5-6 mijë të atakuar nga diabeti

  • 25 May 2016 - 15:08
5-6 mijë të atakuar nga diabeti

Në Gjakovë rritet numri i atyre që vuajnë nga sëmundja e sheqerit

“Nga numri i përgjithshëm 850 persona përdorin insulinë, por kemi frikë se ky numër është dukshëm më i madh”, ka thënë Luan Gola, specialist i sëmundjeve të sheqerit

Ishte quajtur sëmundje e shekullit të 20-të, por ajo po vazhdon të atakojë njerëzit edhe në shekullin e 21-të, bile shpesh me intensitet akoma më të theksuar. Fjala është për sëmundjen e diabetit. Specialisti i njohur i sëmundjeve të sheqerit, Luan Gola nga Gjakova, e pranon për gazetën “Kosova Sot” se ekziston një frikë që të dhënat që kanë ata të mos jenë plotësisht të kompletuara. “Në Kosovë, në regjistrat e të atakuarve nga kjo sëmundje janë diku 65 deri në 80 mijë veta, shifër kjo që ndryshon nga muaji në muaj. Prej tyre dihet se rreth 11.300 persona përdorin insulinë për të luftuar këtë sëmundje. Mirëpo, shqetësuese është se pos atyre që ne i kemi të evidentuar që do të thotë se i njohim si pacientë me diabet dhe i kemi diagnostikuar, ka edhe një numër të madh të personave që janë në gjendjen e diabetit latent, por që nuk paraqiten në institucionet shëndetësore, edhe pse dihet se zbulimi i vonshëm i kësaj sëmundjeje e komplikon shumë luftimin e saj”, sqaron Gola, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Varfëria i frenon të sëmurët që të paraqiten te mjeku!

Numri i të prekurve nga sëmundja e sheqerit nga viti në vit është duke u rritur edhe në komunën e Gjakovës. Gola shprehet se aktualisht llogaritet se në këtë komunë nga diabeti janë të atakuar diku rreth 5 mijë deri në 6 mijë veta, prej të cilëve rreth 850 si terapi tashmë përdorin insulinën.“Të gjitha faktet flasin se numri i atyre që përdorin insulinën në Gjakovë është më i madh, por disa prej tyre këtë preparat e sigurojnë drejtpërdrejt nga vendet e Evropës Perëndimore, ku i kanë familjarët e vet, kështu që nuk paraqiten fare në institucionet shëndetësore për t’u evidentuar si përdorues i insulinës”, thotë ai.

Pacienti i frikësohet insulinës

Sipas ekspertëve, shumë pacientë mjaft vështirë vendosin që të fillojnë përdorimin e insulinës për luftimin e kësaj sëmundjeje dhe atë për shumë arsye.“Unë vetë vuaj nga sëmundja e sheqerit, e cila ka raste që më shkon deri në 15, 16, apo 17. Tash e sa kohë po mundohem që atë ta luftoj me tableta dhe po bëj çmos që të mos i futëm insulinës, sepse kjo sjellë shumë telashe, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare, sepse ajo kushton mjaft shtrenjtë e ne si pensionistë nuk kemi mundësi ta sigurojmë”, ka thënë Qamil Skënderi, duke u shprehur i bindur se do t’ia dalë që të kurohet me tableta.“Në momentin kur përdorimi i 2, 3 apo 4 tabletave në ditë nuk tregohet i efektshëm, atëherë ka vetëm një rrugë, e kjo është përdorimi i insulinës”, ka Gola.

(Kosova Sot)