Autoriteti i Konkurrencës, në mëshirën e Kuvendit

  • 25 May 2016 - 08:00
Autoriteti i Konkurrencës, në mëshirën e Kuvendit

Qeveria propozoi kuadro të dobëta për këtë institucion.

Komisioni refuzoi të mbështesë listën qeveritare

Deputetët, që janë shprehur kritikë ndaj listës së propozuar, thonë se sërish do të votojnë kundër atyre emrave të nominuar nga ekzekutivi, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kuvendit të Kosovës, i kanë kundërshtuar të nominuarit e Qeverisë së Kosovës për të qenë anëtarë të Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që është jashtë funksionit tash e disa vite. Tani u mbetet deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vendosin për fatin e të nominuarve për anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës. Qeveria e Kosovës i kishte propozuar këta kandidatë për anëtarë të Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës: Valon Prestreshi-kryetar, Ahmet Krasniqi-zëvendëskryetar, Fatime Haziri, anëtare, Muhamet Krasniqi, anëtar dhe Shaqir Morina, anëtar. Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Muhamet Mustafa (LDK), tha për gazetën ”Kosova Sot”  se ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që me shkresën e datës 22 prill 2016 e ka ngarkuar Komisionin për Zhvillim ekonomik që ta shqyrtojë listën e kandidatëve të propozuar nga Qeveria lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe më pas t’i paraqesë Kuvendit Raportin me rekomandime. 

Anëtarët shprehën rezerva ndaj të propozuarve

Kryetari Muhamet Mustafa  sqaroi se Komisioni në bazë të nenit 62 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 26 prill 2016, pasi shqyrtoi listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, të propozuar nga Qeveria më 6 prill dhe 20 prill  2016 ka vendosur që Kuvendit të Kosovës t’i paraqesë këtë rekomandim: Të mos miratohet propozimi i Qeverisë për emërimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Mustafa tha se pas shqyrtimit të listës së kandidatëve të propozuar nga Qeveria, Komisioni përmes një shkrese drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe Kryesisë së Kuvendit, ka konstatuar se kandidatët e propozuar formalisht i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur anëtarë të Bordit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, por megjithatë, sipas Mustafës, disa nga anëtarët e Komisionit theksuan se duke u nisur nga specifika e punës së këtij Komisioni dhe kërkesat profesionale për këtë disa nga anëtarët e propozuar në këtë bord nuk i kanë referencat e nevojshme nga aspekti profesional në fushën e mbrojtjes së konkurrencës. Sipas Mustafës, me shumicë votash 3 kundër dhe 2 pro kësaj liste dhe me 2 abstenime, Komisioni i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që mos të miratohet propozimi i Qeverisë për këta kandidatë. Andaj për fatin e këtyre personave do të vendosë Kuvendi i Kosovës.

Ndryshimi i listës, në duart e Qeverisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i këtij Komisioni, Besim Beqaj (PDK), tha se në mbledhjet e këtij Komisioni, por as në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Kosovës, kur do të diskutohet për këtë, listën e këtyre emrave nuk i ka votuar dhe nuk do t’i votojë prapë këta emra. Ndërsa anëtarja e Komisionit, Sala Berisha Shala (PDK), tha se Komisioni nuk e ka atë kompetencë ligjore që të caktojnë emra të tjerë, por e ka Qeveria e Kosovës, andaj ajo do të vendosë për ndryshimin e këtyre emrave dhe listës së tyre. Ndërsa deputeti Raif Qela (PDK)  tha se lidhur me agjencitë e pavarura ka shumë probleme, sepse përzgjedhja e anëtarëve është problematike. “Jo për faktin se po zgjidhen persona politikë, sa për faktin se mënyra si po bëhet zgjedhja po favorizohen persona, të cilët janë pa përgatitje të mjaftueshme profesionale dhe pa kredibilitet moral, që ta kryejnë atë punë”, ka thënë ai. Sipas Qelës, problemi është se këta persona nga pesha e madhe që luan ky Autoritet i Konkurrencës nuk kanë mundësi që ata ta kryejnë atë punë dhe si emra të tillë ata nuk duhet që kurrsesi dhe në asnjë mënyrë  të votohen në Kuvend. Lufta politike për pozita dhe ndikim

Deputeti opozitar, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), thotë se arsyeja e vërtetë se përse Komisioni parlamentar e ka rekomanduar refuzimin e emrave të anëtarëve të propozuar nga Qeveria për Komisionin e Konkurrencës qëndron tek mospërputhjet në qëndrimet partiake, sepse po shihet se ka përplasje në mes të partnerëve të koalicionit për të mbajtur nën kontroll  agjencitë, që do të duhej të ishin të pavarura, e në fakt ato as që janë të tilla. Deputeti Hoti  thotë se edhe zgjedhja e këtyre kandidatëve varet edhe nga fakti se çfarë afërsie janë ata me oligarkët e pushtetit kandidatët e propozuar nga Qeveria për të qenë në bordin e AKK-së, që është jofunksional prej disa vitesh, përkatësisht se kujt po i konvenon ky mosfunksionalizim i AKK-së. Eksperti i ekonomisë, Nëntor Shaqiri, thotë për “Kosova Sot”  se vërtet është koha e fundit që nëpër të gjitha agjencitë e vendit duhet që të zgjidhen profesionistë e jo militantë partiakë si deri më tani, sepse vetëm me kuadro profesionale mund të ecim para me zhvillimin ekonomik, që aq shumë po na duhet. 

(Kosova Sot)