk kanë mundësi të rregullojnë asgjë më vetë. Në anën tjetër, kushtet në këtë shtëpi linin shumë për të dëshiruar. Familja kishte nevojë edhe për shtrojë e mbulojë dhe orendi."Kush çka të ka mundësi të na ndihmojnë, për gjithçka jemi nevojtarë", është shprehur ajo. Ndërkohë, Sabilja ka shpjeguar gjithashtu se nga vdekja e bashkëshortit nuk është mirë me shëndet, ndërsa thekson se nuk po ka mundësi financiare për ta vizituar asnjëherë mjekun."Nga mërzia fitova disa sëmundje, ndërsa nuk po kam para ta vizitoj mjekun", u shpreh ajo, duke na rrëfyer se jeta e kishte katandisur keq. Ajo shpreson në ditë më të mira vetëm kur djali t'i rritet. Ndërsa, lutej që ai të jetë shendosh e mirë. "Ndoshta kur të rritet djali gjërat do të ndryshojnë. Ndryshon edhe Kosova dhe mundësitë për t'u punësuar vijnë në shprehje", tha ajo. Sabilja thekson se ndihet keq kur është para kërkesave të djalit dhe nuk ka mundësi t'ia sigurojë."Nuk ka më vështirë kur fëmija kërkon diçka e nuk ke mundësi si nënë t'ia plotë- sosh atë dëshirë", thotë ajo me lot në sy. Andaj, duke u ballafaquar për çdo ditë me mungesën e gjërave më elementare për jetë, familja apelonin për ndihmë. Për ndihma lutej edhe Urimi fillorist. Ai thotë se ka nevojë për gjithçka, për ushqim të bollshëm, për veshmbathje dhe një telefon, që të kishte mundësi të kontaktonte me të afërmit e familjes. Andaj, të gjithë ata të cilët kanë mundësi t'i ndihmojnë kësaj familje mund ta bëjnë këtë duke thirrur në numrin e telefonit: 044 549 818.  

(Kosova Sot)