Bllokohet Ligji i pagave, vazhdon luksi i militantëve

  • 25 May 2016 - 07:46
Bllokohet Ligji i pagave, vazhdon luksi i militantëve

Zyrtarët e lartë ia caktojnë vetes shpërblimet sa të kenë qejf.

Eksperti i fushës së legjislacionit, Mazllum Baraliu, i cili edhe  personalisht ka qenë i angazhuar në hartimin e Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë, i tha gazetës se ky dokument thjesht është bllokuar vetëm për interesa të vazhdimit të shpërblimit të militantëve politikë gjithandej në institucione, duke shfrytëzuar mungesën e një ligji të tillë bazik, i bllokuar në mënyrë të qëllimshme,  shkruan sot Gazeta Kosova Sot.

 

Një nga ligjet bazike për funksionimin transparent të shtetit,  përmes të cilit duhet të sigurohet edhe shpërblimi meritor për zyrtarët të lartë, ligj që kërkohet vazhdimisht edhe në raportet vjetore të Komisionit Evropian, e që nuk po bëhet për qëllime të përfitimit të kundërligjshëm material të militantëve të politikës, të instaluar në institucione, vazhdon të jetë Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë publikë.

Deputetja Xhevahire Izmaku, nga PDK-ja, anëtare e komisionit parlamentar për Administratë Publike dhe Medie, thotë se qëllimi i  kthimit të këtij ligji në Qeveri është eliminimi i diferencave të mëdha në sistemin e pagave që parashihen në projektligj, prandaj derisa të ndodhë një rishikim kualitativ nga Qeveria ai ligj si i tillë nuk mund të kalohet në Kuvend.“Është e vërtetë që ka jashtëzakonisht shumë diferenca të pajustifikueshme në mes të kategorive të ndryshme të punonjësve fillimisht, e më pastaj edhe të zyrtarëve të lartë, ka plot kategori të cilat përfshihen në Ligjin për pagat e zyrtarëve të lartë. Ka qenë në mandatin e kaluar në komision, është trajtuar dhe me propozimin e komisionit nuk ka kaluar, nuk është përcjellë fare në Kuvend, për arsye se sponsorimi, i cili ka ardhur nga ana e Qeverisë, realisht ka qenë i papranueshëm për anëtarët e komisionit dhe në këtë vlerësim anëtarët e komisionit që të gjithë kanë qenë unikë në kundërshtimin e këtij projektligji, me konstatimin se nuk ka kategorizim të mirëfilltë”, tha Izmaku për “Kosova Sot”.

 

Partive u interesojnë vetëm militantët

Opozita dhe ekspertë e kësaj fushe konsiderojnë se bllokimi i këtij ligji nga politika në pushtet është një skenar i paramenduar mirë, që i konvenon vetëm politikës në pushtet, pavarësisht që mosmiratimi i tij në standardet që kërkohen edhe sipas BE-së ka ndikim në koston buxhetore të shtetit, por që përfitojnë vetëm grupet e rrjetit të organizuar të oligarkisë politike në pushtet. Deputeti Ismail Kurteshi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se është fare lehtë të kuptohet arsyeja e zvarritjes së këtij ligji,  sepse fillimisht duhet të shihet se kush punon në 2-3 e më shumë vende pune në këtë kohë të papunësisë së lartë dhe varfërisë në Kosovë dhe e kuptoni kujt i shkon për shtati zvarritja.“Ky ligj, si edhe ligji për privilegjet e ish- zyrtarëve dhe ligje të tjera që pengojnë keqpërdorimet financiare të zyrtarëve të lartë vazhdimisht po shtyhen, edhe pse për procedimin e këtyre ligjeve ka shumë nevojë vendi dhe shpesh edhe BE-ja kërkon aprovimin e tyre. Zvarritja e këtyre ligjeve dhe angazhimi për aprovimin e ligjeve që ofrojnë privilegje të reja për zyrtarët siç është ai për pensionet suplementare të deputetëve, që u anulua nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesën e Avokatit të Popullit, dëshmojnë qartë se klasa politike në këtë vend preokupim parësor e ka rahatinë e vetvetes dhe militantëve të tyre partiakë”,tha Ismail Kurteshi për “Kosova Sot”. Përfitues të këtij bllokimi janë partnerët në koalicion, PDK dhe LDK, edhe sipas deputetit Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.“Kjo u konvenon kryesisht bandave të Hashimit e të Isës, të cilat janë duke e zhvatur shtetin nëpërmes të pushtetit kriminal dhe rrjeteve të tyre mafioze, që marrin edhe deri në 8 rroga nga buxheti i shtetit, ngase kanë nga 2 apo 3 vende pune. Madje me orar të rregullt, që i bie se edhe sikur të kishin qenë ufo mundësi teorike që një person në të njëjtën kohë me qenë në dy apo tre vende pune. Ky është marifeti i tyre për ta zhvatur shtetin”, tha Zafir Berisha për “Kosova Sot”. 

Dallime diskriminuese në të ardhura

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se  parregullsia juridike që vjen nga mungesa e këtij ligji ka për bazë qëllimin e vjedhjes së paskrupullt të shtetit.

