Polemika, ushtarët zviceranë me simbolin e Shqipërisë

  • 25 May 2016 - 12:56
Polemika, ushtarët zviceranë me simbolin e Shqipërisë

Ka shkaktuar polemika në rrjetet sociale publikimi në websitin e medias zvicerane “Mattinaonline”, fotografia e një grupi ushtarësh zviceranë të cilët imitojnë me duar shqiponjën, simbolin e Shqipërisë.

Janë të gjithë ushtarë zviceranë por me origjinë kosovare e zotërues të dy pasaportave. Në profilet e rrjeteve zyrtare të medias zvicerane disa nga komentuesit janë shprehur kundër kësaj fotografie duke mos e gjetur korrekt faktin që ushtarë me uniformë zvicerane bëjnë me gjeste simbolin e një kombi tjetër.

Të tjerë komentues lavdërojnë këtë grup ushtarësh që edhe pse me dy nënshtetësi kanë pranuar të punojnë me ushtrinë zvicerane, punë që shumë të rinj të këtij vendi nuk pranojnë ta kryejnë.

Por ka dhe komentues të tjerë që pyesin; “Në rast konfikti lufte nga kush anë do të rreshtohen këta ushtarë?

Nuk është hera e parë që ushtarët zviceranë, por dhe me kombësi kosovare janë përfshirë në polemika të tilla. Rreth një vit më parë më prill të 2015, disa prej tyre kanë publikuar një fotografi ku pozojnë të veshur me uniformën e ushtarit zviceran duke mbajtur në duar flamurin e Shqipërisë.

Ky fakt ka kërkuar asokohe prononcimin publik të zëdhënësit të ushtrisë zvicerane Christoph Brunner i cili është shprehur se “kur ushtarët zviceranë janë me uniformën, duhet të shohim vetëm flamurin e Zvicrës”.

(Kosova Sot)