Melania Trump e shekullit XIX

  • 25 May 2016 - 19:23
Melania Trump e shekullit XIX

Prejardhja e Melania-s mund ta ketë bërë atë temë të interesimit gjatë fushatës së këtij viti.
Louisa Adams ishte zonja e parë dhe e fundit imigrante e Amerikës, ndërsa kundërshtarët e saj politikë nuk e lanë kurrë që ta harrojë këtë gjë,transmeton gazeta Kosova Sot.

Në një aheng një natë në Uashington në vitin 1819, Louisa Catherine Adams po bisedonte me disa anëtarë të Kongresit nga shtetet perëndimore, kur filloi tema e politikës. Ajo e dinte se ata burra nuk ishin të interesuar për opinionet e saj në lidhje me çështjet. Ata ishin të interesuar që të kuptojnë, nëse ajo kishte opinione në përgjithësi, se a do ta kalonte kufirin që ndante gratë prej burrave. Ishte një kurth. Ajo po testohej. Bashkëshorti i saj, John Quincy Adams, atëkohë ishte sekretar i Shtetit, konsiderohej si trashëgues i postit presidencial. Por, ishte një kohë e ndryshimeve. Ndjenjat populiste ishin në rritje. Gjithnjë e më shumë meshkuj po pranonin vota, e gjithnjë e më pak njerëz po i besonin pushtetit. Vetë nocioni i trashëgimit të postit i ngjante Evropës, dhe monarkisë. John Quincy ishte i ndjeshëm ndaj sulmeve të tilla, jo vetëm si i biri i një ish-presidenti, por edhe si një ish-diplomat në oborret mbretërore evropiane. Ai ishte edhe më i ndjeshëm, për shkak të faktit prej nga vinte bashkëshortja e tij. 

Prejardhja e Louisa-s

Nëse Donald Trump bëhet president, bashkëshortja e tij, Melania, e cila është e lindur në Slloveni, do të bëhet zonja e dytë e parë e lindur në vend të huaj në historinë e SHBA-së. Louisa Catherine Johnson Adams, bashkëshorti i së cilës u zgjodh president në vitin 1824, ishte e para. Edhe pse prejardhja e Melania-s mund ta ketë bërë atë temë të interesimit gjatë fushatës së këtij viti, askush nuk e ka përdorur atë për ta kundërshtuar marrjen e Shtëpisë së Bardhë nga ana e Trump-it, e madje as për mendimin e tij për imigracionin. Por, kështu nuk ndodhi me Louisa-n, vendlindja e së cilës u përdor si armë si kundër saj ashtu edhe kundër bashkëshortit të saj. Për kundërshtarët politikë të John Quincy-t, prejardhja e Louisa-s ka nënkuptuar se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk ishin demokratikë, të njollosur nga Bota e Vjetër, dhe se ishin jo etikë ndaj republikës së re. E lindur në Londër në vitin 1775, Louisa në fakt u bë amerikane në një moshë të re. Nëna e saj, Catherine, ishte angleze, por babai i saj, Joshua ishte një patriot krenar amerikan i cili kishte shkuar në Londër nga Anapolisi për ta nisur një biznes tregtar. Thomas, vëllai i Joshua-s ka shërbyerr madje si guvernatori i parë i Merilendit dhe si delegat në kongresin kontinental. Vetë Louisa ishte natyralizuar si qytetare e Merilendit kur ishte nëntëvjeçare. Ajo ishte rritur për të menduar për veten si amerikane, dhe, më e rëndësishme, për t'u martuar me një amerikan. Megjithatë, ajo nuk kishte shkelur në tokën amerikane deri në moshën 26- vjeçare, sepse deri në atë kohë, kishte jetuar në Britani, Francë dhe Prusi.

Thomas Jefferson mbeti dyshues ndaj femrave në pushtet

Pas fejesës me John Quincy-n, madje edhe ai i kishte thënë nënës së tij Abigail, se Louisa nuk ishte krejtësisht amerikane. As Louisa nuk e kundërshtonte këtë. "Thënë shkurt, në secilin aspekt kam qenë gjithçka përveç asaj që duhej të isha", ka shkruar ajo në një memoar. Ajo ishte një zonjë me një inteligjencë politike që nuk do t'i ndihmonte në ndonjë fermë të llojit që Abigail mbikëqyri në Masaçusets. Por, një gjë e tillë ishte shumë ndihmuese në qarqet sociale të Uashingtonit, ku Luoisa do të mund të organizonte ahengje, të bisedonte e vallëzonte. Por, ekzistonin rreziqe. Në atë aheng të vitit 1819, një nga kongresmenët perëndimorë i tha asaj se ai ishte një burrë i sinqertë dhe krejtësisht i panjohur me marifete diplomatike. Sulmi ndaj saj ishte i qartë. Oborret mbretërore evropiane lidheshin me tirani, pangopësi, aristokraci dhe luks. Femrat me ndikim në to ishin veçanërisht të përç- muara. Ato përziheshin në politikë, ato ishin korruptuese dhe të korruptueshme. Thomas Jefferson, për shembull, ishte tronditur kur i kishte parë gratë duke u përzier në mbledhje të burrave në Paris. Ai më pas ka krijuar miqësi me disa prej tyre, por mbeti dyshues ndaj femrave në pushtet. "Gjithmonë kam menduar se po të mos kishte mbretëreshë atje, nuk do të kishte revolucion francez", ka shkruar ai në autobiografinë e tij.

Oborrtaret dyshoheshin se ishin në gjendje që ta shkatërrojnë një shtet, si në aspektin moral ashtu edhe në atë financiar. "Mendoj se isha një objekt i dyshimit dhe mosbesimit të vazhdueshëm", i kishte shkruar Louisa pas ahengut vjehrrit të saj, John Adams-it. Melania Trump, e cila u rrit në Jugosllavinë komuniste para se të bëhej modele e më pas bashkëshortja e tretë e Donaldit, në asnjë mënyrë nuk e karakterizon bashkëshorten tradicionale amerikane. Pjesërisht për atë arsye, ndoshta, deri para pak kohësh ajo kryesisht ka munduar në fushatën presidenciale. Rrënjët e saj joamerikane janë diskutuar në medie të ndryshme, por jo si shenja kundër kandidaturës së bashkëshortit të saj ose ndikimeve të mundshme në qëndrimet e tij politike. Ata që mendojnë se, si një imigrante, ajo mund të ketë një ndikim të moderuar në deklaratat ksenofobike të bashkëshortit të saj janë me siguri duke ëndërruar.

Por, në disa mënyra, përkundër lindjes në shtet të huaj, Meliania i karakterizon konventat e vjetra. Ajo e prezanton veten si të devotshme ndaj të birit të saj, si dekorative dhe kryesisht e heshtur. Ajo thotë se nuk ka frikë që ta shprehë mendimin e saj. "Dëshiroj të di saktë- sisht se çfarë është duke ndodhur", ka thënë ajo për revistën 'DuJour' në një intervistë para pak kohësh. "I jap shumë këshilla bashkëshortit tim dhe i tregoj se çfarë mendoj për gjërat. Nuk tërhiqem. Ia them të vërtetën", ka shtuar ajo. Së paku në publik, megjithatë, ajo ofrohet si stoli e kurorës së markës, një ornament, i cili do të kishte qenë një kompliment në kohën e Louisa-s.   

(Kosova Sot)