Delawie ofron mbështetje për fondin e ri amerikan

  • 25 May 2016 - 20:46
Delawie ofron mbështetje për fondin e ri amerikan

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka ofruar mbështetje të plotë dhe të pa rezervë të ambasadës amerikane për zyrën e MCC-së në Kosovë. Kështu deklaroi ai në një takim me ministrin në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, njëherësh udhëheqës i ekipit drejtues i programit zhvillimor të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se në takim ishin edhe zyrtarë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Ambasadori Delawie, deklaroi se e ka pritur me pa durim hapjen e zyrës dhe krijimin e ekipit për programin zhvillimor MCC. Ai ka premtuar mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë të ambasadës amerikane dhe të personelit të USAID-it për zyrën e MCC-së në Kosovë. Ai tha se “zhvillimi i suksesshëm i këtij programi do të sjellë investime të mëdha në fusha kryesore të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare”.

Selimi ka shprehur mirënjohje për interesimin e ambasadës amerikane për nisjen e këtij programi, duke vlerësuar kontributin e qeverisë amerikane për zhvillimin e Kosovës.

“Shefi i diplomacisë kosovare gjithashtu njoftoi ambasadorin amerikan për progresin në themelimin e Zyrës kosovare të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit, si dhe për programin e punës përmes të cilit synohet përshpejtimi i përfundimit të kontraktimit të programit të nismave “Compact”, që synon investime në fushat kritike të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare. Këto fusha, ndër të tjera, përfshijnë arsimin, sundimin e së drejtës, bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe inovacionin”, thuhet në komunikatë.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që ka fituar mundësinë e krijimit të programit të nismave “Compact” të MCC-së. Vlera e fondit mund të arrijë në mbi 400 milionë euro, varësisht nga projektet e dorëzuara.

(Kosova Sot)