Selimi: Pajaziti e Koci nuk mundë të jenë ministra të mirëfilltë të Drejtësisë

  • 25 May 2016 - 16:27
Selimi: Pajaziti e Koci nuk mundë të jenë ministra të mirëfilltë të Drejtësisë

Deputeti nga Lëvizja, "Vetëvendosje!" Rexhep Selimi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se nëse i referohet asaj se pse asnjëherë PDK-ja nuk e ka marrë seriozisht drejtësinë e vendit, në fakt është pak më ndryshe. Selimi mendon se përkundrazi, PDK-ja e ka marrë shumë seriozisht, siç thotë ai, pengimin e drejtësisë, pasi kjo parti, sipas tij, për ta penguar drejtësinë e ka jetike. "Pra, është jetike e PDK-së që të mos ketë drejtësi të mirëfilltë në këtë vend edhe eventualisht të ketë drejtësi të manipuluar, të  kapur dhe të kontrolluar", thotë ai.

" Përveç dy emrave, të cilët i pashë të publikuar, Zenun Pajaziti dhe Gani Koci, atëherë PDK-ja po do edhe një herë ta mbajë të kapur drejtësinë dhe t'i ketë dy emra që i manipulon dhe i shantazhon lehtë dhe dy emra që i ka nën kontroll. Pra, këta mund të jenë gjithçka tjetër, por jo edhe ministra të mirëfilltë të Drejtësisë.

Po ashtu,mund të jenë emra të ministrit të Drejtësisë, por asnjëherë ministra të saj. Sidoqoftë, edhe një herë po manifestohet qasja e PDK-së për ta mbajtur drejtësinë e kapur, të kontrolluar dhe gjithsesi drejtësinë e dirigjuar", u shpreh Selimi. Ndërsa, sa i përket asaj se nëse kësisoj mund të pritet ndonjë ndryshim apo zhvillim i drejtësisë, Selimi nënvizon se ndryshimet në këtë drejtim mund të priten vetëm për keq.

(Kosova Sot)