Shkolla "Çesk Zadeja" ende me instrumente të dhuruara

  • 24 May 2016 - 21:45
Shkolla

Shkolla e mesme e muzikës "Çesk Zadeja" në Ferizaj, ndonëse ka mbi 20 vite të funksionimit, ende ka nevojë për mjetet të punës e instrumente, të cilat i mungojnë për një punë sa më efikase. Këto ditë për nevojat e nxënësve të kësaj shkolle ka arritur një pianino nga Zvicra. Dhe kjo nuk është dhurata e vetme të cilën e ka dërguar nga ky shtet Julie Tompkins-Wagner nga Zvicra me të birin e saj, Brus Wagner,shkruan gazeta Kosova Sot.

"Në një takim me të në Prishtinë kemi biseduar që shkollat në qendrat tjera të Kosovës kanë problem me mjete, pra me instrumente. Ajo e ka pëlqyer këtë ide dhe menjëherë ka filluar që të grumbullojë instrumente të ndryshme dhe të na i dërgojë", tha Astrit Mustafa, profesor i muzikës. Mustafa tha se zonja Julie TompkinsEagner që nga atëherë sa herë që gjen ndonjë instrument menjëherë na e dërgon. Por, për këtë donacion të fundit Mustafa ka falënderuar edhe djalin e Julias, Brus Wagner, vetëm 14-vjeçar i cili ishte iniciator i këtyre ndihmave për Kosovën. Donacionit në fjalë më së shumti i është gëzuar drejtoresha e shkollës së muzikës, Melihate Kelmendi, e cila tha se falë këtyre donacioneve mundësohet mbajtja e mësimit ashtu siç do të duhej në një shkollë profesionale. "Shkolla jonë ka nevojë shumë për instrumente muzikore, e sidomos për pianino. Ky është një instrument i cili na duhet për secilën lëndë", tha Melihate Kelmendi, drejtoreshë e shkollës.

(Kosova Sot)