Qumështi i Kosovës eksportohet vetëm në dy vende të rajonit

  • 25 May 2016 - 17:42
Qumështi i Kosovës eksportohet vetëm në dy vende të rajonit

Qumështarët e Kosovës qumështin dhe produkteve të tij i eksportojnë vetëm në dy vende të rajonit, në Shqipëri dhe Maqedoni. Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës janë aktive 40 objekte për grumbullim dhe përpunim të qumështit.

Në këto pika çdo ditë grumbullohen dhe përpunohen rreth 150 mijë litra qumësht.

“Në kuadër te projektit, për marrje të mostrave të qumështit të papërpunuar,  janë të evidentuar,  më shumë se 3000 mijë fermer, prodhues aktiv të qumështit, ku çdo ditë dorëzojnë sasi të ndryshme të qumështit të papërpunuar, në këto 40 objekte”, tha Lamir Thaçi zëdhënës i AUV.

Thaçi tregoi se infrastruktura e objekteve dhe pajisjet prodhuese në shumicën e këtyre objekteve, është rezultat i investimeve nga vet pronaret e tyre.

Sipas tij, bazuar në analizat që i bëhet qumështit se rreth 60 % e sasisë së qumështit të papërpunuar në Kosovë, që dorëzohet në qumështore si lëndë e parë për përpunim, është e klasës ekstra dhe klasës se parë.

Nga ana tjetër duke u bazuar  në të dhënat e Doganës së Kosovës del se vetëm gjatë vitit të kaluar janë eksportuar 383 mijë e 880 litra qumësht.

Kurse qumësht dhe krem, që nuk përmban sheqer shtesë apo ndonjë lëndë tjetër ëmbëltuese gjatë këtij viti janë eksportuar 126 mijë e 882 litra.

Në total 510 mijë e 762 litra është eksportuar në Shqipëri, shkruan gazeta Fjala.

Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se i ndihmuan fermerët në ngritjen e mekanizmave nëpër fabrikat e përpunimit dhe në përmirësimin e kushteve në ferma.

“Gjithashtu mbështesim edhe klasat e cilësisë së qumështit, dhe ajo me e larta përfiton me shumë, dhe kjo ka shërbyer si shtytës për shumë fermer që të plotësojnë kushtet të rrisin cilësinë”, tha Shkelzen Dragaj.

(Kosova Sot)