Dhjetëra barnatore bien në “rrjetën” e Inspektoratit

  • 25 May 2016 - 08:11
Dhjetëra barnatore bien në “rrjetën” e Inspektoratit

Sektori farmaceutik, me mjaft parregullsi

Hasen produkte ilegale dhe pa banderola

Në tremujorin e parë të këtij viti janë marrë masa ndëshkuese ndaj 42  subjekteve, ndërsa deri më tani ndaj 50 subjekteve, prej të cilave 36 subjekte për barna ilegale

Farmacitë në vend po vazhdojnë të shkelin Ligjin për produkte medicinale. Sipas Inspektoratit Farmaceutik në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë,bëhet fjalë për numër të madh të shkeljeve ligjore nga ana e farmacive në vend. Për më tepër, Remzije Thaqi, kryeinspektore, ka  bërë të ditur se gjatë këtij viti  Inspektorati, në  bashkëpunim me Policinë e Kosovës, NJHKEK në Prishtinë, ka kryer aktivitet inspektues në disa barnatore në Prishtinë më dt.18.05.2016 dhe aty ku janë hasur produkte ilegale janë marrë masa konform legjislacionit. Thaqi ka njoftuar se në tremujorin e parë të këtij viti janë marrë masa ndëshkuese ndaj  42 (dyzet e dy) subjekteve, ndërsa deri me tani ndaj 50 (pesëdhjetë) subjekteve, prej të cilave 36 (tridhjetë e gjashtë) subjekte për barna ilegale. Në anën tjetër, qytetarët po vazhdojnë të shprehen për parregullsitë në këtë sektor,shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Barnat pa banderola

Enver Krasniqi, nga Prishtina, ka njoftuar se ka hasur në mungesë të disa barnave në vend. Ndërkohë, më vonë thotë se ka vërejtur se farmacitë janë furnizuar me to. Ai shpreh dyshim se ato mund të jenë edhe barna kontrabandë pasi nuk kanë banderola. Ndërkaq,  edhe Anita Sadriu, qytetare nga Prishtina, ka radhitur disa nga parregullsitë që ajo ka evidencuar për vite në sistemin e farmacisë. Ka theksuar se has në barna të paregjistruara apo kontrabandë pa banderola, në barna pa përkthim në gjuhen shqipe, të shtrenjta e parregullsi të tjera. E gjithë kjo, sipas saj, kërkon t’i përkushtohet vëmendje e duhur nga institucionet gjegjëse, në mënyrë që ky problem të tejkalohet. Sido që të jetë,  problemet e vazhdueshme në këtë fushë po vazhdojnë edhe sipas Agim Çakës, kryetar i Shoqatës së Farmacistëve. Ky i fundit ka shpjeguar se problemet  janë adresuar disa herë, por që janë zvarritur.  “Problemet e barnave  kontrabandë vijnë si rrjedhojë nganjëherë edhe kur Agjencia për Produkte Medicinale nuk arrin t’i lëshojë leje importi ndonjë furnizuesi. ”Në një moment kur dalin probleme në AKPM rreth marrjes së lejeve për import, ekziston edhe mundësia që një bari i regjistruar, por që për momentin mungon në treg, ai të  kontrabandohet. Farmacistët apo ata që merren më këtë punë shfrytëzojnë rastin dhe e fusin atë për një kohë të caktuar, nëpër farmacitë e vendit ”, ka bërë të ditur Çaka. Ndërkohë, ky i fundit ka njoftuar gjithashtu se edhe tani ka disa mungesa të barnave dhe sigurisht se ato mund të zëvendësohen nëpër farmaci në mënyrë ilegale.

Kontrabanda nga rrjetet mafioze

Çaka është shprehur se si Shoqatë i kanë ngritur problemet e kësaj fushe, por kanë hasur në vesh të shurdhër me ndërrimin e politikave.  “Kemi kërkuar që farmacia të jetë në kontroll. Por, megjithatë, dihet se politika e ka nën kontroll, duke ndikuar që të devijojnë gjatë rrugës kërkesat tona”, tha ndër të tjera ai. “Fatkeqësisht, po shihet se si është duke shkuar sistemi, duke filluar nga mjekët, të cilët kanë lidhje me kompanitë farmaceutike, që përshkruajnë barna, të cilat mund të mos jenë edhe të nevojshme për pacientë. Ndërsa, pacienti, duke mos qenë i informuar mund t’i kërkojë në çdo barnatore derisa t’i gjejë ato, edhe pse nuk kanë ndonjë rëndësi për shëndetin e tij“, ka pohuar ai, duke përmendur një nga problemet e kësaj fushe. Përmirësime sa i përket gjendjes  në farmaci nuk shohin as ekspertët shëndetësorë. Besa Baftiu, deputete dhe anëtare e Komisionit për shëndetësi, ka vlerësuar se pas kontrabandës me barna në Kosovë qëndrojnë rrjete mafioze .”Trafikimi i barnave të paregjistruara në Kosovë, pa banderola është një problem, jo që nuk është i zgjidhur tash e disa vite, por fatkeqësisht pranë tyre po qëndrojnë  grupet mafioze ku janë të inkorporuar edhe personat përgjegjës të vendit, duke ndikuar  që gjendja të vazhdojë me këtë problematikë, ku edhe sot të haset  në këso problemesh që i kontribuojnë tregut të zi, e sidomos me barnat nga Serbia”, është shprehur ajo për “Kosova Sot”. 

 

(Kosova Sot)