Obama nis vizitën e vështirë në Okinava

  • 25 May 2016 - 18:19
Obama nis vizitën e vështirë në Okinava

Burimet zyrtare japoneze dhe amerikane thonë se kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, do të ngrejë çështjen e krimeve të kryera nga punëtorët e bazave ushtarake amerikane në një takim me presidentin Barak Obama, sonte në prag të takimit të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara. Kjo çështje u vendos me ngut për t’u prekur në diskutimet dypalëshe, pas arrestimit të enjten e kaluar të një ish-marinsi amerikan në lidhje me zhdukjen më 28 prill të një gruaje 20-vjeçare japoneze trupi i së cilës u gjet javën e kaluar. Vdekja e saj ka ringjallur kujtime e vitit 1995 mbi përdhunimin e vajzave japoneze nga personeli ushtarak amerikan në Okinava, që shkaktoi demonstrata të mëdha kundër bazave të SHBA-së në Japoni.

Krimi mund të bëhet një pengesë e mëtejshme për kryeministrin Abe për të zhvendosur një stacion ajror të Korpusit amerikan të Marinës në një pjesë tjetër të ishullit Okinava, zhvendosje që ka hasur në kundërshtime nga opozita lokale.

Takimi Abe-Obama duket se nuk do të kënaqë shumë prej banorëve të Okinavës. Në bazat ushtarake amerikane në Japoni ka një personel prej 53-mijë ushtarakësh plus 43-mijë pjestarë të familjeve të tyre, dhe 5-mijë punonjës civilë të Pentagonit. 15 nga 23 bazat amerikane në Japoni janë të vendosura në Okinava, grup-ishujsh që u mbajtën të pushtuar nga Shtetet e Bashkuara që nga koha e humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1945 deri në vitin 1972, transmeton Voa. Bazat e Okinavës përfshijnë rreth 10 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të prefekturës jugore, e cili është një zinxhir ishujsh me klimë gjysmë-tropikale.

(Kosova Sot)