Gjakovë: Disa nga studentët e helmuar ishin nga Klina,Deçani dhe Istogu

  • 25 May 2016 - 21:33
Gjakovë: Disa nga studentët e helmuar ishin nga Klina,Deçani dhe Istogu

37 studentët e helmuar në konviktin “Sadik Stavileci” të Universitetit të Gjakovës,  janë jashtë rrezikut për jetë. Këtë e ka konfirmuar, drejtori i spitalit në Gjakovë, Ahmeti Asllani, i cili tha se dy nga studentët janë liruar nga spitali, ndërsa 35 të tjerët po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor.

Sipas tij, në mesin e studentëve të helmuar ka edhe nga Klina, Deçani, Istogu dhe të tjerë nga fshatrat e largëta të Gjakovës, të cilët banojnë në konvikt.

“Rastet po vazhdojnë të trajtohen edhe më tej. Ne kemi rritur numrin e personelit në spital si dhe kemi angazhuar një barnatore që të qëndrojë e hapur gjatë gjithë natës, për shkak të situatës”, ka thënë Asllani.

Nga ana  tjetër, Unioni i Studentëve të Kosovës, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur shqetësimin  në lidhje me rastin që ka ndodhur në konviktin e Universitetit  “Fehmi Agani” në Gjakovë.

“Me këtë rast kërkojmë nga organet përgjegjëse që të hetohet ky rast në mënyrë që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen”, shkruan në deklaratën e këtij unioni.

(Kosova Sot)