Reagon Jahjaga: Ja e vërteta e shpenzimeve enorme!

  • 25 May 2016 - 14:16
Reagon Jahjaga: Ja e vërteta e shpenzimeve enorme!

Zyra e ish-Presidentes Atifete Jahjaga është e gatshme të përgjigjet për të gjitha shpenzimet që u bënë në periudhën e përfundimit të mandatit, Janar-Prill 2016.


Tutje, kjo zyre pohon se gjatë mandatit të Presidentes Jahjaga, pavarësisht intensitetit të shtuar të punës, dhe përfaqësimit global të Kosovës, presidenca ka kursyer deri në 30% të buxhetit çdo vit.

Ky është reagimi i Zyrës së ish-Presidentes Atifete Jahjaga:

Zyra e ish-Presidentes Atifete Jahjaga, për shkak të korrektësisë dhe ndjenjës së përgjegjësisë, bën të ditur se zonja Jahjaga nuk e ka “falimentuar” Zyrën e Presidencës, dhe se vizitat e saj jashtë vendit në periudhën Janar-Prill 2016, kanë pasur për qëllim përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës nëpër forume dhe takime të rëndësishme si shtet, në nivel të barabartë me shtetet tjera dhe asnjëherë promovimin personal.

Gjatë tërë mandatit të Presidentes Jahjaga, pavarësisht intensitetit të shtuar të punës, dhe përfaqësimit global të Kosovës, presidenca ka kursyer deri në 30% të buxhetit çdo vit.
Ish-Presidentja Jahjaga është treguar e kujdesshme edhe në periudhën katër mujore në fund të mandatit. Shpenzimet e bëra në këtë periudhë janë diktuar nga agjenda e stërngarkuar e Presidentes dhe ftesat e shumta për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.
Jahjaga, jep përgjegjësi për secilin shpenzim të krijuar gjatë mandatit të saj deri në momentin e dorëzimit të detyrës para ceremonisë së inaugurimit.
Ajo mirëpret transparencën e institucioneve dhe shpreson që këtë praktikë do të vazhdojnë ta ushtrojnë në çfarëdo rrethana edhe në vitet në vijim.
Më poshtë mund të lexoni për secilin udhëtim dhe takim që zonja Jahjaga e ka zhvilluar prej fillimit të vitit 2016.
Gjatë muajit janar, zonja Jahjaga zhvilloi vizitë në Abu Dhabi, ku u takua me ministren e Emirateve të Bashkuara Arabe, Maitha Al-Shamsi dhe me drejtoreshën e përgjithshme të Autoritetit Shëndetësor në Abu Dhabi, Dr. Maha Barakat, ku u finalizuan detajet për vendosjen e gurthemelit të spitalit pediatrik 22 milionë eurosh në Prishtinë.
Në këtë vizitë treditore, zonja Jahjaga u takua edhe me Princin e kurorës, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, si dhe mori pjesë në hapjen e Javës së Energjisë së Qëndrueshme në Abu Dhabi.
Në muajin shkurt, Jahjaga ishte paneliste në Forumin Publik “Gratë, Progresi dhe Ekonomia Globale” të organizuar nga Banka Amerikane Merrill Lynch dhe Vital Voices Global Ambassadors në Londër.
Në muajin mars, ish-presidentja u takua me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, dhe mori pjesë në forumin e nivelit të lartë të organizuar nga Mbreti Abdullah ku u trajtuan sfidat globale, përfshirë ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.
Po ashtu gjatë muajit mars, zonja Jahjaga udhëtoi në Washington, ku u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, me ndihëmssekretaren amerikane e Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Victoria Nuland dhe me Sekretaren Madeleine Albright.
Gjatë periudhës treditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jahjaga, po ashtu mbajti fjalim në Georgetown University për tolerancën ndërfetare në Kosovë, u ftua për ligjeratë në Këshillin Atlantik ku foli për menaxhimin e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Gjatë të njëjtës ditë Presidentja Jahjaga mbajti fjalim në forumin Gratë në Politikën e Jashtme për gratë e dhunuara në Kosovë, ku në prani të shumë mysafirëve u shfaq edhe dokumentari “Mendoj për ty”. Ajo vizitoi Arkivat Nacionale amerikane, ku dhuroi kopjen e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në fund të muajit mars, ish presidentja Jahjaga vizitoi shtetin e Maltës, ku zhvilloi takime me Presidenten e Maltës, zonjën Marie Louise Coleiro Preca dhe me ministrin e Punëve të Jashtme George Vella. Gjatë vizitës në Maltë, zonja Jahjaga po ashtu mori pjesë në konferencën “Dhuna seksuale gjatë konfliktit dhe përtej”.
Në fund të mandatit, më 3 dhe 4 prill, Atifete Jahjaga zhvilloi një takim me shefen e diplomacisë evropiane, zonjën Frederica Mogherini në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel.

(Kosova Sot)