“Çështja e rregullimit juridik të të ardhurave të zyrtarëve të lartë dhe të pasurisë së tyre janë dy probleme shumë të rënda dhe domethënëse për jetën politike dhe shtetërore në Kosovë. Mosrregullimi juridik i çështjes së të ardhurave personale, duke filluar të ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe të deputetëve dhe të zyrtarëve nëpër bordet udhëheqëse dhe në gjykata, në prokurori dhe në tërë sistemin politiko-juridik, ka për qëllim që duke lënë liritë në pagesa, të zgjidhet çështja sipas vendimeve vetjake, çdokush të vendosë të paguhet sipas qejfit”, theksoi ai. “Natyrisht se të ardhurat varjojnë nga mesatarja e të ardhurave personale në nivel vendi deri 35 herë më të mëdha se mesatarja e shërbyeseve civilë. Të ardhurat e kryeministrit, të ministrave dhe të zëvendësministrave, të presidentit dhe të bordeve, kanë dallime. Ministrat e zëvendësministrat i kanë të ardhurat rreth 1400 euro, ndërsa presidenti mbi 3 mijë euro. E në borde deri në 6-7 mijë euro në muaj. Ky diferencim është bërë dhe bëhet me qëllim të përfitimeve vetjake pa kontroll zyrtar”, tha prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Gjendja anarkike në institucione

Eksperti i fushës së legjislacionit, Mazllum Baraliu, i cili edhe  personalisht ka qenë i angazhuar në hartimin e Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë, i tha gazetës se ky dokument thjesht është bllokuar vetëm për interesa të vazhdimit të shpërblimit të militantëve politikë gjithandej në institucione, duke shfrytëzuar mungesën e një ligji të tillë bazik, i bllokuar në mënyrë të qëllimshme."Nxjerrja e Ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë është nevojë dhe domosdoshmëri imperative. Arsyeja e parë dhe kryesore është gjendja e tanishme në domenin e pagave të zyrtarëve më të lartë publikë. Ekziston një gjendje e paunifikuar, e pakoordinuar dhe mbase edhe anarkike, në fushën e pagave të zyrtarëve të larte publikë. Ka dallime të mëdha në mes të dikastereve të ndryshme; brenda departamenteve; sektorëve dhe niveleve të tjera të rangimit administrativ- institucional në nivel qendror. Nëpër organe, institucione, agjenci dhe organizma të tjerë të pavarur, pse jo sipas të gjithë indikatorëve dhe gjasave në dispozicion ka laramani pagash dhe ka shtesa të tjera të ndryshme; të lejuara ose edhe arbitrare, të cilat e ngarkojnë buxhetin e shtetit, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, për rrjedhojë dhe krahasim, nuk kemi ndonjë cilësi dukshëm më të lartë të shërbimeve profesionale, që organet dhe organizmat administrativë po u ofrojnë më shumë dhe më mirë qytetarëve”, tha prof. Baraliu për “Kosova Sot”. Ai tha se pikërisht miratimi i ligjit do të shkëpuste zinxhirin e favoreve të paligjshme, prandaj edhe po zvarritet nga politika për gati tri mandate radhazi. “Problematike është edhe çështja e pagave dhe të reprezentacioneve të tjera shtesë ose shpërblesë, në organet dhe agjencitë e pavarura, si dhe në bordet drejtuese të kompanive të ndryshme", tha eksperti Mazllum Baraliu.

Disa zyrtarë paguhen më tepër se presidenti

Hipokrizi e madhe politike, sjellje në dëm të shtetit, është zvarritja e këtij ligji edhe sipas profesorit të së Drejtës kushtetuese, Riza Smaka. "Sot jo pak funksionarë publikë, kryesisht në saje të pozitave dhe abuzimeve të tyre, pos pagës funksionale, zhvatin edhe më shumë para publike nga postet aksesore në formë të anëtarëve të bordeve, komisioneve apo"punëve jashtë orarit të punës"! Në sistemin e pagave në vendin tonë ekzistojnë shumë abnormalitete, ashtu që persona të caktuar e jo të paktë nga paraja publike marrin paga edhe më të larta se ajo e presidentit të shtetit", tha Riza Smaka. "Gjithsesi se kërkohet që të miratohet Ligji për pagat publike, me të cilin do të caktoheshin koeficientet, nisur nga presidenti e teposhtë deri në referentet e zyrave administrative, në një anë, si dhe të sanksionoheshin obligimet që funksionarët publikë të mos kenë të drejtë për asnjë "kompensim" tjetër pos pagës funksionale, ka pohuar prof. Smaka për ‘Kosova Sot’. Sa u takon anëtarëve të bordeve të ndryshme, sipas atij ligji do të kishin të drejtë vetëm në një pagë, atë të anëtarit të bordit të caktuar apo atë të funksionit që e ushtron si funksion publik-zyrtar. Prof. Smaka thotë se rregull e ashpër do të duhej vendosur edhe në fushën e mëditjeve. "Çështja e mëditjeve do të duhej të normohej për personat – anëtarë të bordeve, të merrnin vetëm nëse do të paguheshin nga posti që e ushtrojnë, por jo edhe me pagën e bordistit", tha prof. Riza Smaka.

(Kosova Sot)