Ekonomia në duart e militantëve, rrënuese për shtetin

  • 24 May 2016 - 07:55
Ekonomia në duart e militantëve, rrënuese për shtetin

Pa reforma rrënjësore nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

Me gjithë vërejtjet e përhershme që po i bën çdo vit Komisioni Evropian në adresë të pushtetarëve tanë për politizim dhe mbipunësim në ndërmarrjet publike, Qeveria dhe Kuvendi nuk po ndërmarrin asgjë. Punësimi në agjenci buxhetore e kompani publike i militantëve ka vazhduar edhe me koalicionin qeverisës PDK-LDK. Analistët politikë, deputetë nga opozita, por edhe specialistë të fushës së integrimeve evropiane, njëzëri pajtohen me vlerësimin se ndërmarrjet publike kyçe të vendit tonë, por edhe doganat janë të stërmbushura me militantë partiakë, të cilët përmes formës së instalimit të militantizmit të egër po e shkatërrojnë ekonominë e brishtë të Kosovës. Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), thotë për gazetën "Kosova Sot" se shumica e të punësuarve nëpër vendet kyçe dhe drejtuese nëpër dogana dhe ndërmarrjet publike, siç janë PTK-ja, KEK-u, por edhe në kombinatin "Trepça", si edhe nëpër ndërmarrje të tjera, janë militantë partiakë. Zotimi për depolitizim, një mashtrim qeveritar Deputeti Hoti thotë se nuk ka asnjë fije dyshimi se, sikurse që ishte për një dekadë në kohën e qeverisjes së Hashim Thaçit, edhe tash në kohën e Qeverisë së Isa Mustafës janë këto struktura partiake që janë sistemuar në të gjitha bordet e agjencive shtetërore dhe në të gjitha poret e jetës.

Ai e shtron edhe dilemën se si mund të ecën ekonomia jonë përpara kur ajo është e kontrolluar nga strukturat oligarkike dhe të partive politike të koalicionit aktual. "Vazhdimi i emërimit nëpër këto poste të militantëve partiakë dhe jo kuadrove që janë profesionistë do të jetë një e keqe për ekonominë e vendit, sepse në këto poste duhet të aktivizohet kuadro profesioniste, e jo me militantë partiakë", ka thënë ai. Deputeti Hoti nuk pret që premtimi për depolitizimin e bordeve në ndërmarrje publike dhe të agjencive se do të realizohet nga Qeveria 'Mustafa'. "Partitë e koalicionit janë të interesuara të gjejnë vende pune për argatët e vet. Por, njëkohësisht, edhe të kenë kontroll në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe të tregut", ka potencuar më tej ai. Pasoja të rënda të kapjes së shtetit Ndërsa, specialisti i ekonomisë në fushën e integrimeve evropiane, Nëntor Shaqiri, thotë për gazetën "Kosova Sot" se është për keqardhje se sinjalet që kanë dërguar deri më tani dy partnerët e koalicionit, PDK dhe LDK, nuk japin shpresë se do të përzgjidhen kuadro profesionale dhe jopartiake. " Bordet e NP-ve kryesore, por edhe bordet e agjencitë, edhe tash, sikurse edhe më herët, po shihen nga partitë politike si mundësi të punësimit të anëtarësisë së tyre", thotë Shaqiri.

Lidhur me problematikën, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ekonomisti Ismajl Kastrati, tha për gazetën "Kosova Sot" se nepotizmi, klientelizmi dhe militantizmi e kanë ngulfatur demokracinë e brishtë kosovare dhe e kanë dëmtuar rënë perspektivën zhvillimore ekonomike të vendit. "Kjo vërehet në çdo segment të jetës, në çdo agjenci, ndërmarrje publike, në arsim, shëndetësi dhe në krejt administratën civile shtetërore", theksoi ai. Ekonomisti Kastrati vlerëson se kjo është kapja e shtetit."Kjo gjendje e militantizmit krijon pasoja të rënda për shoqërinë. Në shumicën e rasteve, ata nuk janë profesionalë dhe në nivelin detyrës që e pranojnë. Meritokracia është nocion i pakuptimtë për emërimin e tyre. Shi për këtë kemi jokompetencë, injorancë dhe mungesë të përgjegjësisë në kryerjen e detyrës për çka janë emëruar", ka thënë ai.

Nevojitet reformë rrënjësore Bankieri Milazim Abazi tha për "Kosova Sot" se është më se e vërtetë se NP-të, entet publike dhe agjencitë e pavarura sikurse edhe administrata publike e Kosovës janë të stërmbushura me militantë partiakë, kryesisht të të dyja partive, PDK-së dhe LDK-së, dhe kjo e ka dobësuar shumë kualitetin e administratës publike, por edhe menaxhmentin e bordet e NPve, agjencive të pavarura dhe enteve rregulluese."Është turp për Kosovën që në Raportin e Progresit çdo vit merr të njëjtat vërejtje dhe asgjë Qeveria dhe koalicioni i tashëm nuk po ndërmerr që të përmirësojnë këto vërejtje nga Raporti i Progresit, në mënyrë që ta rregullojnë administratën publike dhe të depolitizojnë bordet e NP-vë dhe menaxhmentin e tyre", u shpreh ai. Ndërkaq, i pyetur se si të ecet përpara me këta militantë partiakë të këtij koalicioni që po e udhëheqin ekonominë brishtë të vendit tonë, eksperti Abazi thotë se pa reforma rrënjësore në politikëbërje në administratë publike e ndërmarrjet publike e entet rregullatore, Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, nuk mund të thithë investime të vendit e as investime të huaja. 

(Kosova Sot)